Klosi-Gaiani: Projektet e përbashkëta, pjesë e forcimit të marrëdhënieve mes dy qeverive

461
Të rinjtë e Qarkut të Shkodrës do kenë një mundësi të mirë për t’iu përgjigjur kërkesave të tregut të punës duke u kualifikuar në kurset e formimit profesional, por edhe për t’u punësuar më pas në fushën e mekanikës dhe elektronikës. Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ambasada italiane në Tiranë kanë finalizuar marrëveshjen për zbatimin e projektit “MECAVET” (Mechanikal Vokational Education andTraining for Youth), që do të aplikohet në Qarkun e Shkodrës, i cili do ofrojë mundësi reale për kualifikim profesional. Marrëveshja është firmosur në një ceremoni të posaçme, nga ministri Blendi Klosi për palën shqiptare dhe ambasadori italian, zoti Massimo Gaiani për palën italiane. 
Projekti që mundëson kjo marrëveshje kap një vlerë prej rreth 62 milionë lekë (rreth 450 mijë euro), të financuar nga programi italo-shqiptari i Konveritmit te Borxhit (IADSA) dhe do të realizohet në partneritet me Rajonin Emilia-Romagna në Itali. Ai do të shtrihet në një periudhë kohore 2- vjeçare dhe nëpërmjet tij do mundësohet ofrimi i kurseve të formimit profesional cilësor, si dhe punësimit në sektorin e mekanikës dhe elektronikës në Shkodër. Duke folur gjatë kësaj ceremonie, ministri Blendi Klosi pasi ka falënderuar partnerët italianë për këtë marrëveshje, ka theksuar se projekti që do të zbatohet është një mundësi e mirë për palën shqiptare, për të parë sesi funksionon kjo metodologji në Itali. “Së bashku me ambasadorin kemi biseduar disa herë tashmë për të pasur mundësi që projektet e ofruara nga qeveria italiane dhe qeveria shqiptare të jenë pjesë e një strategjie të tërë të forcimit të marrëdhënieve ndërmjet dy qeverive, por edhe një mundësi e shkëlqyer që ne si vend kandidat për në BE të aplikojmë një sërë teknikash, strategjish për mënyrën sesi funksionon e gjithë kjo filozofi në shtetin italian”, – tha ministri Klosi.
Më tej ai ka theksuar se për qeverinë shqiptare zhvillimi i arsimit profesional mbetet një prioritet për të plotësuar kërkesat e tregut të punës, ndaj dhe i ka bërë thirrje biznesit italian në vendin tonë që punëtorët e tyre t’i kërkojnë në shkollat profesionale shqiptare. “Ajo që për ne vazhdon të jetë një nga prioritetet më të mëdha është edukimi profesional dhe do doja shumë që ky edukim profesional të kishte dhe një dimension të fortë edhe nga tradita italiane për realizimin e një marrëdhënieje shumë të ngushtë mes eksperiencës, realitetit shqiptar, por dhe për tregun e punës që ka filluar dhe shumë shpejtdo jetë i përbashkët”, – shtoi ministri Klosi.
Ndërsa ministri i Rajonit Emilia-Romagna, Patrizio Bianchi, i pranishëm në këtë ceremoni, ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm, duke theksuar se Rajoni Emilia-Romagna është i gatshëm të ofrojë gjithë eksperiencën e tij në kualifikimin e punës. “Në brendësi të këtij plani bashkëpunimi, qeveria italiane na ka kërkuar që të bashkëpunojmë dhe ne menjëherë kemi operuar me një staf profesionist të kualifikimit të punës. Kemi punuar shumë për këtë projekt dhe të gjithë janë bindur se ky bashkëpunim është themelor. Ne jemi gati të vëmë në dispozicion eksperiencën tonë, njerëzit tanë, institucionet tona, sepse jemi të bindur se ky është një bashkëpunim themelor për forcimin e marrëdhënieve tona një kuadër të përbashkët evropian”, -tha zoti Bianchi në fjalën e vet.
Sigal