KQZ, 300 mijë USD pa garë firmës që fitoi 20 mln USD për identifikimin e zgjedhësve

138
Sigal

Celibashi tjetër tender të dyshimtë/ U jep holandezëve 6.3 mln USD pa garë. Ka “përjashtuar” direkt dhe indirekt çdo firmë, ku në fund i ka dhënë “çekun” kompanisë “Smartmatic International Holding B.V.”. E njëjta skemë si para dy viteve, ku kjo kompani fituar mbi 20 milionë USD pa garë në disa procedura tepër të dyshimta.

Teksa zgjedhjet e 14 Majit afrohen, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon i qetë të bëjë procedurat e fundit tenderuese. Brenda një kohe të shkurtër, KQZ-ja ka shpenzuar miliona euro, duke ia dhënë kompanive të caktuara. Firmën e fundit, Ilirjan Celibashi e ka vendosur në një procedurë miliona euro për votimin dhe numërimin elektronik në disa bashki. Celibashi ka s’kualifikuar disa firma, duke ia dhënë këtë tender një njohjeje të vjetër kompanisë holandeze me të cilën ka punuar edhe para 2 viteve. Duke vendosur klauzola “punë të suksesshme” apo “sukses ndërkombëtar”, Celibashi ka “përjashtuar” direkt dhe indirekt çdo firmë, ku në fund i ka dhënë “çekun” kompanisë “Smartmatic International Holding B.V.”. E njëjta skemë si para dy viteve, ku kjo kompani fituar mbi 20 milionë USD pa garë në disa procedura tepër të dyshimta.

Njoftimi i shpalljes së fituesit të tenderit për votimin dhe numërimin elektronik

Sipas dokumenteve që disponon Bold.al, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur fituesin e tenderit, me objekt “Implementimi i projekt pilot të votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 Maj 2023”. Në datën 20 mars, KQZ-ja nxori njoftimin e mësipërm, duke shpallur fitues firmën “Smartmatic International Holding B.V”, me adresë në Amsterdam, Holandë. Kompania ofroi 6.326.957 USD, ndërsa në tender morën pjesë edhe dy firma të tjera, ku “CGTS Corp Inc” ofroi 14 milionë dollarë dhe “R&T” Sh.p.k ofroi 692.928.800 lekë pa TVSH. “Oferta e “R&T” ishte më e ulta, por ajo u s’kualifikua. Në të njëjtin dokument shkruhet se operatorët e tjerë u s’kualifikuan pasi s’kanë përvojë ndërkombëtare dhe të suksesshme! Po kush ka përvojë të suksesshme?! Natyrisht që sipas KQZ-së fituesi, që vitet e fundit ka përfituar dhjetëra miliona dollarë në tenderët e institucionit të drejtuar nga Ilirjan Celibashi, të dhënë shpesh herë pa garë”.

KQZ, 300 mijë USD pa garë firmës, që fitoi 20 mln USD për identifikimin e zgjedhësve në 2021

Me një tjetër tender pa garë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dhënë një “bakshish” 300 mijë USD firmës “SmartMatic” që në 2021-shin fitoi po pa garë plot 20 milionë USD për identifikimin biometrik të zgjedhësve. Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, e ka shpallur fituese këtë firmë në një tjetër tender “në tavolinë”, duke ngritur dyshime të mëdha se specifikimet teknike apo dokumentet e tenderit i “përshtaten” kësaj firme. Brenda një kohe të shkurtër, kjo firmë ka arritur të marrë nga KQZ-ja më shumë se 20 milionë euro dhe në të gjitha procedurat ajo ka qenë e vetme. Pra, s’ka pasur konkurrent, në një kohë që në tregun shqiptar apo të huaj ka me dhjetëra firma të tilla. Burime nga KQZ-ja thanë për Boldnews.al se dokumentet janë bërë në mënyrë të tillë që fitues të jetë vetëm “SmartMatic”, e cila ka marrë çdo qindarkë të akorduar.

Faksimile: “SmartMatic” është shpallur fituese në një tjetër tender pa garë me vlerë 300 mijë euro

Informacionet dhe dokumentet që kemi flasin se KQZ-ja i bën këto tendera në ditët e fundit, me justifikimin se “s’kishim kohë dhe prandaj bëmë këto procedura”. Por, a nuk ishte e mjaftueshme koha për të bërë tender menjëherë pas dekretimit të datës së zgjedhjeve të pjesshme lokale nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta? Dhe, për më tepër, fituesi shpallet 5 ditë para zgjedhjeve, duke “detyruar” KQZ-në të veprojë me shpejtësi. Por, nëse do të kishin firma të tjera në garë dhe do të ankimonin këtë tender, si do vepronte KQZ-ja apo drejtuesit e saj?! Natyrisht, ata e dinin shumë mirë që vetëm një kompani i “përmbushte” kushtet e tenderit, apo kishte pajisje të tilla që kërkohen. Dhe, nuk mund të ishte kompania që kishte fituar para 1 viti supertenderin prej 20 milionë euro. Sipas dokumenteve që disponojmë, KQZ-ja ka shpallur në datën 26 shkurt 2022, por vetëm në datë 1 mars 2022 e shpalli publikisht fituesin, fituesin e tenderit me objekt “shërbime dhe suport IT për PEI, identifikimi elektronik i zgjedhësve”. “Me anë të kësaj ju informojmë se ofertuesit e mëposhtëm kanë marrë pjesë në këtë procedurë me këto vlera përkatëse të ofruara: Smartmatic Albania me vlerë 29.057.760 lekë pa TVSH”,- thuhet në dokumentet e tenderit, duke konfirmuar se në “garë” ka marrë pjesë vetëm kjo kompani që edhe u shpall fituese.

Faksimile: Në vitin 2021, “SmartMatic” fitoi nga KQZ-ja 20 milionë euro pa garë

Sipas dokumenteve që disponojmë, kjo firmë ka fituar dy tendera në vitin 2021 nga KQZ-ja, me vlerë të përgjithshme plot 20 milionë USD. Ajo ka siguruar kontratat për votimin dhe numërimin elektronik në zgjedhjet e 25 prillit 2021. Në dokumentet në APP, kjo firma është konsideruar si oferta më e leverdishme. Dokumenti është i janarit 2021, kur kompania SmartMatic arriti të fitojë si kompania e vetme në garë, me tender pa shpallje dhe me negocim të drejtpërdrejtë me KQZ-në edhe projektin për identifikimin e zgjedhësve, për të cilin kërkoi rreth 20 milionë USD. Por, pavarësisht kësaj shume, në zgjedhjet parlamentare, pati probleme të shumta, pasi të dhënat nuk shkonin në kohë reale në KQZ. Qindra pajisje të kësaj kompanie nuk punuan në qendrat e votimit, duke sjellë amulli në KQZ. Por, për këtë “punë”, kësaj firme i është dhënë edhe një “bakshish” prej 300 mijë dollarë! Në vitin 2021, sipas njoftimit të mësipërm, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka lajmëruar se ka lidhur procedurën prokuruese për identifikimin elektronik të zgjedhësve. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në datën 14 janar 2021, përfundoi fazën e vlerësimit të ofertës dhe zgjidhjes teknike, të paraqitur nga operatori ekonomik ‘Smartmatic International Holding B.V’ pjesëmarrës në procedurën prokuruese me objekt ‘Sisteme/pajisje të teknologjisë së informacionit për identifikimin elektronik të votuesve dhe verifikimin e tyre pas zgjedhor’. Kompania paraqiti dokumentacionin, zgjidhjen teknike dhe ofertën ekonomike me vlerë: 19.975.774 USD pa T.V.SH”, -thuhej në atë njoftim. 

Ndërkohë, në vitin 2022, Bold hulumtoi disa tendera të KQZ-së, të dhëna pikërisht për këtë firmë. Në mars 2022, redaksia jonë raportoi se ky komision, me një tjetër tender pa garë, i ka dhënë 300 mijë USD firmës “SmartMatic” që në 2021-shin fitoi po pa garë plot 20 milionë USD për identifikimin biometrik të zgjedhësve. “Kryetari i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, e ka shpallur fituese këtë operator në një tjetër tender ‘në tavolinë’, duke ngritur dyshime të mëdha se specifikimet teknike apo dokumentet e tenderit i ‘përshtaten’ kësaj firme. Brenda një kohe të shkurtër, kjo kompani ka arritur të marrë nga KQZ-ja më shumë se 20 milionë euro dhe në të gjitha procedurat ka qenë e vetme. Pra, s’ka pasur konkurrent, në një kohë që në tregun shqiptar apo të huaj ka me dhjetëra firma të tilla. Burime nga KQZ-ja thanë se dokumentet janë bërë në mënyrë të tillë që fitues të jetë vetëm ‘SmartMatic’, e cila ka marrë çdo qindarkë të akorduar”, raportonte BoldNeës.al. Në fakt, të njëjta fjalë mund t’i përshtaten edhe sot e kësaj dite KQZ-së, e cila vijon e pashqetësuar të bëjë procedura tepër të dyshimta, me Ilirjan Celibashit ndaj të cilit bien dyshimet e arsyeshme si manipulator. Madje, me të njëjtin fitues të paracaktuar! Celibashi i bën tenderat njësoj siç drejton proceset zgjedhore, ku deri më tani, të gjitha zgjedhjet e drejtuar nga ai ndër vite janë klasifikuar si jo të lira dhe jo të ndershme.