Presidenti Ilir Meta përshëndet miratimin e marrëveshjes për energjinë mes Shqipërisë dhe Kosovës

316
Sigal

Institucionet energjetike të Shqipërisë, Kosovës dhe rrjetit Europian të energjisë, ENTSO kanë firmosur ditën e sotme një marrëveshje që njeh rrjetin e Kosovës si zonë të pavarur për transmetimin e energjisë.

Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta ka vlerësuar këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm për tregun e Kosovës.

“Tashmë sistemi energjitik i Kosovës do të operojë si zonë rregulluese e pavarur brenda bllokut Kosovë – Shqipëri, në kuadër të zonës sinkrone të Europës Kontinentale”,- shprehet kreu i shtetit.

Mesazhi i plotë i Presidentit Ilir Meta:

“Përshëndes miratimin e marrëveshjes së re nëpërmjet Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Republikës së Kosovës dhe ENTSO.

Tashmë sistemi energjitik i Kosovës do të operojë si zonë rregulluese e pavarur brenda bllokut Kosovë – Shqipëri, në kuadër të zonës sinkrone të Europës Kontinentale.

Bashkimi me sistemin energjitik të Shqipërisë do të krijojë operimin e linjës energjitike të interkoneksionit Kosovë  – Shqipëri , duke i mundësuar KOSTT të shfrytëzojë rrjetin e transmetimit në mënyrë të pavarur, me kosto më të ulët, shërbime më të sigurta dhe më fitimprurese, si dhe të jetë i integruar në mekanizmat europianë të transmetimit të energjisë elektrike.

Mirënjohje partnerëve dhe aleatëve të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme në implementimin e kësaj marrëveshjeje”.