Koronavirusi/ Tabaku: Ndihma ekonomike e qeverisë, diskriminuese dhe larg çdo standardi të rajonit

326
Sigal

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në një lidhje live me Ilva Now, e cilësoi diskrimunese dhe jashtë çdo standardi të vendeve të rajonit, paketën ekonomike të propozuar nga qeveria për të përballuar krizën e krijuar nga COVID-19.

Sipas Tabakut, në një vend me buxhet 4 mld euro si Shqipëria, të caktosh një paketë ekonomike 18 mln euro për tre muaj ku do të përfshihen kaq shumë kategori është tërësisht e pamjaftueshme.

“Kriza është më e rënda e këtyre viteve të fundit, ndërkohë që Shqipëria do të preket më shumë se kriza e 2009. Nëse në 2009 kishim një treg të mbyllur, kjo do të jetë një krizë konsumi. 18 ml euro për 3 muaj është e pamjaftueshme për të gjithë. Nga ana tjetër kriteri që po përdoren janë diskriminuese. Duke qenë se fondi është 18 mln euro për tre muaj, tatimet po skualfikojnë  një numër të madh biznesesh që po aplikojnë”, tha ajo.

Ajo tha se PD ka qenë e qartë dhe konkrete në kërkesat e saj.

“Së pari të rritet fondi. Paketa të zgjerohet për të gjithë sektorët. P.sh, agjencitë e udhëtimit nuk janë të mbyllura, por nuk kanë fare punë në këtë periudhë, taksistët janë në listën e aktiviteteve që lejohen, por nuk kanë aktivitet. Me të gjitha kategoritë, kemi 30 mijë biznese të vogla, ndërkohë që në fakt janë 120 mijë. Nuk përfshihet biznesi i madh, bujqësia, pra janë lënë jashtë skemës 90 për qind të bizneseve. Qeveria duhet ta kuptojë se zgjidhja e vetme ëshët buxheti i shtetit”, tha znj. Tabaku.

Ish-deputetja u shpreh se PD ka folur gjithmonë me shifra në propozimet e veta, ndërsa qeveria sipas saj po flet vetëm në ajër.

“Paketa 18 mln euro ështw më e turpshmja në botë në këtë situatë. Të paktën ato që i kopjojnë, t’i kopjojnë tamam. Familjet me ndihmë ekonomike kanë nevojë për ‘cash’, jo për vaj dhe sheqer. Stimulimi i shpenzimeve mund të rikthejë pak nga pak veprimtarinë në ekonomi. Është e nevojshme të fillojë të përdoren produkte shqiptare për të stimuluar prodhimin vendas”, tha ajo.