Koronavirusi/ Presidenti Meta: Së bashku për të mbrojtur shëndetin e çdo qytetari!

418
Sigal

Në një postim të bërë në Facebook, Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me panikun e qytetarëve për përhapjen e koronavirusit.

Meta shprehet duke thënë se nuk ka arsye pse të krijojmë panik dhe se kjo situatë kërkon përgjegjshmëri maksimale, bashkëpunim të menjëhershëm, profesionalizëm, përkushtim dhe transparencë.

“Shëndeti i çdo qytetari dhe jeta e tij është prioriteti i të gjithëve sot”,- është shprehur Meta.

Postimi i plotë i Presidentit Meta:

SË BASHKU PËR TË MBROJTUR SHËNDETIN E ÇDO QYTETARI! 🇦🇱

Të dashur qytetarë,

Sot u konfirmuan zyrtarisht dy raste, të cilat janë të parat dhe do dëshironim shumë të ishin dhe të vetmet, të të prekurve nga coronavirus.

Duke u uruar shërim sa më të shpejtë të dy qytetarëve tanë, shpreh të gjithë solidaritetin tim me ta, me familjarët e tyre dhe me të gjithë ekipin mjekësor, që është duke u shërbyer me profesionalizëm dhe përkushtim maksimal.

Vlerësoj angazhimin dhe masat e marra deri tani nga institucionet përgjegjëse shtetërore kundër përhapjes së kësaj pandemie, përfshirë dhe vendimet e qeverisë sot.

I ftoj të gjithë qytetarët të përballojnë me përgjegjshmëri maksimale, qetësi dhe solidaritet këtë situatë.

Të respektojnë me përpikmëri dhe rigorozitet protokollet shëndetësore dhe këshillat e stafeve të specializuara mjekësore, si dhe të ndjekin dhe të zbatojnë në çdo moment vetëm sugjerimet e institucioneve shtetërore.

Nuk ka vend për panik!

Por në radhë të parë nuk ka vend kurrsesi për nënvleftësimin më të vogël nga të gjitha institucionet, dhe në mënyrë të veçantë nga çdo qytetar i këtij vendi.

Në këtë situatë kërkohet përgjegjshmëri maksimale, bashkëpunim i menjëhershëm, profesionalizëm, përkushtim dhe transparencë.

Shëndeti i çdo qytetari dhe jeta e tij është prioriteti i të gjithëve sot!

Për këtë arsye:

Mbështes fuqimisht të gjithë personelin shëndetësor, që është vendosur përpara një sfide madhore, mjekët dhe infermierët tanë në mbarë vendin, të cilëve do t’u duhet, përveç probleme të tjera të mëdha, të përballen me këtë rrezik serioz dhe madhor.

Apeloj domosdoshmërinë e angazhimit dhe bashkërendimit të të gjitha strukturave shtetërore me forca të kualifikuara njerëzore dhe shkencore, veçanërisht atyre me eksperiencë në fushën e epidemiologjisë të higjienës, qofshin ata edhe jashtë shërbimit aktiv.

U bëj thirrje të gjitha institucioneve qendrore e vendore të marrin masat për sigurimin e jetës së çdo qytetari, për sigurimin në radhë të parë të mjeteve mbrojtëse të domosdoshme, veçanërisht për mjekët e infermierët, nisjen e trajnimeve të personelit që do të angazhohet për përballimin e kësaj situate, për caktimin jo vetëm të karantinave dhe perimetrit të tyre të sigurisë dhe dezinfektimin e ambienteve publike, por dhe të pajisjeve dhe gjithçkaje të domosdoshme që duhet për trajtimin e të prekurve.

Si President i Republikës, po e ndjek situatën hap pas hapi dhe së bashku me institucionet e tjera shtetërore, do të bëjmë çdo gjë për të aktivizuar të gjitha mundësitë, kapacitetet dhe fuqitë tona për të qenë në këto momente pranë çdo qytetari, për tejkalimin me pasoja sa më të lehta të kësaj situate, duke bërë çdo gjë për mos lejimin e përshkallëzimit të saj!

Në vlerësim të situatës,

APELOJ:

📌- Për plane të detajuara për pandeminë, me përgjegjësi të ndara për çdo strukturë e individ, në nivel qendror dhe vendor;
📌- Plan Monitorimi shumë rigoroz dhe të detajuar për funksionim real dhe përgjegjësi të plot në terren të strukturave;
📌- Financim të plotë për përmbushjen e nevojave dhe blerjen e të gjitha materialeve mjekësore mbrojtëse për personelin shëndetësor, por jo vetëm atë, edhe të forcave të sigurisë apo të gjithë personelit tjetër që do të angazhohet në këtë operacion, që të përballojmë me sukses këtë pandemi;
📌- Plan veprimi të qartë për strukturat shëndetësore dhe kapacitetet e tyre përballë rrezikut eventual të përshkallëzimit të pandemisë;
📌- Plan të detajuar ekonomik për veprimet financiare mbështetëse, që qeveria duhet të ndërmarrë menjëherë për përballimin e pasojave të pandemisë në ekonomi.

Sot familja dhe e gjithë shoqëria shqiptare janë së bashku për të përballuar një emergjencë shëndetësore shumë serioze dhe vetëm shpalosja e një solidariteti mbarëkombëtar duhet të jetë siguria dhe fuqia më e madhe përballë pandemisë.

Maturia dhe mësimet e nxjerra nga vendet të tjera edhe më të zhvilluara, që janë prekur më shumë, si Italia fqinje, janë instrumentet më të sigurta për të përballuar me qetësi dhe vendosmëri në mënyrën e duhur këtë situatë kaq të ngarkuar.

Çdo qytetar duhet të jetë i ndërgjegjshëm se nënvleftësimi më i vogël, jo vetëm rrezikon shëndetin e tij dhe jetën e tij, por edhe të fëmijëve të tij, të prindërve të tij, të gjyshërve të tij, të fqinjëve të tij, të miqve të tij. Prandaj të gjithë në këto momente duhet të tregojmë përgjegjshmëri maksimale dhe bashkëpunim maksimal.

Jam i bindur se vetëm në këtë mënyrë do t’ia dalim, që kësaj situate të vështirë me të cilën po ndeshemi, të arrijmë të mos e lejojmë të përshkallëzohet dhe të rrezikojë shëndetin dhe jetën e qytetarëve tanë.

Shpresoj dhe besoj në përgjegjshmërinë e të gjithëve, të çdo përfaqësuesi të institucioneve tona të shëndetit dhe të gjithë institucioneve të tjera të angazhuara në këtë plan, por edhe të çdo qytetari në Republikën e Shqipërisë.

📌 Pyetje: Zoti President, a mendoni se ka vend për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare?

📌 PRESIDENTI META: Nuk është koha për të zhvilluar mbledhje mbi mbledhje. Unë që në datë 31 janar 2020 kam kërkuar publikisht marrjen e masave ende pa u shfaqur rastet në Itali dhe më pas menjëherë u kam kërkuar në mënyrë zyrtare të gjitha institucioneve të parapërgatiten për këtë situatë në vijimësi.
Edhe dje kam bërë një kërkesë edhe më të fortë për përshkallëzimin e masave pas zhvillimeve dramatike në Italinë fqinje. Qeveria sot ka marrë një seri masash në këtë drejtim.

Ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me institucionet shtetërore dhe të qeverisë për të bërë çdo gjë, jo vetëm për të hetuar këto dy raste, pasi është shumë e rëndësishme të kuptojmë që nënvlerësimi më i vogël i një qytetari mund të sjellë një rrezik të madh, pasi i gjithë rrjeti potencialisht i kontaktuar mund të kthehet në një bartës dhe një shpërndarës pa dashje të këtij virusi, gjë që mund të nxjerrë situatën jashtë kontrollit.

Besoj se veprimet po bëhen me përgjegjësi të plotë dhe ne jemi në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm me të gjithë.

Që nga dita e sotme edhe në Presidencë kemi një Task-Force që drejtohet nga Këshilltari për Sigurinë Kombëtare dhe do të ketë edhe një adresë për të gjithë personat, të cilët kanë shqetësime, shohin nënvlerësime në terren nga persona të caktuar apo që nuk marrin trajtimin e duhur, si edhe nuk u kushtohet vëmendja e duhur.

Kështu që besoj se me një përgjegjshmëri maksimale ne do të arrijmë të kemi situatën nën kontroll. Sot kam folur edhe dy ambasadoret tona, edhe në Romë, edhe në Greqi, sepse Italia është jashtëzakonisht e prekur nga ky virus dhe me potencial mjaft të rrezikshëm edhe për të depërtuar edhe në vendin tonë.
Besoj se ne të gjithë do të bëjmë më të mirën.

Ftoj çdo qytetar që të tregojë përgjegjshmërinë maksimale, për shëndetin e tij, të familjes së tij dhe të gjithë shoqërisë sonë. Dhe në veçanti masat mbrojtëse për pajisjet e domosdoshme për personelin shëndetësor për mjekët, për infermierët janë prioritet mbi prioritete, ashtu sikurse edhe për të gjithë personelin tjetër të fushës së sigurisë, që do të angazhohet në gjithë procesin.

Janë disa gjëra që kërkojnë fonde dhe fondet duhen gjetur patjetër, sepse në qoftë se do të neglizhohet në disa fonde në fillim, atëherë do të investohet shumë më tepër në të ardhmen dhe situata mund të dalë dhe jashtë kontrollit. Por ka dy gjëra, që nuk kërkojnë fonde, kërkojnë vetëm përgjegjshmëri, qytetari dhe patriotizëm.

Këto janë bashkëpunimi i secilit qytetar dhe kujdesi që çdo qytetar bën për shëndetin e tij, të familjes së tij dhe për të gjithë. Dhe e dyta është edhe vullnetarizmi. Mendoj që ky është edhe një moment vullnetarizmi. Të gjithë ata intelektualë, të gjithë ata profesorë, të gjithë studentët e Fakultetit të Mjekësisë mund të jenë me mjaft kontribut në këtë moment. Sikundër janë edhe Vullnetarët e Kryqit të Kuq, të cilët kanë njohuri dhe eksperiencë.

Pra janë të gjithë këto potenciale që mund të vendosen në mënyrë të organizuar në ndihmë të të gjithë ekipit që po merret me këtë çështje, sepse kuptohet mjekët dhe infermierët kanë edhe ngarkesën e përditshme, e cila nuk është e pakët.

📌 Pyetje: Zoti President, a keni kërkuar nëpërmjet stafit tuaj informacion nga ana e qeverisë për masat që ka marrë, qoftë për kurimin e këtyre rasteve të konfirmuara deri tani apo në rastin e një shpërthimi të mëtejshëm të epidemisë, qoftë edhe vendet e karantinimit? A janë të mjaftueshme këto masa.

📌 PRESIDENTI META: Ne jemi në çdo moment në kontakte që nga fillimi i shkurtit me përfaqësuesit e qeverisë për të këtë çështje dhe nga dita e sotme e në vazhdimësi. Do t’i ndjekim të gjitha shqetësimet që ngrihen, do monitorojmë me vëmendje opinionin e çdo eksperti që shfaqet në publik.

Apelojmë që drejtuesit e shëndetësisë të tërheqin edhe mendimin e të gjithë ekspertëve të cilët mund të bëjnë edhe një oponencë, apo të cilët nuk kanë informacionin e duhur për masat që ndërkohë janë marrë dhe po merren.

Besojmë që transparenca është e domosdoshme për ta qetësuar situatën, por njëkohësisht për të fokusuar te qytetari mesazhin se si ai mund të mbrohet më mirë në këto momente.

Ju falënderoj shumë dhe do të jemi në kontakt të vazhdueshëm!