Klajda Gjosha: LSI e pozicionuar qartesisht pro integrimit

623
Sigal

Protestat kunder arrogances qeverisese dhe varferise dhe mjerimit te qytetareve

Intervista e deputetes së LSI-së, Klajda Gjosha  për Report TV
Për disa vite keni qenë pjesë e dikasterit më të rëndësishëm për sa i përket integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Tani pritet që nga KE të çelen negociatat për anëtarësim. Jeni e kënaqur me këtë progres-raport? 
Unë i kam ndjekur shumë mediat këto ditë, kjo për të parë mënyrën se si do pasqyrohej dhe do të pritej ky progres-raporti i radhës. Me thënë të drejtën, ka qenë pak habi mënyra se si është pasqyruar sepse ky është një rikonfirmim i rekomandimit që është dhënë tashmë që në nëntor të vitit 2016. Do doja ta nisja kështu për të bërë edhe transparencë për publikun e gjerë. Fatkeqësisht në kohën kur është dhënë rekomandimi, ka pasur problematika dhe në vetë Bashkimin Evropian, ku ka pasur hapa prapa, pasi edhe vendet pjesë nuk pranuan çeljen e negociatave. Ky rikonfirmim ishte diçka që pritej. Unë madje e kam thënë shumë herë këto muaj dhe e kam pasqyruar edhe në media sepse ne radhë të parë ka të bëjë edhe më kredibilitetin e vetë Komisionit Evropian. Pra, është vetë ai që e ka dhënë dhe do vazhdojë ta japë përkundrejt vendit, sepse pavarësisht punës që bëhet nga Shqipëria, ka dorë dhe punën e saj edhe Komisioni. Periudha më kryesore në fakt do të jetë qershori, sepse aty do vendoset nëse Shqipëria do çelë negociatat apo jo. Vendet anëtare mund ta shohin me sy pozitiv raportin që do jepet pikërisht nga Komisioni, ose mund të ketë probleme, siç ka zakonisht edhe me vendet e tjera, ashtu siç ka edhe me Shqipërinë. Kështu që, vendimi mund të jetë edhe ndryshe nga ai që është marrë nga Komisioni, por qershori mbetet periudhë për t’u parë. Sigurisht, është vendimi i ministrave të Jashtëm për këtë çështje, por gjithashtu edhe një sërë çështjesh politike që ndikojnë në një vendim që do merret për Shqipërinë. Raporti është pozitiv për sa kohë flet për një rekomandim të mirë për çeljen e negociatave. Unë jam e detyruar ta lexoj më në detaje, duke e parë gjerësisht dhe duke njohur Komisionin Evropian.
Mbetemi tek qershori dhe te bindja e vendeve anëtare, por siç e dini janë 4 vende që janë skeptike dhe disi të lëkundura. I druheni votave, ku qoftë edhe një votë negative mund të ndikojë jo pozitivisht?
Ka shumë vende që edhe sot kanë shumë problematika. Po të shohim raportin, aty diskutohet gjatë për vendosjen e mekanizmave të kontrollit dhe për liberalizimin e vizave. Pra, Shqipëria duhet të jetë shumë e kujdesshme, ku duhet thënë se shumë shtete kanë ngritur zërin se në vendin tonë duhen përdorur mekanizmat e kontrollit për liberalizimin e vizave. Unë e kam thënë disa herë që kjo është çështje që lidhet me sigurinë evropiane. Shqipëria nuk mund të bëhet barrë duke mos kontrolluar qytetarët e saj. Trafikimi i drogës është një çështje e përcaktuar në raport por edhe një problematikë e ngritur prej kohësh tashmë. Është një çështje që prek sigurinë evropiane, pra për vendet që preken çdo ditë e më shumë nga trafiku i drogës nga Shqipëria. Përballen me grupet kriminale që janë të vendosura në këto vende, pra është një çështje që do jetë pjesë e diskutimit të qershorit, ku do shtrohet nga vendet anëtare që janë prekur nga ky fenomen. Ka vende të tjera që kanë probleme të tilla si trafikimi i minorenëve e shume të tjera. Pra, të gjitha këto që janë pjesë e 5 prioriteteve kyçe kërkojnë një seriozitet dhe vullnet nga qeveria. Kjo nuk është vetëm çështje lobimi, por arritjesh konkrete dhe duhet të jesh një partner i besueshëm për ta. Se sa do arrihet deri në qershor? Kjo mbetet për tu parë. Por, dua të them që Shqipëria ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në rajon, por në këto momente që flasim besueshmëria e Shqipërisë është e lëkundur. Kjo është edhe ajo që ka vendosur pikëpyetjen më të madhe për procesin e integrimit evropian dhe sidomos për çeljen e negociatave. Edhe Komisioni Evropian e ka jashtëzakonisht shumë të vështirë komunikimin me disa nga shtetet anëtare në këto momente, për t’i bindur ato për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Në diskutimet e mia dhe në shumë miq që unë i kam krijuar gjatë viteve që kam shërbyer si ministre Integrimi, një nga pyetjet që të vjen nga ta është: Ju keni kapur apo ndaluar një maune me 613 kg kokainë, në burg ndodhet shoferi, a është shoferi koka e trafikimit të drogës, a është realisht ai që duhet mbajtur përgjegjës për gjithçka ka ndodhur? Absolutisht jo. Ky është problemi. Nuk po dalin krerët e krimit. Nuk po konfiskohen asetet e krimit, që është një nga çështjet e tjera të theksuara në raport dhe që Franca këtë e ka një problematikë shumë të madhe. Këto janë pyetjet që vijnë dhe rezultatet që ne duhet të japim duhet të jenë konkrete. Dhe në raste të tjera nuk besoj se ju keni parë që të shuhet një rrjet i tërë trafikantësh bashkë me garantuesit shtetëror. Po t’i rikthehemi strategjisë së BE, të publikuar pak kohë më parë, një nga çështjet që aty theksohet ishte lidhja e politikës me krimin. Dhe besoj se do të jetë dhe sfida më e madhe që do të kemi ne të gjithë bashkë për të qëndruar lart dhe për të shkëputur njëherë e përgjithmonë krimin nga politika.
Ministri Xhafaj u shpreh shumë optimist sa i përket krimit të organizuar.
Mbështesim të gjitha operacionet që japin rezultate të prekshme dhe që shtojnë besueshmërinë e qytetarëve shqiptarë te qeveria. Pavarësisht se jemi në opozitë e kemi treguar këtë, kemi votuar vetingun në polici, kemi mbështetur në shumë e shumë çështje. Nuk jemi as radikal saç mund të paraqitet në të enjten e parlamentit. Jemi munduar të jemi konstruktiv, por nga ana tjetër kërkojmë të kemi sa më pak arrogancë nga pala tjetër, nga qeveria. Unë si ish-ministre e Integrimit, do të kërkoja pak më tepër seriozitet në leximin e progres-raportit dhe mënyrën se si shprehet mazhoranca për këtë progres-raport.
Si po e sheh qeveria këtë raport?
Unë pash sot një nga deklaratat e dhëna nga kreu i Grupit Parlamentar të PS, duke thënë që janë përmbushur të gjitha kriteret. Unë do ta nisja duke parë problematikat e raportit, do ta falënderoja KE për gjithçka kanë bërë për Shqipërinë, por nga ana tjetër do të ulesha do të bëja një analizë të thellë të problemeve. Sepse janë pikërisht atakimi i këtyre problemeve, rezultatet që do të vijnë nga atakimi i tyre, që do të mund të bindin vendet anëtare. Ndryshe me retorikë politike fatkeqësisht ne nuk shkojmë dot asgjëkund dhe nuk plotësojmë dot as aspiratën e shqiptarëve, sepse ata e kanë zgjedhur perspektivën e tyre që është BE.
Ju keni qenë bashkë jeni munduar të shihni vetëm pjesën pozitive, natyrisht kritikat duhen parë për të vazhduar punën…
Të jem e sinqertë me ju jam gëzuar vetëm 5 minutat e para, sepse më pas më kanë ardhur kërkesat e njëpasnjëshme për të analizuar problemet dhe për të koordinuar punën mes 72 institucioneve. Shpresoj që të ketë filluar puna sepse qershori është shumë afër.
Mendoni se po jep efekte reforma në drejtësi?
Pjesa e procesit për reformën në drejtësi është diçka që ne e kemi votuar të gjithë bashkë me konsensus, me problematikat e veta që ndeshemi dhe i shohim edhe sot. Kemi votuar ligje të cilat po t’i rikthehemi do të shohim që aty ka gjëra të cilat e pengojnë reformën dhe nuk lejojnë vazhdimësinë e saj në një kohë të gjatë apo dhe rezultate e saj në një të ardhme të afërt. Megjithatë procesi teknik i reformës deri te votimi i tij, ndryshimet kushtetuese janë bërë me konsensus të plotë dhe kjo është një çështje që është mbyllur. Pyetja më e madhe për reformën në drejtësi është zbatimi. Ndoshta këtu Shqipëria ka vuajtur për një kohë të gjatë jo vetëm për këtë reformë por për gjithë zbatimin e ligjeve, reformave të ndërmarra në vite. Vijmë te implementimi, që do të ishte i suksesshëm nëse politika do të qëndronte larg saj. Në këto muaj kemi parë që mazhoranca ka kërkuar të marrë dhe këtë pushtet që ne sadopak të gjithë bashkë jemi munduar ta lëmë si një pushtet të pavarur, që funksionon i pavarur nga politika, është munduar ta përvetësojë atë. Dhe nëse do të vazhdojë në këtë rrugë do të shikojmë që do të shkojmë drejt një përvetësimi të plotë të një pushteti që ka një mbështetje shumë të madhe dhe nga vetë BE. Pra, për të qenë i pavarur dhe jashtë duarve të politikës. Shkatërrimi i parë filloi pikërisht me zgjedhjen e Kryeprokurores së Përgjithshme, znj. Arta Marku. Nuk kam absolutisht asnjë gjë personale me të, nuk e njoh. Problemi është te procedura me të cilën ajo u zgjodh, një procedurë e gjitha antikushtetuese. Problemi më i madh është se, ajo reformë që ne votuam fatkeqësisht është përdorur nga mazhoranca, duke qenë kështu përpara një fakti të kryer, ku nuk kemi Gjykatë Kushtetuese. Pra, ne mund të themi gjithë ditën që, ‘ky është një akt antikushtetues’, por ne nuk kemi Gjykatë Kushtetuese. Për sa kohë politika ka duart në të, për sa kohë që qeveria ka duart në të, të jeni të bindur që Gjykata Kushtetuese do të vazhdojë të mbetet joefektive. 
Ju jeni në opozitë tashmë. Të enjten e kaluar shqiptarët ju panë duke qëlluar me miell ndaj Kryeministrit. Ju me të drejtë kërkoni përjashtimin e tij me 10 ditë për shkak të deklaratës që ka bërë. Po çfarë do të ndodhë me çështjen e integrimit, për të cilën kërkohet le të themi një lloj uniteti brenda politikës. Kreu i PD-së, z. Basha, është shprehur disi me nota pozitive. Cili do të jetë qëndrimi i LSI-së? 
LSI nuk e hodhi miellin për procesin e integrimit. Është hedhur për Rrugën e Kombit, për taksat e shtuara në kurriz të qytetarëve shqiptarë, në kurriz të biznesit të vogël, i cili sot po shkon drejt falimentit. Pra, kemi të bëjmë me një çështje madhore, ekonomike, financiare dhe një problematikë, e cila ka detyruar mijëra qytetarë shqiptarë, mijëra të rinj të largohen nga vendi. Dhe besoj se të gjitha ato akte që opozita ka ndërmarrë deri më tani, janë plotësisht legjitime. Nëse ju keni pamjet, duhet ta dini mjaft mirë për një protestë në Francë kundër rritjes së taksave, ku është djegur gjysma e Parisit. A mendoni ju se ata janë të pashkolluar? Kanë dalë jashtë normave të edukatës? Jo, aspak. Është një revoltë qytetare tejet normale në momente të tilla dhe unë besoj që për Shqipërinë, e gjithë ajo çfarë ka ndodhur, e që ne na ka zgjuar pikërisht nga Kukësi, nga revolta që ndodhi atje, duhet të kishte ndodhur kohë më parë, në mënyrë që të mos kishim lejuar arrogancën qeverisëse të arrinte deri në këtë pikë, apo në këtë lloj dëliri që ne kemi parë të ndodhë këto muajt e fundit. Protestat janë të shëndetshme për procesin e integrimit, sepse tregojnë në një farë mënyre nivelin e demokracisë në vend. Ajo çfarë tregon nivelin e autokracisë pastaj është diçka tjetër. Është ajo që kemi parë edhe me Policinë e Shtetit, me arrestimin në mes të natës të atyre kuksianëve, që është realisht e paligjshme. Manipulimin e fakteve dhe të orarit nga Prokuroria shqiptare, që është realisht një tjetër problem i madh. Këtu lind edhe pyetja: Sa jopartiak është sistemi i drejtësisë në Shqipërisë? A ka pasur një bashkëpunim mes Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit? A ka pasur një urdhër tjetër që ka ardhur nga lart? Pra, të gjitha këto janë çështje që duhen shtruar për të kuptuar nëse ky sistem i ri drejtësie që po vendoset në vend, po punon për të vendosur drejtësinë e duhur, apo është e kapur nga një person i vetëm. 
Si do të jetë qëndrimi i LSI-së në këtë mes?
Ne i kemi rrëzuar të gjitha deklaratat që janë thënë deri më sot se opozita po shkatërron procesin e integrimit. Në janar, LSI ka dërguar një shkresë zyrtare Komisionit Evropian duke i kërkuar çeljen e negociatave të Shqipërisë në mënyrë të menjëhershme dhe pa kushte. Kjo, për shumë arsye, sepse ne besojmë që ky është një proces teknik i gjatë, kështu që duhet mbajtur le të themi i ndarë nga i gjithë ai dialogu politik në vend dhe retorika agresive që ne shpeshherë kemi me njëri-tjetrin. Duhet ndarë si proces, duhet parë si një proces që do të lehtësonte jetën e shqiptarëve, që do të ndërhynte në shumë sektorë duke i bërë ato dhe duke sjellë standarde evropiane, duke përafruar legjislacionin dhe nga ana tjetër duke parë një monitorim më të thellë të luftës kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, të të drejtave të njeriut. Këto janë çështje realisht shumë të prekshme sot dhe që qytetarët shqiptarë i dinë ndoshta edhe më mirë se sa politika, sepse i përjetojnë në çdo ditë të jetës së tyre.
Ky është një rekomandim që do të vijë zyrtarisht nga Komisioni Evropian, por vendimi do të merret në qershor. Nëse gjithçka shkon mirë, pritet që brenda vitit të ardhshëm të nisë procesi i negociatave apo jo?
Nëse do të ketë një vendim pozitiv unë besoj që do duhen rreth 6 muaj për të kryer një proces skanimi të përafrimit të legjislacionit që Shqipëria ka deri në këto momente. Ne e dimë që kapitujt e parë që do të çelen janë kapitujt 24 dhe 24, që kanë të bëjnë me shtetin e të drejtës dhe të drejtat e njeriut. Janë dy çështjet më të rëndësishme, më fondamentalet sikurse i quajnë edhe ata vetë.
A prisni që ky proces të nisë brenda 2019-s?
Unë do doja shumë të isha pozitive, por jam e detyruar të pres qershorin për të parë vendimin apo kartonin jeshil, apo të kuq të vendeve anëtare. Besoj që ai do të jetë edhe realiteti i Shqipërisë për të vazhduar më pas me të gjithë procesin. Unë mendoj që çelja e negociatave nëse do të ndodh, do të jetë hapi i parë i një rruge shumë të gjatë për Shqipërinë. Unë nuk e parashikoj dot por që do të jetë e gjatë. Nëse Serbisë dhe Malit të Zi i është vendosur afati i 2025 për një anëtarësim të mundshëm nëse do të ketë plotësim të kushteve, Shqipëria për fat të keq e ka humbur atë tren. 
Mos kemi mundësi të avancojmë me ritme në shpejta nëse çdo gjë shkon mirë në qershor? 
Ne e kemi treguar që me implementimin e reformave vuajmë shumë. Ligjet i kemi shumë të mira, zbatimi është i vështirë. Ndaj ecuria e reformave do të jetë treguesi i parë sesi do të jetë procesi i negociatave dhe vazhdimësia e këtij procesi dhe e dyta të mos harrojmë që dhe vetë BE ka ndryshuar shumë. Ka mësuar shumë gjatë gjithë kësaj kohe, nuk është hera e parë që ata shkojnë përmes procesit të negociatave dhe shumë vende, Rumania, Kroacia, Bullgaria p.sh., kanë treguar që sa më shpejt t’i mbyllin negociatat për një vend aq më shumë problematika ato do të mbartin më pas. 
Kështu që tani Brukseli tregohet shumë i kujdesshëm? 
Tregohet shumë i kujdesshëm për të mbyllur njëherë të paktën problemet e shtetit të së drejtës dhe të funksionojnë institucionet sa më mirë në një vend dhe më pas të kalohet në një proces më të facilituar deri në anëtarësim me të drejta dhe përgjegjësi të plota. Për Shqipërinë mendoj që do të jetë një rrugë e gjatë edhe e dhimbshme edhe me vështirësi se do të ketë reforma ku do të preken ndonjëherë dhe qytetarët, do të preken në disa sektorë të ndryshëm, flasim këtu për bujqësinë, fermerët. 
Mendoni se shqiptarët do të kenë avantazhe do të ndiejnë përmirësime në disa drejtime? 
Patjetër, por mos të harrojmë që kemi të bëjmë dhe me një shtet që funksionon shumë edhe në informalitet dhe sa më shumë të rriten standardet aq më shumë do të preken edhe disa shtresa që në fakt në një vend si Shqipëria e kanë të pamundur të mbijetojnë ndryshe. Ndaj dhe qeveria duhet të bëjë një punë të mirë, informuese, pra duhet të ulet me ta, të shpjegojë situatat, duhet të kërkojë kompromisin e tyre para se të vijojë me reformat. Reforma të tilla si vendosja e taksës në rrugën e kombit dhe më pas kërkimi i një thjesht më fal nëpërmjet një televizori që mendohet që është një komunikim me qytetarët nuk është rruga që na çon në procesin e integrimit. 
Tarifa e Rrugës së Kombit do të vazhdojë besoj jeni në dijeni? 
Ajo tarifë nuk është normale për sa kohë qeveria nuk i ka ofruar një rrugë dytësore atyre qytetarëve dhe njerëzit duhet të kenë një të drejtë zgjedhjeje të kalojnë në rrugën që është pa tarifë apo në atë më tarifë dhe ne do të vazhdojmë aksionin tonë opozitar deri në fund dhe jemi të vendosur për këtë. 
Gjatë procesit të negociatave dhe kapitujt kur fillon dhe ai përafrimi i legjislacionit do fillojë të jetë e prekshme për qytetarët, këto ndryshime që do ndodhin? 
Patjetër që po. Unë e thashë ashtu siç do të ketë ato rezultatet e mira për qytetarët, do të ketë edhe disa shtresa që do të preken. Fillimisht duke parë kapitujt që do të mund të çelen, shteti së drejtës dhe të drejtat e njeriut mendoj që do të kemi të bëjmë sërish me këto çështje që po prekim dhe sot pra do të vazhdojë zbatimi i reformës në drejtësi dhe kjo do jetë parësore. Më pas duhet parë se si do vazhdohet me kapitujt e tjerë dhe kush do të jenë ato të radhës për të thënë edhe se në cilin sektor do të preken qytetarët dhe se si do të jetë dhe ndjeshmëria e tyre ndaj politikave që do të ndërmerren.