Kandidati Laert Duraj, nuk ka dhënë dorëheqjen si drejtor

602
Sigal

Laert Duraj, kandidat zyrtar për deputet i Rilindjes në Qarkun e Gjirokastrës, nuk ka dhënë dorëheqjen nga drejtues i “Posta Shqiptare”, sh.a, duke zbuluar një skandal që përfshin atë vetë, Ministrinë e Financave nga ka varësinë, por edhe KQZ-ja. Kodi Zgjedhor, në nenin 63 të tij parashikon që zyrtarët e lartë të administratës shtetërore duhet të japin dorëheqjen para se të kandidojnë për një vend në Parlament. Laert Duraj, në pozicionin e administratorit të përgjithshëm të “Posta Shqiptar” sh.a përfshihet në listën e zyrtarëve të lartë shtetëror, referuar përcaktimeve të ligjit për organizimin e administratës publike. Pra, ai duhet të jepte dorëheqjen, më së paku javën e kaluar, kur KQZ-ja certifikoi listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste, përfshirë edhe emrin e Durajt. Por, Ministria e Financave dhe vetë Duraj kanë gjetur një zgjidhje “të mesme”, e cila bie ndesh me Kodin Zgjedhor. Në 19 Mars 2021, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka vendosur “pezullimin e përkohshëm” të administratorit Laert Duraj dhe komandimin në krye të “Posta Shqiptare” të Hipokrat Bibës. Ky dokument gjendet i publikuar në Regjistrin Tregtar të Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB). “Pezullimi i përkohshëm” dhe “dorëheqja” janë dy koncepte shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Pezullimi, aq më tepër i përkohshëm, krijon të gjithë hapësirat për rikthimin e Laert Duraj në krye të institucionit shtetëror. Ndërsa “dorëheqja”, term i cili përdoret pa asnjë ekuivok në Kodin Zgjedhor, përcakton largimin e përhershëm të zyrtarit të lartë shtetëror nga drejtimi dhe çdo lidhje e mundshme me institucionin publik. E, megjithatë, Ministria e Financave ka vendosur që ta “pezullojë përkohësisht”, ndërkohë që vetë Laert Duraj nuk ka dhënë dorëheqjen, duke i vendosur të dy palët në konflikt të hapur me Kodin Zgjedhor. Por, në këtë shkelje ligjore nuk mbetet jashtë as KQZ-ja. Kodi Zgjedhor, në nenin 72 të tij, të titulluar “Dokumentat e kandidimit”, ndër të tjera kërkon “vullnetin e kandidatit për të kandiduar, në të cilin përfshihet, sipas rastit, deklarimi i dorëheqjes nga funksionet e përcaktuara në nenin 63 të këtij Kodi, shoqëruar me kopjen e deklaratës së dorëheqjes, të depozituar pranë institucionit përkatës.”. Ai, edhe “i pezulluar”, mund të ndikojë fuqishëm mbi të gjithë institucionin e ‘Posta Shqiptare” sha., përfshirë edhe presionin e mundshëm mbi stafin që nuk e mbështet dhe që mund të gjendet i papunë pas rikthimit të tij të pritshëm në krye të institucionit. Boldnews.al