Komisioneri Celibashi dhe Shefja e Zyrës së KiE zhvillojnë takimin me maturantët e gjimnazit “Qemal Stafa”, votues për herë të parë

159
Sigal

Në zgjedhjet e datës 25 prill do të votojnë rreth 107 mijë të rinj dhe për të informuar të rinjtë mbi procesin zgjedhor si dhe ndërgjegjësuar ata për rëndësinë e ushtrimit të drejtës së votës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka zhvilluar një program edukimi në të gjitha shkollat e mesme publike në vend. Ky program është zbatuar nga Akademia e Studimeve Politike në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe me mbështetjen e Këshillit të Evropës, në kuadër të asistencës për zhvillimin e zgjedhjeve të lira në Shqipëri.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve z. Ilirjan Celibashi ndoqi sot nga afër ushtrimin e votimit të maturantëve të shkollës së mesme “Qemal Stafa” në Tiranë. Pjesë e eventit ishte dhe Shefja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Jutta Gützkow si dhe Drejtori i Akademisë së Studimeve Politike, z. Erjon Tase.

Komisioneri Celibashi theksoi në fjalën e tij rëndësinë e edukimit dhe ndërgjegjësimit të maturantëve që votojnë për herë të parë në këto zgjedhje. “Shpresoj që ju do t’i transmetoni këto njohuri që keni përfituar gjatë programit edhe të familjarët dhe shokët tuaj jashtë shkollës. Do t’ju ftoja edhe njëherë që të ushtroni këtë të drejtë dhe mundësi që ju është ofruar për të vendosur për të ardhmen tuaj”, u shpreh komisioneri. Ai falenderoi gjithashtu Këshillin e Evropës, Akademinë e Studimeve Politike dhe Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë për bashkëpunimin që bëri të mundur të zbatimit të programit të informimit të maturantëve që votojnë për herë të parë, edhe në situatë të pandemie.

 

Drejtuesja e zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, znj. Jutta Gutzkoë, ftoi të rinjtë që të jenë gjithmonë të angazhuar në proceset zgjedhore, por edhe qytetarë aktivë për të siguruar nivelin e duhur të demokracisë funksionale.

Drejtori i Akademisë së Studimeve Politike, zbatuese e këtij programi, z. Erjon Tase nënvizoi në përshëndetjen e tij: “Sot, po finalizojmë programin e edukimin dhe ushtrimit praktik të votimit për rreth 35 mijë maturantë në të gjitha shkollat e vendit. Jemi të kënaqur të shikojmë një informim dhe interes të rritur të të rinjve edhe në zonat më të largëta për risitë e sistemit zgjedhor dhe votën preferenciale”.

Më pas të ftuarit ndoqën nxënësit votues për herë të parë, të cilët organizuan një proces të simuluar votimi në klasën e tyre për tre kandidatë dhe morën role përkatëse si komisionerë, vëzhgues etj. Nëpërmjet këtij ushtrimi synohet praktikimi i tyre me procedurën e votimit duke evituar parregullsitë e mundshme në ditën e zgjedhjeve. 

 

Informacion mbi programin

“Ndërgjegjësimi i votuesve për herë të parë” 2021

107.024 të rinj do të fitojnë të drejtën për të votuar për herë të parë në zgjedhjet e 25 prillit. Një e drejtë mjaft e rëndësishme, për të cilën shumë prej të rinjve nuk janë të informuar. Për këtë qëllim, Akademia e Studimeve Politike në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe me mbështetjen e Këshillit të Evropës, po zbatojnë gjatë 2 muajve të fundit në shkollat e mesme të vendit programin “Ndërgjegjësimi i votuesve për herë të parë”. Ky program është ndërtuar mbi eksperiencën pozitive të fituar nga fushatat e mëparshme të zbatuara që prej vitit 2011 në vigjilje të zgjedhjeve.

Gjatë kësaj periudhe, programi ka trajnuar 385 mësues në të gjithë territorin e vendit, duke synuar që të mbulojë të gjitha shkollat e mesme publike në vend (356 shkolla). Këta mësues, kanë zhvilluar dy orë informuese mësimi mbi demokracinë, sistemet zgjedhore dhe rëndësinë e votës me rreth 35 mijë maturantë që votojnë për herë të parë.

 

Programi po finalizohet gjatë kësaj jave të fundit përpara zgjedhjeve me ushtrimin e votimit, një proces simulimi i qendrës së votimit ku maturantët marrin role përkatëse si komisioner apo vëzhgues dhe gjithashtu votojnë për 2-3 kandidatët e zgjedhur nga klasa apo shkolla e tyre. Nëpërmjet këtij ushtrimi, synohet praktimi i votuesve të rinj me procesin, por edhe informimi i tyre mbi problemet e votimit familjar apo shit-blerjes së votës, të cilat dëmtojnë standartet zgjedhore. Nxënësit nxiten gjithashtu që të transmetojnë këto mesazhe ndërgjegjësimi edhe tek familjarët e tyre.