KKT-ja miraton lejen e ndërtimit për Teatrin Kombëtar

183
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Kryebashkiaku Erion Veliaj: 4 salla dhe “zero” kulla në territorin e Teatrit

Aleanca për Teatrin: Presion ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Këshilli Kombëtar i Territorit, ka miratuar në mbledhjen e djeshme, dhënien e lejes së ndërtimit për  objektin: “Teatri Kombëtar”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me zhvillues Bashkinë Tiranë. Leja për ndërtimin e “Teatrit Kombëtar”, vjen pas debatesh së shumta lidhur me të ardhmen e këtij institucioni, që u shemb në verë të vitit të kaluar, pavarësisht protestave të shumta kundër shembjes së tij. Pak ditë më parë, qeveria ndryshoi buxhetin, duke planifikuar rreth 900 milionë lekë (rreth 7 mln euro) për Teatrin Kombëtar, ndërsa vlera e saktë e gjithë projektit nuk është bërë e ditur. Ndërtimi i tij ishte parashikuar dhe në projektbuxhetin e Bashkisë për vitin 2021. Në relacionin e projektbuxhetit afatmesëm 2021-2023, thuhet se, “Aktualisht, Teatri Kombëtar është në fazë projektimi dhe priten të nisin shumë shpejt punimet, ndërkohë që është garantuar financimi i tij nga Buxheti i Shtetit”.

Kryebashkiaku Erion Veliaj: Teatri i ri Kombëtar do të ketë një auditorium me 653 vende

Kryebashkiaku Erjon Veliaj njofton miratimin e lejes së ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar. Qytetari i parë i Tiranës e bëri lajmin publik në rrjetin e tij social, ndërsa garantoi se, në territorin e teatrit, nuk do të ndërtohen kulla. Kryebashkiaku Erion Veliaj: “Zero kulla në territorin e Teatrit të ri Kombëtar. KKT e Qeverisë Shqiptare sapo miratoi lejen për Teatrin e Ri Kombëtar te Bashkia Tiranë nga Bjarke Ingels. Kryebashkiaku Veliaj  sqaron më tej se Teatri i ri Kombëtar do të ketë një auditorium me 653 vende, një sallë BLACK BOX i vogël 150 vende, një BLACK BOX të madh me 350 vende, një AUDITORIUM në taracë 500 vende si dhe 2 kate parkim”.

AMT: Mafia e ndërtimit po i thotë Gjykatës, ne e kemi marrë vendimin

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, thotë se postieri i kryeministrit po provokon, duke zyrtarizuar lejen për fillimin e punimeve te Sheshi i Teatrit, tek vendi i krimit. Aleanca shkruan më tej se ‘është vetëm populli që mund ta shpëtojë demokracinë, në ushtrimin natyror të sovranitetit të vet. Jemi besim plotë që te ne akoma ka energji për të luftuar, na duhet t’i aktivizojmë’.

Reagimi i Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar

Ndërkohë që çështja për Tearin Kombëtar po shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese dhe nuk ka një vendim, mafia e ndërtimit po i thotë Gjykatës, shih se ne e kemi marrë vendimin, ju bëni si të doni. Kjo nuk ka asnjë ndryshim nga huri që kemi ngrënë në kurriz, se gazi i lotsjellës i gulçeve, se  fadromat mbi kokat tona, se automatiku drejtuar aktivistëve. Nuk ka asnjë ndryshim! Na takon ne të gjithë të tregojmë se sa do e pranojmë akoma këtë përdhosje të lirive tona. Teatri është thellësisht çështje politike, e mos të mendojë njeri se do ushtrojë gjuhën e aksionit politik, duke mos themeluar aksionin e vet te kauzat. Te të gjitha! Populli ka energji, është i pashtershëm, është i njëjti popull, që e mban Republikën në këmbë me punë e taksa, është vetëm populli, që mund ta shpëtojë demokracinë, në ushtrimin natyror të sovranitetit të vet. Jemi besim plotë që te ne akoma ka energji për të luftuar, na duhet t’i aktivizojmë.