Ditmir Bushati shigjeton Ramën: Ndarja e kufijve, neojugosllavizëm që u shit si ide pro-atlantike

487
Sigal

Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në një intervistë dhënë për “ABC News”, ka shigjetuar përkrahësit e idesë së ndryshimit të territoreve të Kosovës. Duke cituar deklaratën e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili pranoi se ideja e prekjes së kufijve ishte serbe, Bushati u shpreh se tani duhet të mendojmë se “ndonjëherë nën petkun e pro-atlanticizmit fshiheshin edhe interesa neojugosllave që na dëmtojnë”. Në vijim, pjesë nga intervista e Ditmir Bushatit në Abc News”.

***

Pyetje: Do të doja një opinion për vizitën e Presidentit Aleksandër Vuçiç , do të doja një opinion, qëndrimin e tij në lidhje me Kosovën, deklarata të ashpra nga njëra anë, por nga ata tjetër thotë është një realitet…si e shihni vizitën e tij në Tiranë nesër ?

Bushati: …Nesër në Tiranë zhvillohet Samiti i Brdo Brijuni që është një iniciativë e përbashkët e Sllovenisë dhe Kroacisë, më vjen mirë që kjo nismë po mban një takim në Tiranë sepse në një mënyrë a një tjetër e sjell Tiranën në fokus të zhvillimeve rajonale dhe në këtë kontekst nuk shoh ndonjë risi të veçantë nga prania e Presidentit të Serbisë.

Pyetje: Ndoshta është konteksti që i jep peshë..?

Bushati: Por përsa i përket qëndrimit të Vuçiçit mund të them që nuk e kam parë asnjëherë avancimin e Shqipërisë, Kosovës apo popullit shqiptar në përgjithësi në kurriz të një kombi apo një populli tjetër në rastin në fjalë të Serbisë. Mendoj që kultivimi i marrëdhënieve të mira midis Shqipërisë dhe Serbisë duhet që të vazhdojë sepse janë dy vende kyçe për stabilitetin rajonal, por nga ana tjetër Serbia nuk mund të pretendojë marrëdhënie të mira me Shqipërinë për sa kohë vazhdon agresionin diplomatik ndaj Kosovës. Në Serbi ka një realitet interesant dhe ka një ndarje detyrash ndërmjet disave që janë zëdhënës të politikave të viktimizimit me në krye Presidentin Vuçiç dhe të tjerëve që shpesh ia lejojnë vetes që të marrin trajtat e komedianëve. Gjithashtu në Serbi ka një politikë që unë e kam konsideruar si “politika e lisharësit”, pasi Serbia ja lejon vetes që të ulet në disa karrige në të njëjtën kohë. Nga njëra anë pretendon dhe kërkon që të jetë anëtare e BE dhe nga ana tjetër thotë që do të duhet që të konsultohet me Presidentin e Rusisë apo me atë të Kinës se çfarë qëndrimi do të mbaje në raport me dialogun me Kosovën. Kësaj qasje të Serbisë është rasti qe në ti përgjigjemi në mënyrë asimetrike duke vijuar linjëzimin e politikes së jashtme dhe të qëndrimeve me BE dhe duke u konsultuar me aleatët kryesorë strategjikë për çështje të rëndësishme.

Nuk bie dakord me ata që merren, analizojnë dhe kritikojnë Vuçiçin për qëndrimet e që mban. Ai është Presidenti i Serbisë, është në të drejtën e tij që të flasë dhe të mbrojë interesat e shtetit që përfaqëson dhe në disa raste duhet thënë që presidenti serb ka mbajtur qëndrime kurajoze, siç ishte edhe qëndrimi i fundit ku ai ka pranuar publikisht që plani për ndryshimin e territoreve ishte një plan i propozuar prej tij dhe na çliroi dhe ne të tjerëve besoj, që tanimë të jemi të qetë dhe të mendojmë që ndonjëherë nën petkun e pro-atlanticizmit fshiheshin edhe interesa neojugosllave që na dëmtojnë.