Komisioni Antikorrupsion gropë septike, ku opozita nuk pranon tw bëhet pis, dhe të zhytet deri në fyt. Flasin Bledar Dervishaj dhe Besart Logu

172
Sigal

Komisioni Antikorrupsion gropë septike ku opozita jo vetëm bëhet pis, por zhytet deri në fyt

I njohur ndryshe edhe si komisioni “antikorrupsion”, është votuar nga mazhoranca dhe i kundërshtuar nga opozita, flasin juristi Bledar Dervishaj dhe Besart Logu

 

Kemi një tendencë për të shkuar drejt përmbysjes së organizimit të shtetit, mund të kemi një Parlament me dy dhoma, me më pak deputetë ose një bashkëqeverisje”.

Do të ishte vetëvrasje politike për PD që të bëhej pjesë e komisionit antikorrupsion të PS. Ajo ka 11 vite që e ka denoncuar korrupsionin e kësaj mazhorance me emra konkret”.

Hajduti që bërtet “kapeni hajdutin” është një estradë bajate që duhet denoncuar si tentativa e PS për t’i ikur përgjegjësisë së skandaleve të njëpasnjëshme në 11 vite qeverisje”.

Shumica parlamentare votoi të enjten me 74 vota pro ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar, i cili ndër funksionet e tij do ketë edhe thirrjen në seanca dëgjimore të institucioneve të drejtësisë. I njohur ndryshe edhe si komisioni “antikorrupsion”, ai është rezultat i një rezolute të propozuar nga mazhoranca e drejtuar nga kryeministri Edi Rama dhe i kundërshtuar deri më tani nga opozita. “Komisioni i Posaçëm në zbatim të rezolutës së Kuvendit “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” ka për qëllim kryesor të tij të drejtojë e koordinojë një proces të thelluar reformimi”, -thuhet në vendimin e votuar në parlament. Komisioni do të ketë anëtarë kryetarin dhe nënkryetarin e 4 komisioneve të përhershme parlamentare dhe kryetarin e nënkryetarin e Këshillit Kombëtar të Integrimit. Kryetari i këtij komisioni nuk u caktua në seancë, por ai do i përkasë shumicës parlamentare, e cila do të ketë edhe shumicën në këtë komision. Bazuar në formatin e bërë publik nga Kuvendi, anëtarë të komisionit janë Klotilda Bushka (PS), Dhurata Çupi (Tyli) PD, Jorida Tabaku, (PD), Etilda Gjonaj, (PS), Flutura Açka (PD), Evis Kushi (PS), Eduard Shalsi, (PS), Sorina Koti, (PD) dhe Toni Gogu, (PS). Një anëtar i 10 nga opozita do duhet të caktohet, pasi Jorida Tabaku është kryetare edhe e Komisionit për Çështjet Europiane edhe e Këshillit Kombëtar të Integrimit. Pavarësisht se pretendon se ka për qëllim konsensusin, Komisioni do të jetë nën kontrollin e shumicës, e cila ka kryetarin dhe shumicën e anëtarëve në të. Grupimet e opozitës nuk morën pjesë në votim, ndërsa më herët kanë shprehur kundërshti dhe dyshime mbi qëllimet e shumicës. Në seancën kur u votua rezoluta që i hapi rrugë ngritjes së komisionit, kryetar i PD-së zyrtare, Lulzim Basha, që kontrollon një grup më të vogël deputetësh në Kuvend,- tha se nisma ishte një “akt elektoral” dhe “komplot i pisët kundër SPAK”. Kreu i grupit parlamentar më të madh të opozitës, Gazment Bardhi e cilësoi atë të panevojshme. Opozita deri tani nuk është shprehur nëse do të marrë apo jo pjesë në komisionin e posaçëm. Përpos përpilimeve propagandistike aty nuk gjendet asnjë indicia, që mund të përligjë frikërat që u rreshtuan më sipër. Përveç kësaj ka dhe arsye të tjera që nuk e përligjin ankthin për qëllimet e këqia të këtij komisioni. Së pari është mungesa e kohës. Sapo të ngrihet ai do duhet të ndërpritet për shkak të mbi 40 ditëve pushime verore të deputetëve. Më pas vendi futet në periudhë zgjedhore  (pranverë 2025) dhe sipas ligjit në gjashtë muajt e fundit komisioni nuk mund të prodhojë gjë. Së dyti edhe nëse puna bëhet në kohë rekord, kjo mazhorancë parlamentare nuk i ka numrat këtë mandat për të bërë ndryshime që kërkojnë një shumicë të cilësuar. Pra edhe nëse komisioni Xhafa do të prodhojë propozime, vështirë se ato mund të kthehen në ligje. Më këtë mënyrë mund të thuhet se rreziku ndaj idesë të hedhur nga Rama dhe që pritet ta realizojë Xhafa; është iracional. Ai më shumë ka qëllime propagandistike për të krijuar përshtypjen se kjo mazhorancë e zhytyr në vjedhje, po reket ta luftojë korrupsionin. Ose një version i dytë është më afatgjatë. duke ditur se gjatë këtij mandati parlamentar Rama nuk bën dot ndryshime për shkak të numrave, ai sikurse mburret shpesh se është disa lëvizje para kundërshtarëve, po mendon pas fitores të 2025. Ai po përgatit terrenin për ndryshime kushteuese dhe në ligjet e reformës në drejtësi, duke synuar se në kuvendin e ardhshëm do të ketë aq vota sa të sigurojë ndryshimin e ligjeve që kërkojnë ⅔.

Bledar Dervishaj: Në 2030 mund të mos kemi një Republikë Parlamentare, por gjysëm Presidenciale

Konstitucionalisti Bledar Dervishaj, duke komentuar rezolutën Antikorrupsion dhe Komisionin e Posaçëm, që tashmë është miratuar nga Kuvendi, tha se Shqipëria është Republikë Parlamentare dhe organi suprem është Kuvendi i Shqipërisë. Në këtë kuadër, ai theksoi se “është krejtësisht legjitim ngritja e një Komisioni Parlamentar”. Dervishaj tha se “debati politik është se përmes këtij Komisioni do të vihet nën kontroll politik, por kjo varet nga sinqeriteti i forcës politike që e ka propozuar”. “Opozita do të duhet të luajë të palëkundur qëndrimin e saj ndaj mazhorancës, por interesi i saj duhet të jetë të mbrojë interesat e qytetarëve. Opozita duhej t’i përgjigjej mazhorancës me një tjetër rezolutë, ti përgjigjej me debat, me diskutime, pra të gjente një mënyrë. Problemi sot është mosfunksionimi i sistemit të drejtësisë, kemi një sistem të kolapsuar. Ne bllokuam vendimmarrjet e Kushtetueses, Gjykatës së Lartë dhe Administrative dhe të tjera këto lidhen me vendimet, aktet apo ligjet e Qeverisë”, -tha Dervishaj. Ai tha se kjo shumicë parlamentare nuk mund të luftojë korrupsionin përsa kohë shumica e saj janë nën hetim penal. Dervishaj u shpreh se ky Komision i Posaçëm është i ngjashëm me atë Komisionin ad-hoc të Reformës në Drejtësi. Në këtë kuadër, ai tha se ky komision i ngjan si një ‘Xhafa2’, referuar faktit se Komisionin për Reformën në Drejtësi e udhëhoqi Fatmir Xhafaj. “Kemi një tendencë për të shkuar drejt përmbysjes së organizimit të shtetit. Në 2030 mund të mos kemi një Republikë Parlamentare, por gjysëm Presidenciale, mund të kemi një Parlament me dy dhoma, me më pak deputetë, mund të kemi një bashkëqeverisje, një model si ai i aplikuar nga Angela Merkel, mund të kemi një President të zgjedhur nga populli”, -tha Dervishaj.

Besard Logu: Nëse PD futet në komision, do të ishte kapitullim politik

Avokati Besard Logu në një reagim për rezolutën e miratuar nga Partia Socialiste dhe i abstenuar nga shumica e opozitës. Logu shkruan se Partia Demokratike ka mbajtur qëndrim dinjitoz duke e refuzuar këtë propagandë elektorale. Avokati pohon se hajduti që bërtet “kapeni hajdutin” është një estradë bajate që duhet denoncuar si tentativa e PS për t’i ikur përgjegjësisë së skandaleve të njëpasnjëshme në 11 vite qeverisje. Logu: Rezoluta antikorrupsion e paraqitur ne Parlament nga Partia Socialiste, pas votimit, do të pasohet nga një komision parlamentar i posaçëm me objekt akoma të paqartë, por që pretendohet se do të kalojë në filtra institucionet publike me qëllim rritjen e luftës kundër korrupsionit. Si gjithmonë, Partia Socialiste nuk zhgënjen! Merr përsipër të luftojë korrupsionin në fund të mandatit të tretë, pothuaj një vit para zgjedhjeve. Nisëm që as militanti më i thekur socialist nuk e merr seriozisht sepse edhe ai që ka punuar për PS që të mbajë pushtetin i është dashur të paguajë për të marrë një shërbim publik. Nga ana tjetër, Partia Demokratike ka mbajtur qëndrim dinjitoz duke e refuzuar këtë propagandë elektorale të Edi Ramës. Do të ishte vetëvrasje politike për PD që të bëhej pjesë e komisionit antikorrupsion të PS. Ajo ka 11 vite që e ka denoncuar korrupsionin e kësaj mazhorance me emra konkret, emra që sot ndodhen pas hekurave apo nën hetim nga SPAK. PD ka 11 vite që e lufton korrupsionin dhe krimin që mbolli PS në tre mandate qeverisëse nëpërmjet ligjit të dekriminalizimit, kallzimeve penale në prokurori, ankimeve në Gjykatën Kushtetuese, propozimit të vazhduar për veting në politikë dhe së fundmi me paketën për heqjen e imunitetit dhe fuqizimin e SPAK. Nëse PS ka vullnet real, propozimet e opozitës janë të depozituara në Parlament, por mbahen të mbyllura në sirtarët e Lindita Nikollës. Fundja, le ta bëjë edhe pa opozitën, ka me vete Belën e ARRSH, Lisën e doganave, Ulsiun e 184, Taulant Yaris, Delina gozhdën, Krifcën e AZHBR, Elvën e Butrintit, Oltën strategjike, Milvën e koncensioneve, Mimin e radarëve, Ndrecën e Metamorfozës, vëllain e Geronit, Damian Delavare dhe Kollçakun e Porto Romanos! Mund të marrë ekspertizën e Sajes, Tigrit, Kokës, Beqes, Bllakos, Dakos, Veliajt, Gjicit, Roshit, Tushes, Goros, Allës, Rexhës, Bushit, Bufit, Memollës, Sulit, etj. Duket qartë se PS e ka kthyer në sistem korrupsionin pasi atë e gjen në çdo zyrë të shtetit, qoftë në nivel qëndror apo lokal. Dhe si e tillë, ajo duhet të futet në zgjedhjet e 2025 si alternativa që stimuloi krimin e korrupsionin duke prodhuar vetëm varfëri dhe emigrim. Nëse PD futet në komision për të gjetur bashkë me Ramën shkakun e këtij niveli të paprecedentë korrupsioni, do të ishte kapitullim politik për të dhe si e tillë i bie të konkurojë në zgjedhje si barabartë me Ramën e jo me kartën morale e të paprekurës nga ky fenomen dhe që e ka denoncuar e luftuar për 11 vite. Rama është i zhytur deri në fyt dhe komisoni parlamentar antikorrupsion është gropa septike që do ta bëjë pis PD. Kjo nisëm duhet refuzuar në mënyrë kategorike. Hajduti që bërtet “kapeni hajdutin” është një estradë bajate që duhet denoncuar si tentativa e PS për ti ikur përgjegjësisë së skandaleve të njëpasnjëshme në 11 vite qeverisje. Përrallat me dardha dhe kumbulla le t’ia tregojnë njëri tjetrin në mbledhjet e organizatës e jo shqiptarëve. Partia Socialiste duhet ndëshkuar me votë, si e vetmja mundësi që minimalisht të frenojë korrupsionin e sektit mavi.