Klement Zguri, kryetar i KQZ/ Ne nuk kemi tagër të gjykojmë dekretin, por t’i bindemi. Denar Biba dhe kolonelët e KQZ-së më pranë Grusht-Shtetit

837
Sigal

Klement Zguri: KQZ t’i bindet dekretit të Presidentit, i cili është detyrues

 

Kreu i KQZ-së, Klement Zguri, ka braktisur mbledhjen e thirrur nga 2 anëtarët socialistë të KQZ-së, Biba e Skënderi, lidhur me dekretin e presidentit Meta për shtyrjen e datës së zgjedhjeve lokale. Zguri tha në fjalën e tij se anëtarët e KQZ-së duhet t’i bindeshin dekretit të presidentit pasi nuk ka ndodhur më parë që dekreti i një presidenti të vihet në diskutim.

Klement Zguri, kryetari i KQZ-së: “Duket si një lloj sfide, nga njëra anë kam çdekretimin e zgjedhjeve, por edhe një mbledhje me dy kolegë. Unë mendoj se KQZ, duhet t’i bindet një produkti të tillë, një dekreti. Nuk dua të gjykoj kompetencën e Presidentit të Republikës. Nuk jam Gjykatë Kushtetuese të vlerësoj është apo jo i ligjshëm dekreti i Presidentit të Republikës. Për mua është i detyrueshëm dhe duhet të respektoj dekretin e tij. Pika 2 e dekretit më urdhëron. Dekreti i Presidentit është detyrues dhe duhet ta respektojmë vullnetin e tij. Respektimi i ligjeve dhe hierarkisë duhet të prevalojë. As kjo pikë e dekretit nuk respektohet, dhe unë jam ndodhur në vështirësi. Kërkesa ime për t’ia dërguar subjekteve zgjedhore refuzohet. Për mua kjo është fare banale. Respektimi i ligjeve duhet të prevalojë. Për të mos u zgjatur, refuzoj t’i futem brendisë. Nuk është KQZ që e ka këtë detyrim. A mundemi ne të refuzojmë një vullnet të tillë?! Për mua është një sfidë që në rend dite kam dekretin e presidentit. Nuk e gjej me vend që mundem të drejtoj këtë debat. Ky nuk është një debat që duhet të bëhej në tavolinën e KQZ. Jam i detyruar të çohem.” – tha Zguri para se të largohej.

Biba merr rolin e Gjykatës Kushtetuese: Dekreti i Metës i pavlefshëm, më 30 qershor ka zgjedhje

Me largimin e Zgurit, zv.kryetari Biba i KQZ-së tha se dekreti i Metës është i pavlefshëm dhe në shkelje të Kushtetutës. Biba tha se KQZ-ja do vijojë me organizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit për t’u garantuar votuesve të marrin pjesë në të drejtën e tyre kushtetuese. “Vetëm 20 ditë para datës së zgjedhjeve Presidenti ka vendosur shfuqizimin e dekretit të zgjedhjeve në 30 qershor. Ky dekret i dytë që shfuqizon dekretin e nëntorit, është një akt administrativ absolutisht i pavlefshëm. Duke shfuqizuar sot dekretin e nëntorit, Shqipëria është pa datë zgjedhjesh. Kompetencat janë të përcaktuara me ligj, ushtrimi i tyre i detyrueshëm. Presidenti me vetëdije refuzon të zbatojë urdhërimin kushtetues. Akti administrativ, absolutisht i pavlefshëm, konsiderohet se nuk ekziston”, tha Biba.