Këshilli i Investimeve zhvilloi sot mbledhjen e tij të radhës nën drejtimin e Ministres së Financave dhe Ekonomisë, znj. Anila Denaj, ku u diskutua “Mbi Stimulin e Investimeve dhe Sigurinë juridike të Pronës”. I pranishëm në këtë mbledhje ishte edhe Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, z. Eduard Shalsi, si dhe kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, z. Artan Lame.
Në fjalën e saj, Ministrja Denaj u shpreh se respektimi i të drejtave të pronësisë dhe regjistrimi i plotë dhe përfundimtar i pronës mbetet sfidë e qeverisjes.
Ministrja theksoi se një qasje koherente, jo e fragmentuar ndaj problemeve të pronësisë, konsiderohet thelbësore për ekonominë e një vendi dhe përbën parakusht për stimulimin e investimeve.
“Çdo progres në këtë fushë rrit sigurinë ligjore për investitorët, nxit transparencën në mirëqeverisjen dhe luftën ndaj korrupsionit, si dhe reflektohet menjëherë në raportet ndërkombëtare mbi reformat në Shqipëri”, u shpreh znj. Denaj.
Ministrja ftoi bizneset pjesëmarrëse në Këshillin e Investimeve, por jo vetëm, që të kontribuojnë në draft ligjin e ri të unifikimit të investimeve që Ministria e Financave ka publikuar për konsultim publik, i cili synon të përmirësojë kushtet dhe ofrojë balancimin e tyre, si për investitorët e huaj, ashtu edhe për investitorët e vendas.
Fjala e Ministres Denaj në Mbledhjen e Këshillit të Investimeve:
I nderuar Z. Ministër Shalsi,
I nderuar Z. Lame,
Të nderuar përfaques të Shoqatave të Biznesit dhe Sipërmarrës,
Zonja dhe zotërinj,
Sot jemi mbledhur në takimin e XVI të Këshillit të Investimeve, tani një platformë kjo e konsoliduar në funksion të fuqizmit të dialogut dhe konsultimit midis sektorit publik dhe privat. Falënderojmë për këtë edhe partnerët tanë, BERZH/SECO, që kanë rritur numrin e zërave nga komuniteti i biznesit në këtë format, si edhe shoqatat për bashkëpunimin me këshillin dhe sekretariatin.
Sot diskutojmë një çështje jo pak të rëndësishme siç “Stimulimi i Investimeve dhe Sigurinë Jurike të Pronës” dhe për këtë kemi sot të ftuar edhe Drejtorin e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, z. Artan Lame dhe së bashku do të shohim prezantimin e gjetjeve dhe rekomandimeve për këtë sektor.
Respektimi i të drejtave të pronësisë dhe regjistrimi i plotë dhe përfundimtar i pronës mbetet sfidë e qeverisjes. Një qasje koherente, jo e fragmentuar ndaj problemeve të pronësisë, konsiderohet thelbësore për ekonominë e një vendi dhe përbën parakusht për stimulimin e investimeve. Çdo progres në këtë fushë rrit sigurinë ligjore për investitorët, nxit transparencën në mirëqeverisjen dhe luftën ndaj korrupsionit, si dhe reflektohet menjëherë në raportet ndërkombëtare mbi reformat në Shqipëri.
Vlen të përmendet se gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka bërë disa përpjekje për të adresuar thjeshtimin e procedurave nëpërmjet dhënies së aksesit në regjistrin elektronik të ZRPP dhe shërbimin “Fast Track” për qytetarët dhe bizneset për ofrimin e 9 shërbimeve të regjistrimit brenda 24 orëve. Megjithatë, këto përmirësime i referohen kryesisht menaxhimit administrativ të pronave në skenarit ideal ku prona është regjistruar në sistemin elektronik të ZRPP-së dhe titulli i pronës është i qartë dhe i pastër. Prandaj, ndikimi i tyre pozitiv ka qenë i kufizuar në aspektin e territorit dhe numrit të shërbimeve të ofruara.
Kohët e fundit vihen re disa dinamika ligjore që synojnë të adresojnë zgjidhjen përfundimtare të problematikave të regjistrimit të pronës.
Kështu, në mjaft raste, mungesa e sigurisë juridike mbi pronën ka prekur zhvillimin e sektorit të bujqësisë, ka penalizuar sektorin e turizmit, ku investitorë të huaj mund të hezitojnë për shkak të çështjeve të pronës.
Problemet me regjistrimin e pronave në Shqipëri kanë të bëjë me: 1) regjistrimin fillestar jo sistematik të tyre, 2) mungesen e sigurisë dhe saktësisë së regjistrimeve të tilla; 3) numrit të lartë të mosmarrëveshjeve mbi titujt e pronësisë dhe dështimit të sistemit të drejtësisë për t’i menaxhuar ato në kohën dhe në mënyrën e duhur; 4) proceset kalimtaret mbi të drejtat e pronësisë ndër vite, dhe 5) dështimi për të përfunduar dixhitalizimin dhe hartëzimin e pronave.
Të gjitha këto çështje të përmendura më lartë bëjnë që procedurat përfundimtare të regjistrimit në përgjithësi të jenë të vështira dhe të lodhshme, si edhe të çojnë në konsolidimin e perceptimit mbi pasigurinë e të drejtave të pronësisë.
Në parim kjo note, nuk merr përsipër të japë rekomandime shteruese për zgjidhjen përfundimtare të çështjeve të regjistrimit të pronësisë në vend, por vetëm të prioritizojë disa aksione konkrete të cilat duhet të ndërmerren sa më parë për ta vendosur reformën e pronësisë në koherencë me stimulimin e investimeve.
Ndaj më lejoni gjithashtu të përfitoj nga rasti që jam me ju sot këtu, për t’ju ftuar të kontriboni edhe në draft ligjin e ri të unifikimit të investimeve që Ministria e Finacave ka publikuar për konsultim publik, i cili synon të përmirësojë kushtet dhe ofrojë balancimin e tyre si për investitorët e huaj po ashtu edhe për investitorët e vendas.
Faleminderit!