Kontrata e inceneratorëve me vlera 480 mln euro mbajnë peng qeverinë

Arbitrazhet vazhdojnë të groposin financat shqiptare. Edhe pse shteti u delë në mbrojtje koncesionarëve të Inceneratorëve, me justifikimin se do na padisin në gjykata, askush nuk flet se kush i hartoi, supervizoi dhe firmosi pagesat për kontratat e paplotësuara. Ministria e Financave pagoi 80 mln euro për të monitoruar vjedhjet e PPP, Elbasani nuk prodhon energji dhe si u shkel nga SPAK neni 149 i KPP për “Tigrin” e qeverisë

Qeveria peng e kontratave të firmosura për koncensione me vlera marramendëse

Sigal

Në seancën maratonë të fundvitit, Kryemisitri Rama do të deklaronte se pagesat për inceneratorët vijojnë pasi i fikësohet një tjetër arbitrazhi. Kryeministri Edi Rama ka dalë në mbrojtje të hapur të aferës së inceneratorëve, pasi u vendos në qendër të akuzave të deputetëve të Partisë Demokratike. Rama tha nga foltorja se paratë që shkojnë për llogari të kompanive konçesionare të Klodian Zotos dhe Mirel Mërtirit janë të nevojshme pasi me to kryhet pastrimi i qyteteve Elbasan, Fier dhe Tiranë. “Ka vendime gjyqi dhe prokurorie, e impanti i Elbasanit është sot pronë publike. Pra ato 750 mln e 21 dhjetorit janë një fantazi. Nuk kanë fluturuar dhe janë aty. Impianti i Fierit do i kalojë publikut, Tirana paguan shërbimin”, -tha Rama. Shefi i qeverisë e justifikoi vjedhjen e miliona eurove para publike nëpërmjet pagesave për koncesionarin edhe në kohën kur Zoto e Mërtiri janë shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme, duke thënë se “kushton mbajtja pastër e Tiranë”. Për ta mbrojtur tezën e tij ai madje tha se një nga gjërat që i kanë thënë “të gjithë ata që erdhën për Samitin, mes tyre Giorgia Meloni, është se Tirana është befasisht e pastër”. “Doni të ndalojmë pagesat për tre ditë e të shohim çfarë ndodh me Tiranën. Nëse operacioni ndalon do të vijmë në situatën me të cilën ishim në Durrës. Nuk besoj që ka ndonjë, qoftë edhe ballist, që do ta bëjë këtë gjë. Nuk paguhet ai në kërkim, por shërbimi”, u shpreh kryeministri. Por, në momentin kur deputeti demokrat Oerd Bylykbashi i kujtoi se opozita i ka kërkuar SPAK-ut që të ndjekë paratë në këtë aferë pasi të çojnë te Rama, por drejtësia s’ka këllqe të veprojë kundrejt tij, kryeministri u përgjigj duke kujtuar gjyqet e arbitrazhit. “Eshtë e vështirë për çdo shqiptar që të mos e kuptojë se çfarë po ndodh me inceneratorët. Këtu nuk ka nevojë se është shumë e trashë. Ne na duhet që t’i provojmë kryeministrit prova. SPAK nuk ka këllqe të të hetojë, i themi ndiq paranë. Borselino dhe Falconi e shpikën për mafian, por ne mafian e kemi në qeveri”, -tha Bylykbashi. Ndërkohë, Rama iu përgjigj duke thënë: “Kërkim pa kërkim nuk është puna jonë, por e drejtësisë, se nesër me letra ata që t’i thua të çojnë në arbitrazh dhe të marrin qimet e kokës. Është shërbimi për këtë qytet, që është i pastër. Nuk është fjalë e ulët të ngresh dilemën për idiotin, por fjalë më të ulët se t’i thuash tjetrit ti je hajdut nuk ka”. Opozita e akuzoi Kryeministrin Rama në seancë se pagesat vijojnë edhe pse tashmë bosët e inceneratorëve janë shpallur të pandehur për veprën ‘mashtrim me vlera të mëdha monetare’, ndërsa njerëz të afërt të Partisë Socialiste dhe Kryeministrit Rama si ish- ministri Lefter Koka dhe ish- deputeti Alqi Bllako janë në pranga për shkak të kësaj afere me inceneratorët, e cila përllogaritet deri në vlerën e qindra milionë euro. Por ajo që vijon të ndodhë në vend është se Qeveria fsheh vlerën e vërtetë të arbitrazheve.

 Arbitrazhet ‘groposin’ financat e shqiptarëve

Arbitrazhet ndërkombëtare vazhdojnë të “groposin” financat shqiptare, për shkak të arrogancës dhe korrupsionit ministror. Faturat nga gjyqet e humbura po gërryejnë financat shqiptare dhe paguhen shuma të majme për zyrat e avokatisë në gjyqet ndërkombëtare. Qeveria asnjëherë nuk ka bërë transparencë të plotë numrin e çështjeve të arbitrazhit ashtu siç nuk ka bërë transparente dhe çështjet e humbura. Ne po iu paraqesim më poshtë detyrimet sipas qeverisë, por dhe detyrimet, të cilat qeveria preferon të mos i marrë në konsideratë, por kjo nuk do të lehtësojë barrën për taksapaguesit. Sipas të dhënave të paraqitura në relacionin e projektbuxhetit 2023, vlera e detyrimeve faktike të pranuara ka arritur në 65.2 milionë euro, ndërsa vlera e llogaritur si kontigjencë për humbje të mundshme ka prekur vlerën e 111.1 milionë eurove. Pra detyrimet faktike dhe kontigjente të shtetit shqiptar për çështjet e arbitrazhit kanë arritur vlerën e 176 milionë eurove. Ndër detyrimet faktike për çështje të humbura në Gjykatën e Arbitrazhit, më i rëndësishmi është ai ndaj firmës greke JV Copri – Aktor, për prishjen e kontratës së ndërtimit të rrugës Tiranë Elbasan. Detyrimi i deklaruar nga Ministria e Financave është rreth 43 milionë euro, duke përfshirë edhe shpenzimet ligjore të çështjes në arbitrazh. Në fakt, kostot ligjore dhe administrative për përfaqësimin në Gjykatën e Arbitrazhit zënë një pjesë të konsiderueshme në shpenzimet totale të arbitrazhit. Vlera totale e këtyre shpenzimeve arrin në 8.8 milionë euro ose 13.5% të vlerës së përgjithshme të detyrimeve faktike. Këto shpenzime lidhen me koston e kontraktimit të firmave ligjore për përfaqësimin në Gykatën e Arbitrazhit, por edhe me shpenzime të tjera administrative të lidhura me tarifat dhe kosto të tjera të ndjekjes së arbitrazhit. Çështja tjetër për të cilën qeveria ka pranuar një detyrim faktik është ajo kundrejt GBC Oil Company, në vlerën e 13.4 milionë eurove. Ndërkohë, vlera e detyrimeve kontigjente apo të lidhura me humbje të mundshme në arbitrazh është llogaritur nga qeveria shqiptare për një vlerë prej 111 milionë eurosh. Në pjesën dërrmuese, 109 milionë euro (108 milionë euro detyrim dhe pak më shumë se 1 milionë euro kontigjencë për shpenzime ligjore), kjo kontigjencë lidhet me çështjen e humbur në shkallët e deritanishme të gjykimit me biznesmenin italian Francesco Beçhetti. Qeveria ka pranuar se në 2 prill 2021, një trupë e posaçme e Gjykatës së Arbitrazhit ka refuzuar kërkesën e Shqipërisë për të anulluar vendimin në favor të kompanive italiane, Hydro S.r.l. and Costruzioni S.r.l., dhe katër shtetasve italianë Francesco Beçhetti, Mauro De Renzis, Stefania Grigolon dhe Liliana Condomitti. Sipas qeverisë, shuma që duhet t’iu paguhet subjekteve të mësipërme është 99 milionë e 487 mijë euro, plus interesat. Në prospektin e Eurobondit të fundit, thuhet gjithashtu se përfituesit kanë nisur procedurat për njohjen dhe ekzekutimin e detyrimit në Shqipëri, Austri, Belgjikë, Angli, Itali dhe Hollandë. Madje, qeveria shqiptare ka pranuar se Beçhetti dhe përfituesit e tjerë kanë arritur të mbledhin një pjesë të shumës së fituar në disa shtete, duke përfshirë Anglinë, Francën dhe Italinë. Çështja e Shqipërisë kundër biznesmenit italian Francesco Beçhetti e ka zanafillën në vitin 2015, me mbylljen e televizionit Agon Channel dhe hapjen e procedimit penal ndaj tij me akuzat e evazionit fiskal dhe pastrimit të parave. Beçhetti kundërshtoi akuzat dhe u shpreh se e gjithë çështja ndaj tij ishte e motivuar politikisht, për shkak të linjës editoriale të ndjekur nga Agon Channel ndaj qeverisë shqiptare. Ai hapi çështje kundër Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar, duke fituar në të dy shkallët e gjykimit. Sipas deklaratave të tij në prill të vitit të kaluar, shuma totale që Shqipëria duhet t’i paguajë arrin në rreth 150 milionë euro. Për çështjet e tjera, që ndodhen në arbitrazh, kontigjenca e llogaritur nga qeveria shqiptare parashikohet në vlera të papërfillshme. Megjithatë, shumat e kërkuara nga kompanitë që kanë çuar shtetin shqiptar në Gjykatën e Arbitrazhit janë të mëdha dhe përfaqësojnë risqe të konsiderueshme për buxhetin. Për shembull, kompania Arka Energy, që fitoi garën për ndërtimin e kompleksit fotovoltaik në Akërni të Fierit ka kërkuar 110 milionë euro dëmshpërblim për prishje të kontratës. Gjithashtu, kompania Durrës Kurum Shipping Company ka hapur një çështje kundër qeverisë shqiptare, ku kërkon dëmshpërblim në vlerën e 100 milionë eurove për prishjen e koncesionit të terminalit të kontenierëve në Durrës. 11 çështje pronash kushtojnë 21.7 milionë euro Vendimet e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut në Strasburg (GJEDNJ) kryesisht çështje dhe vendime që lidhen me kthimin dhe kompensimin e pronave tek ish-pronarët. Deri më tani, 11 vendime të Gjykatës së të Drejtave të Njeriut kanë një faturë 21.7 milionë euro. OSHEE paditet 8 mln. euro, gjobë për t’u paguar në arbitrazh, e cila u bë e ditur nga deputetja Jorida Tabaku gjatë një Komisioni të Ekonomisë. Sipas OPEN DATA deri në qershor 2020 dëmet në arbitrazh arrijnë rreth  446 mln. Euro.

 ‘Rilindja’ nuk ndalet në tendera sekretë dhe shkelje të ligjit

Një tjetër koncension për shkak të kontratave të fshehta, mungesës së transparencës së tenderimit dhe kompanive guackë që shfaqen në dokumente është edhe ai i Portit të Durrësit. Pika kryesore hyrëse në Shqipëri, është në rrezik të një tenderimi të fshehtë ku sërish flasim për shifrën marramendëse prej 2 miliardë dollarë, ndërsa ekspertët kanë ngritur alarmin për mënyrën se si favorizohet ky koncensionar, ndërsa faturën dhe pasojat do rëndojnë mbi kurrizin e qytetarëve shqiptarë. Një zonë të lirë nga taksat për ndërtimin e premtuar nga një kompani, e cila është shfaqur problematike në 2 projekte të saj në rajon, pikërisht në Malin e Zi dhe në Beograd, në të dy rastet shtetet kanë shkëputur marrëdhëniet për shkak të kritikave për mungesën e transparencës në veprime. Një tjetër arsye pse Shqipëria përfundon në arbitrazhe është edhe ajo e shkeljes së ligjeve në vend, dhe qytetarët shqiptarë kërkojnë drejtësi në gjykatat ndërkombëtare. Shkarkimet nga puna apo edhe vendime të padrejta në seancat e Vetting-ut janë ato që i shtohen arbitrazheve që edhe nëse nuk janë në vlera marramendëse si të koncensioneve miliarda euro, ndikojnë në rritjen e borxheve dhe mbytjen e ekonomisë shqiptare.

Hetimet për Ahmetajn/ Juristët: U shkel neni 149 i Kodit të Procedurës Penale për administrimin e provave nga SPAK

Prokuroria e Posaçme ka vepruar në kundërshtim me nenin 149 të Kodit të Procedurës Penale duke mos administruar të gjitha provat që ndodheshin në dosjen e inceneratorëve, duke lënë jashtë përgjegjësisë penale ish ministrin e Financave. “Duke iu referuar nenit 149 të kodit të procedurës penale Spak duhet të inicionte kryesisht një hetim aq më tepër që për rastin konkret ndaj zotit Ahmetaj ka dhe kallëzime. Spak është i detyruar të administrojë provat. Është e provuar që ky shtetas ka marrë përfitime nga inceneratorët”, -tha avokati Ermal Hamataj.

Më 20 dhjetor SPAK mbylli hetimet për dosjen e inceneratorëve duke çuar në Gjykatën e Posaçme si të pandehur 21 persona mes tyre ish ministrin Lefter Koka dhe ish Sekretarin e përgjithshëm Alqi Bllako, ndërsa ish ministri mbeti jashtë.

Por për avokatin Hamataj kjo nuk do të thotë se nuk mund të çelet një hetim i ri.

“Mbyllja e hetimeve nuk do të thotë që nuk mund të fillojë një  procedim i ri ndaj zotit Ahmetaj.  Provat janë mëse të mjaftueshme. SPAK duhet të nisë hetimet dhe të tregojë që e ka seriozisht”, tha avokati Hamataj.