Kastriot MYFTARAJ/Qipro, si çelës që shpjegon dështimin e amnistisë fiskale në Shqipëri

670
Sigal

99% e atyre që kanë para në bankat e huaja dhe që do të donin që t’i investonin në Shqipëri, nuk përfituan nga ligji për amnistinë fiskale

    Pkërisht në 21 prill të këtij viti, në ditën e përvjetorit të dytë të miratimit me bujë të madhe nga Kuvendi i Shqipërisë të ligjit “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të borxhit tatimor dhe doganor”, i njohur në zhargonin medial dhe politik si “amnistia fiskale”, mbarova leximin e librit “Treasure islands: tax havens and the men who stole the world”, me autor gazetarin investigues britanik Nicholas Shaxson. Ky libër i botuar së pari në 2011-n, përshkruan ato që në anglisht njihen si “tax haven” dhe që në shqip quhen më qartë “parajsa fiskale”, me një term të prejardhur nga frëngjishtja dhe italishtja. Para se të lexoja këtë libër mendoja se e dija se çfarë ishin “tax havens”. Duke lexuar këtë libër e kuptova se nuk e kisha ditur. Nga ky libër mësova me fakte se “tax havens” dhe kapitalet e tyre nuk janë anekse të ekonomisë globale, por vetë motori i saj, madje, edhe për vendet e mëdha perëndimore. Prandaj them se ky është një libër të cilin duhet ta lexojë çdo intelektual, i cili dëshiron që të kuptojë se si funksionon bota e sotme, në aspektin financiar, përtej fasadës së institucioneve të vendeve të mëdha e të vogla, si dhe atyre globale. Më erdhi keq që nuk e pata lexuar më parë, ndonëse e kisha në bibliotekën time, së bashku me libra të tjerë që na grumbullohen dhe presin për t’u lexuar. Kur lexova këtë libër e kuptova se përse dështoi amnistia fiskale në Shqipëri. Kur qeveria paraqiti projekt-ligjin për amnistinë fiskale tha se me miratimin e këtij ligji do të vinin në Shqipëri së paku katër miliard dollarë, të cilat mbaheshin nga shtetas shqiptarë në llogari bankare jashtë vendit, ose nëpër “dyshekë”. Por me përfundimin e afatit që jepte ligji, madje edhe pas shtyrjes që iu bë këtij afati, nuk u sollën në bankat e Shqipërisë më tepër se rreth 35 milionë dollarë. Dështimi i amnistisë fiskale u kërkua të mbulohet me shifrën prej 1.5 miliard dollarë vlerë të aseteve të deklaruara. Kjo tregon se 99 % e atyre që kanë para në bankat e huaja dhe që do të donin që t’i sillnin dhe investonin në Shqipëri, nuk përfituan nga ligji për amnistinë fiskale, ndonëse tatimi që ishte vendosur në ligj për legalizimin e kapitalit arrinte jo më tepër se në një shifër të “tax havens”, 3%. Cila është arsyeja?: Përgjigjja për këtë pyetje është sa e thjeshtë, aq edhe e ndërlikuar. Pikësëpari, përpos praktikës së zakonshme në raste të tilla, kur ligjvënësi përpiqet që ta thjeshtojë problemin, ligjvënësit tanë e ndërlikuan problemin. Ligji fuste në një “thes” një qytetar shqiptar që ka llogari bankare prej miliona euro apo dollarë në Qipro, Zvicër, Cayman etj., me qytetarin që nuk ka paguar energjinë elektrike dhe ujin në katundet e Shqipërisë. Afati prej gjashtë muajsh, megjithë shtyrjen prej tre muajsh që iu bë, dhe që ligji e përcaktonte si kohën kur subjektet që përfitonin nga ligji duhet të bënin veprimet përkatëse, mund të ishte i arsyeshëm për një qytetar shqiptar, i cili jeton në Shqipëri dhe nuk ka shlyer detyrimet tatimore për biznesin e tij, apo faturat e energjisë elektrike ujit, apo që ka fshehur para në dyshek, por jo për një njeri që ka llogari bankare me miliona euro apo dollarë në “tax havens” dhe që ka ndërtuar një skemë të ndërlikuar për të ruajtur sekretin. Le të përfytyrojmë një qytetar shqiptar i cili ka pesë milion euro në një llogari bankare në Qipro. Kjo llogari bankare nuk është në emrin e tij, por të një trustee (të besuari), i cili është një përfaqësues ligjor, që është një studio legale në Lichtenstein, e cila nga ana e saj nuk e di emrin e personit që është zotërues i llogarisë bankare, se vepron për llogari të një studioje legale në Bahamas, e cila e di emrin e personit. Dhe ky nuk është rasti më i ndërlikuar. Në momentin që qytetari shqiptar që është zotërues i kësaj llogarie do të donte t’ i transferonte paratë në një bankë në Shqipëri, atij do t’ i duhej të niste një procedurë të ndërlikuar ligjore. Se problemi është që “tax havens”, sa të thjeshtë ta bëjnë punën kur ke për të sjellë para, aq të ndërlikuar ta bëjnë kur kërkon të mbyllësh llogarinë, duke tërhequr gjithë shumën e parave. Dhe ato mund t’ ia lejojnë vetes të veprojnë kështu se klientëve të tyre nuk u pëlqen ekspozimi publik, që do të vinte nëpërmjet gjyqeve. Që në momentin që kanë krijuar një llogari bankare në një “tax haven”, ata janë shndërruar në peng i shantazhuar. Heroit tonë, nëse do ta quaj kështu qytetarin që kërkon të sjellë paratë në Shqipëri, do t’ i duhej të kërkonte asistencën e një avokati të specializuar, për ta bërë skemën të funksiononte në kahje të kundërt. Në këtë rast, ajo që ka rëndësi të madhe është koha. Sa më shpejt që të kërkohet të kryhet procesi, aq më shumë kushton asistenca ligjore. Heroi ynë ka një deadline, që është afati prej gjashtë muajsh i përcaktuar nga ligji. Afati i shkurtër e shkurajon çdo njeri që kërkon t’ i hyjë një procedure të tillë. Vërtet që afati u shty tre muaj, por kush mund të ishte i sigurt për këtë gjë që në fillim? Dhe për më tepër që as afati prej nëntë muajsh nuk është i mjaftueshëm. Se imagjinoni rastin kur ky qytetar që nis procedurën e kushtueshme për transferimin e parave në Shqipëri, paguan për këtë gjë, dhe nuk arrin deadline. Askush nuk do që të rrezikojë. Merret vesh, për çështjen e legalizimit të kapitaleve financiare duhet një ligj i veçantë, që të përcaktojë një periudhë së paku dhjetëvjeçare. E thënë shkurt, që Shqipëria të shndërrohet në “tax haven” për dhjetë vite, për ata të cilët kanë para në llogari bankare në “tax haven” jashtë vendit. Kjo nuk do të thotë se ai që sjell para në Shqipëri në bazë të këtij ligji, nuk do të paguajë taksa për dhjetë vjet. Aspak. Por, për një periudhë dhjetëvjeçare njerëzit që kanë llogari bankare në “tax havens”, duhet të kenë mundësi që t’ i sjellin ato në Shqipëri, duke paguar tarifën prej 3%. Pastaj, që nga momenti që i sjellin ato, do t’ u nënshtrohen tatimeve si të gjithë të tjerët. Dikush mund ta bëjë këtë në vitin e parë, dikush në vitin e nëntë. Shumëkush nga ata që lexojnë këto rreshta, do të thonë se ne nuk mund të bëjmë një ligj të tillë të veçantë për legalizimin e kapitalit, me afat dhjetëvjeçar, se nuk na lejon Bashkimi Europian, nuk na lejon SHBA, nuk na lejon IMF (FMN). Por në këtë pikë lind pyetja: Përse Qipron e lejuan kur u bë anëtar i Bashkimit Europian në 2004, dhe i Eurozonës në 2008, që të vazhdonte të funksiononte si një “mega tax haven”, e thënë ndryshe si një pol manjetik i botës financiare kriminale? A nuk ishte dashur që Qipros t’ i kushtëzohej anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe për më tepër në Eurozonë, me shpërbërjen e sistemit të saj financiar të llojit “tax havens”? Përse u dashka që ndaj Shqipërisë, e cila nuk është as anëtare e Bashkimit Europian, as e Eurozonës, të zbatohet një standard më i lartë se ndaj Qipros? Dhe kur Qipro, nëntë vjet pas anëtarësimit në Bashkimin Europian, është duke u mbytur për shkak të lakmisë së vet, shpërblehet me dhjetë miliardë euro ndihmë nga Bashkimi Europian dhe FMN, se falimentimi i Qipros dëmton Eurozonën, ku Qipro nuk duhet të ishte fare?! Pse Qipro paska një licencë të posaçme për të bërë gjëra të tilla edhe kur gjendet në Eurozonë, dhe Shqipëria nuk e paska as kur nuk është anëtare e BE dhe as në Eurozonë? Këtu s’ ka logjikë, dhe kur mungon logjika në një përmasë të tillë, në një nivel të tillë ndërkombëtar, atëherë kjo është shenjë se ka një prapamendim të keq. Pas këtij standardi të dyfishtë qëndron një kalkulues keqdashës që paratë e shqiptarëve të mos vinë në Shqipëri, por të mbeten në “tax havens” gjithandej botës. Është i njëjti kalkulues keqdashës që përcaktoi qëndrimin e Bashkimit Europian dhe të FMN në krizën e firmave piramidale në Shqipëri, në 1996-97. Sipas raportit përfundimtar të komisionit parlamentar për firmat piramidale, të bërë në kohën kur PS-ja ishte në pushtet, në 2003, borxhi i përgjithshëm i këtyre firmave ishte rreth 900 milionë dollarë. Nëse FMN-ja do të ndërhynte në krizën e skemave piramidale në Shqipëri, duke i ofruar qeverisë shqiptare një ndihmë, qoftë edhe kredi afatgjatë të butë, siç bëri me Greqinë, madje duke e kushtëzuar edhe me stabilitet politik, do të thotë me kërkesën për zgjedhje të reja, nuk do të kishte ndodhur tragjedia e vitit 1997 në Shqipëri. Le t’ i mbetej pastaj Berishës përgjegjësia historike nëse nuk do të pranonte këtë ofertë. E vërteta është se FMN-ja janë SHBA dhe kësaj i mbetet përgjegjësia historike që nuk ndodhi kështu. Edhe Shqipëria kishte nevojë për ndihmë financiare në kohën e krizës së skemave piramidale në fund të vitit 1996 dhe në fillim të vitit 1997, madje kriza shqiptare mund të qe mënjanuar me një shifër shumë më të vogël se ajo që iu dha Greqisë dhe Qipros. Kur për Qipron me 800 mijë banorë u dhanë 10 miliardë euro (rreth 13 miliardë dollarë) ndihmë për të kapërcyer krizën, në mars të këtij viti, a nuk mund të gjendeshin 900 milionë dollarë për Shqipërinë? Është e qartë se në rastin e Shqipërisë mungonte dëshira e mirë për të ndihmuar. Shumëkush mund të thotë se ajo që i mungon Shqipërisë në krahasim me Greqinë dhe Qipron është demokracia. Por demokraci si ajo e Greqisë dhe Qipros dimë shumë mirë të bëjmë edhe ne shqiptarët. Greqia dhe Qipro kanë pasur deri më tash demokracinë që kanë pasur se partitë e mëdha atje patën bërë një kompromis, sipas të cilit anëtarët e partisë do të punësoheshin në sektorin publik dhe biznesmenët pranë këtyre partive do të merrnin porosi për punë publike, duke funksionuar kompanitë e tyre praktikisht si shtetërore. Greqia kishte deri më sot mbi 800 mijë të punësuar në sektorin shtetëror, çka do të thotë që Shqipëria, përpjesëtimisht me popullsinë të kishte 250 mijë të tillë, kur në fakt ka rreth 100 mijë. Nëse Shqipëria do të kishte 250 mijë të punësuar në sektorin publik, do të shuhej edhe lufta politike, se militantët e PD, PS, LSI dhe aleatëve të tyre do të qenë të punësuar në sektorin shtetëror, pavarësisht se cila parti ishte në pushtet. Ndërkombëtarët e dinë mirë se ekonomia e Shqipërisë ka nevojë për një fluks kapitalesh që të funksionojë në këtë periudhë krize globale dhe të mos pësojë kolaps. Në këtë kohë kur vendet e fuqishme po bëjnë gjithçka për të tërhequr kapitale të huaja, Shqipëria ka nevojë jetike për të tërhequr së paku kapitalet e shtetasve të saj, që gjenden të depozituar jashtë vendit. Shqipërisë, në sajë të politikanëve të dy krahëve, të dëgjueshëm ndaj ndërkombëtarëve, i janë imponuar ligje të tilla që supozohej t’ i kishte një vend anëtar i Bashkimit Europian dhe Eurozonës, si Qiproja, ligje që pamundësojnë ardhjen në vend të kapitaleve nga “tax havens”. Kjo krijon një situatë shpërthyese ekonomike dhe sociale. Formula e ndërkombëtarëve për Shqipërinë është që ta mbajnë nën kontroll vendin me anë të një establishmenti burokratik (Policia e Shtetit, gjykatës, prokurorë, SHISH, Shërbimi Civil), të cilët ndërkombëtarët kërkojnë t’ i lidhin pas vetes, duke u garantuar karrierën e përjetshme burokratike. Pra, pakti i heshtur është: “Ju mbajeni nën kontroll Shqipërinë për ne, dhe ne u garantojmë vendet e punës dhe me këtë edhe mundësinë që të abuzoni e të nxirrni të ardhura nga korrupsioni”. Sigurisht që ndërkombëtarët, europianë dhe amerikanë, flasin edhe për luftën kundër korrupsionit, por këtë e bëjnë më tepër që t’ a mbajnë nën kontroll edhe vetë establishmentin burokratik të Shqipërisë. Natyrisht se kështu krijohet një parajsë për establishmentin burokratik të Shqipërisë dhe për vetë ndërkombëtarët që fati ua sjell të punojnë këtu, por çfarë ndodh me pjesën tjetër të shqiptarëve, që përbëjnë dhe shumicën? Për ta nuk ka parajsë, por ferr. Ekonomia e Shqipërisë ka nevojë për një fluks prej së paku pesë miliard euro që të shmanget kolapsi. Kaq para nuk kemi se ku t’ i gjejmë përveçse nga prurjet e shqiptarëve që kanë llogari bankare në “tax havens”. Por që të bëhet kjo duhet një ligj i posaçëm për legalizimin e kapitaleve, jo si ai që u bë në 2011. Pra, duhet që Shqipëria  për dhjetë vjet të bëhet “Qipro” për paratë e shqiptarëve që gjenden në botë. Kjo koinçidon dhe me periudhën që ne duhet të presim deri kur do të bëhemi vend anëtar i Bashkimit Europian. Në çdo rast, ky ligj mund të përdoret si kartë në negociatat me të dërguarit e Europës dhe të FMN për të siguruar benefite. Por problemi është se politikanët tanë të të dy krahëve këtë ligj nuk duan ta bëjnë, se e dinë që nuk u pëlqen ndërkombëtarëve. Një pjesë e madhe e parave shqiptare që gjenden në “tax havens” dhe që mund të kishin ardhur në Shqipëri, kanë humbur nga humbjet që pësuan bankat ndërkombëtare nga kriza e borxheve në Greqi, Portugali, Irlandë, Qipro, për shkak të blerjes së bondeve të këtyre vendeve, dhe kredive të këqija. Të tjera para shqiptare të depozituara nëpër botë mund të humben në vazhdim. Para që mund të vinin në Shqipëri, të hapnin vende pune, të stimulonin fuqinë blerëse etj. Kjo gjë ka ndodhur se këta qytetarë shqiptarë nuk kanë pasur në atdheun e tyre, ato të drejta që ka pasur këto njëzet vjet në Shqipëri, bie fjala, George Soros. Këtë gjë e them në bazë të atij që është ndoshta libri më dashamirës i shkruar për Soros, është ai me titull “Soros: The life and times of a messianic billionaire” (2003), i Michael Kaufman, një ish-punonjës i Soros. Kaufman, në parathënien e librit shkruan për Soros se ai bashkëpunoi në shkrimin e këtij libri: “Pak ditë më pas ai më çoi shënimin e mëposhtëm: ‘Kjo është për t’u konfirmuar me shkrim, atë çka unë ju thashë personalisht me gojë. Nëse ju do të keni një kontratë për librin, unë do të jem i gatshëm që të bashkëpunoj me ju. Unë nuk kërkoj që të influencoj përmbajtjen e librit në asnjë mënyrë, dhe unë dua ta shikoj të thënë qartë se kjo nuk është një biografi e autorizuar”.(Michael T. Kaufman, “Soros: The life and times of a messianic billionaire”, Wintage Books, New York, 2003, f. xvii). E po, së paku mund të quhet një biografi gjysmë e autorizuar! Soros, njeriu i cili në vende si Shqipëria u paraqit si një filantrop i madh, në fakt nuk qe marrë kurrë me filantropi, madje e urrente atë. Kaufman, duke përcjellë rrëfimin e Soros, shkruan: “Pionierët filantropë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, vinin nga një traditë filantropie dhe kontribuuan në bamirësi përgjatë gjithë jetës së tyre, si të rritur. Koncepti i bamirësisë kristiane formësoi pikëpamjet e tyre që nga fëmijëria. Ata besonin tek filantropia. Soros nuk besonte. Ai nuk kishte kontribuar praktikisht fare në bamirësi, që në moshën dhjetëvjeçare kur ai i çoi kursimet e tij kryeredaktorit të një gazete hungareze, për të ndihmuar finlandezët në rezistencën e tyre ndaj forcave sovjetike”.(Po atje, f. 167) Kaufman shkruan kështu për ngritjen e fondacionit të famshëm të SOROS-it, Open Society Fund: “Fondacioni u krijua në 1979 si një trust bamirësie. Me sinqeritetin e tij të zakonshëm, Sorosi e përshkruan motivin e krijimit të fondacionit si në thelb egoist: ‘Një trust bamirësie është një truk shumë interesant për të shmangur pagimin e taksave. Ideja është se ju mund t’i vendosni asetet tuaja në një trust dhe të vini atje një shumë parash çdo vit për bamirësi. Dhe pastaj, pasi të keni dhënë paratë për shumë vite, shuma bazë mund t’u lihet (trashëgimtarëve) pa taksim pronësie ose dhurimi. Kështu që për këtë unë e krijova fondacionin për fëmijët e mi”. (Po atje, f. 170) . E vërteta është se fondacioni ofron shumë më tepër mundësi se këto për të shmangur pagimin e taksave, aq më tepër për një njeri si Soros, i cili ka një infrastrukturë financiare globale shumë të sofistikuar. Paratë e kaluara për bamirësi në degët e fondacioneve të vendeve si Shqipëria, mund të rikthehen përsëri në llogaritë e Soros në ishujt-parajsa fiskale gjithandej botës. Kur njeriu lexon rrëfimin e Kaufman në rreshtat e mëposhtëm, për kompanitë financiare të Soros, e kupton se çfarë veprimesh financiare mbulon bamirësia: “Gary Gladstein, drejtori menaxhues i Soros Fund Management, tha se numri i aksionerëve në Quantum dhe në pesë fondet e tjera që Soros krijoi më vonë, ndoshta kurrë nuk e kapërceu shifrën një mijë. Ata janë individë shumë të pasur, më tepër se institucione, dhe shumë prej tyre kanë interesa në disa, ose madje në të gjithë fondet e investimeve të Soros. Sipas ligjeve të Curaçao, ku fondi i investimeve është regjistruar legalisht, është e kundërligjshme për ndonjë nga drejtorët ose përfaqësuesit që të identifikojë ndonjë nga aksionerët me emër, madje edhe tek njerëzit e Soros fund Management, që është pjesa e New York e operacionit që përcakton dhe zbaton vendimet për investime si këshilltar i fondit. Ndërsa disa aksionerë e kanë bërë vetveten të njohur tek firma menaxhuese në NewYork, shumë të tjerë janë shënuar thjesht me llogari të koduara në bankat e Zvicrës, ose nga këshilltarë financiarë që shërbejnë si të emëruarit e tyre. Është krejt e mundshme që Soros nuk i njeh ata, ose që nuk do që t’i njohë të gjithë aksionerët e tij. Po rata të gjithë e njohin atë. Nga fillimi Soros u shfaq si figura qendrore dhe e dukshme e diçkaje si operacion bizantin i bërjes së parave, që ai kishte krijuar. Në shtesë të korporatës me bazë në Curaçao është gjithashtu edhe Quantum Partners, një lloj korporate holding e krijuar në Ishujt Cayman dhe Soros Fund Management në New York”. (Po atje, f. 135) Nuk është e vështirë të kuptohet se në fondet e Sorosit bëhet pastrimi dhe investimi i parave të pista të krimit të organizuar ndërkombëtar, si dhe i parave të fituara nga korrupsioni prej zyrtarëve gjithandej botës. Një njeri që merret me një veprimtari të tillë financiare nuk mund të ndjekë seriozisht një agjendë filantropike, apo të investojë për modelimin e shoqërisë në vende të ndryshme, sipas idealeve të së mirës dhe së drejtës. Është e qartë se Soros, nga angazhimi i tij në Shqipëri dhe në vende si Shqipëria, ka përfituar para duke iu shmangur pagimit të taksave. Nëse një shtetas shqiptar do të kishte sjellë para në Shqipëri me mënyrën që e ka bërë këtë gjë Soros, atij do t’ i kërkohej të deklaronte burimin e të ardhurave. Burimi i të ardhurave të Soros janë paratë e fituara nga përdorimi i parave që i janë besuar atij në llogari sekrete bankare, në “tax havens”, nga njerëz të cilëve nuk u njihet identiteti. E megjithatë Sorosin nuk e shqetëson njeri në Shqipëri dhe madje, në konferencat e organizuara prej tij marrin pjesë edhe gjykatës dhe prokurorë shqiptarë. Kjo është një provë e standardit të dyfishtë me të cilin keqtrajtohet qytetari shqiptar edhe në vetë vendin e tij, jo thjesht në raport me vendet e tjera, si Qipro. Atëherë çfarë duhet bërë? A mjafton që të shkruash një artikull? Si mund të hidhet ura mes fjalëve dhe realitetit? Sa i përket kësaj çështjeje, nuk do të mjaftohem vetëm me këtë artikull. Unë e di se nëse Shqipëria do të miratojë një ligj ashtu siç duhet për legalizimin e kapitaleve, do të ndodhë si në atë fabulën e Jean de la Fontaine (La Fonten) me titull “Kafshët e sëmura nga murtaja”, ku tregohet sesi kafshët u mblodhën në një kuvend për të vendosur se kush prej tyre, me fajet që kishte bërë,  ishte bërë shkak për zemërimin e Zotit ndaj tyre, pasojë e të cilit ishte murtaja. Në kuvend u shfajësuan shpejt e shpejt nga pjesëmarrësit luani, tigri, ujku duke u quajtur vogëlsira fajet që kishin bërë ata, dhe si fajtori më i madh u quajt gomari, i cili rrëfeu se kishte ngrënë pak bar në kopshtin e një manastiri. Kështu që nuk është çudi që Shqipëria të shpallet botërisht fajtore për vazhdimësinë e krizës globale, nëse miraton ligjin në fjalë. Por problemi mbetet ai që është: Ose ndërkombëtarët duhet ta lejojnë Shqipërinë të sjellë në vend paratë e shqiptarëve, ose t’i japin një ndihmë financiare që kompenson këtë mungesë.