Kërpaci: Rinia jo prioritet i qeverisë “Rama 2”, nuk ka një plan konkret

577
Ajo është një nga deputetet më të reja të kuvendit për legjislaturën e 9-të. Floida Kërpaci, deputetja edhe me moshën më të re, foli sot në kuvend mbi programin e qeverisë, me një fjalim ku në thelb mbetet rinia, mbi të cilën që në fillim deputetja preku fenomenin e largimit jashtë vendit dhe se kjo qeverisë sipas saj, nuk ka një plan konkret për rininë shqiptare.
Kërpaci, njëherësh edhe kryetare e LRI-së (Lëvizja Rinore për Integrim) deklaroi gjatë seancës parlamentare ku pritet të miratohet programi qeverisës për katër vitet e ardhshme, se diku në Shqipëri një i ri po kërkon mënyrat se si të emigrojë diku larg keqqeverisjes, papunësisë dhe mospërfilljes së shtetit ndaj qytetarëve. “Përballë këtij realiteti të trishtë ku mbizotëron pamundësia, papunësia dhe mungesa e shpresës për të ardhmen, qëndron me arrogancën më të ftohtë, programi qeverisës që sot pret miratimin nga përfaqësuesit e popullit në Kuvend”,-shtoi deputetja.
Kërpaçi theksoi më tej se qeveria “Rama 2”, kërkon votimin në Parlament kur nuk ka një plan konkret se çfarë do bëhet me rininë e vendit. “Fatkeqësisht, mesazhi i trishtë që i jepet sot rinisë shqiptare është se kjo qeveri edhe pse e trajton veten si të majtë, nuk do ta ketë prioritet mirëqenien dhe prespektivën e të rinjve shqiptarë për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri”.
Ajo e bëri të qartë se në kuvend do të jetë zëri i rinisë, për të sjellë aty problemet dhe sfidat e tyre, që të merren në konsideratë nga programi qeverisës. Duke folur për arsimin dhe punësimin, dy shtyllat kryesore mbi të cilat ngrihet jeta e një të riu, deputetja e LSI-së foli për reformën mbi arsimin e lartë.
“Reforma abuzive Rilindase për arsimin e lartë, kaq e kontestuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim si klienteliste e pa të ardhme, shkatërroi këtë vit ëndrrat e maturantëve për drejtimin që donin të merrte jeta e tyre dhe rëndoi xhepat e familjeve shqiptare që do duhet të paguajnë arsimimin e femijës së tyre te privati”.
Kërpaci solli në kuvend realitetin që edhe këtë vit një numër i madh prindërish nuk po regjistrojnë fëmijët e tyre në shkolla dhe universitete.
“Këtë vit si asnjëherë më parë ka ende prindër të cilët nuk po arrijnë dot të regjistrojnë fëmijët e tyre në arsim. Apo realitetin që nëpër shkolla shitet drogë, kanabis e lëndë të forta për konsum nga adoleshentët dhe asnjë sbën asgjë për këtë problem madhor. Në radhët e gjata të shqiptarëve të papunëve, shumica prej tyre janë të rinj! Shumë nga të rinjtë që marrin një diplomë përfundojnë në listën e të papunëee apo duke punuar një zanat tjetër ndryshe nga arsimimi që kanë ndjekur. Edhe ata pak të rinj që arrijnë të punësohen, paguhen me paga të ulëta që nuk i krijojnë mundësinë që të përballojë kostot e jetesës. Këtu duhet të fokusohej programi i qeverisë, por fatkeqësisht programi juaj nuk e bën këtë gjë”,-deklaroi deputetja e LSI-së.
Në fund, Kërpaci e mbylli fjalimin me fjalët që kjo qeveri ka një program me një fletëpalosje që nuk përfaqëson interesat e qytetarëve. “Fatkeqësisht programi që kjo qeveri ka paraqitur, kjo fletëpalosje me fjalë të radhitura bukur dhe pa një përcaktim të qartë si do zhvillohet vendi, për mua është një dokument pa vlerë që nuk përfaqëson interesat e qytetarëve, nevojat e tyre për një jetë më të mirë e mbi të gjitha nuk ka asnjë vizion si do të ndërtohet jeta e të rinjve të vendit”.
Sigal