Gjeneralmajor, Prof. Dr. Bajram Begaj pret në takim kortezie komandantin e Forcës Detare Ndërkombëtare “Sentinel”

165
Sigal

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FARSH, gjeneralmajor, prof. asoc. Bajram Begaj priti në një takim kortezie, komandantin e Njësisë Ndërkombëtare të Sigurisë Detare (IMSC – International Maritime Security Construct) dhe njëkohësisht komandant i Forcës Detare Ndërkombëtare “Sentinel” në Bahrein, kundëradmiral Don Mackinnon. Në fjalën e tij në takim, gjeneralmajor Begaj vlerësoi rolin e kësaj strukture, jo vetëm për sigurinë detare në Lindjen e Mesme, por edhe për sigurinë e Evropës dhe më gjerë, veçanërisht kjo nën efektet e shkaktuara në ambientin e sigurisë nga ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë. Gjithashtu, gjeneralmajor Bajram Begaj e njohu kundëradmiralin Mackinnon me aktivitetet ndër vite të Forcës Detare të RSH në kuadër të NATO-s dhe nismave rajonale, si dhe e garantoi komandantin e “Sentinel” mbi gatishmërinë e Shtabit të Përgjithshëm të FARSH për përshpejtimin e procesit të kontributit me personel të Shqipërisë në strukturën e IMSC. Nga ana e tij, komandanti i “Sentinel” vlerësoi rolin e Shqipërisë në sigurinë detare dhe kontributet në Aleancën e NATO, duke përcjellë angazhimin e tij personal për nxitjen e procesit të nënshkrimit të marrëveshjes respektive me vendin pritës (Bahrein) për konkretizimin e kontributit me personel nga Shqipëria pranë kësaj strukture.Vizita e komandantit të “Sentinel” në Shqipëri përfshin takim pune në Komandën e Forcës Detare, ku do të njihet më nga afër me kapacitetet dhe aktivitetet e Forcës Detare.