Kallzimet e Tahirit, janë presion ndaj ish-ministrit të Brendshëm, sot Presidenti Nishani

443
Sigal

Zoti ministër, gjoba nuk është mjet fitimi, por masë edukuese ndaj shoferëve

Kallëzimi penal nga Ministria e Brendshme ndaj ish-drejtuesve të Ministrisë së Brendshme, nuk bëhet se ministrit Tahiri i dhimbsen paratë e shtetit, por njëfarësoj, duke iu referuar viteve 2011-2012, këto kallëzime penale janë një presion i drejtpërdrejtë që Tahiri adreson ndaj ish-ministrit të Brendshëm dhe sot Presidentit Bujar Nishani.  Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në një konferencë për mediat, dje  në orën 18:00, nëpërmjet një shou mediatik, ka pranuar se ka zhvillime në Policinë e Shtetit, por nuk preferoi të jepte emra, pasi ende nuk është moment i duhur. Ky shou mediatik i Tahirit, bëhet që të dërgojë mesazhe presioni ndaj Presidentit Nishani, meqë marrëdhëniet e qeverisë me Presidencën kalojnë në një fill konfliktualiteti. “Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit ka filluar procesin e auditit të përgjithshëm, ashtu si ka filluar dhe luftën kundër korrupsionit në radhët e Policisë së Shtetit. Përse ministri Tahiri auditimin nuk e fillon nga ish-ministri i fundit?  Nëpërmjet kallëzimeve selektive, ministri Tahiri, duke publikuar periudhën kur ministër i Brendshëm ka qenë Presidenti i tanishëm, mos do t’i thotë atij, që, ose bindju qeverisë dhe dekreto çdo shkesë e ligj që i dërgojnë, ose, ndryshe, të kemi në dorë, me auditimet që bëjmë?

Ministri Tahiri, administrator i të ardhurave nga gjobat e policëve?!

Ministri Tahiri dje pohoi se ka rënë dakord me Kryeministrin, që Ministria e Brendshme, domethënë ai vetë si ministër, të administrojë gjithë të ardhurat e gjobave që vënë policët ndaj shoferëve. Këtë logjikë, ministri Tahiri, e justifikoi duke dashur që ta arsyetojë me perfeksionimin e teknologjisë që i duhet Policisë së Shtetit. Asnjëherë, nuk është lejuar që Ministria e Brendshme të administrojë të ardhurat e gjobave të policisë, sepse, së pari, buxheti i çdo ministrie përcaktohet nga shteti. Kurrsesi një dikaster nuk mund të pretendojë që të administrojë të ardhurat e saj. Si do t’ju dukej, sikur Ministria e Financave të pretendonte që të gjitha të ardhurat e saj t’i administronte ajo për nevojat e saj? Kush do ta kontrollojë ministrin Tahiri, se sa të ardhura vjelin policët ndaj qytetarëve nëpërmjet gjobave? Kush mund ta pengojë revanshin e ministrit Tahiri, që t’i bëjë policët gjuetarë të gjobave ndaj qytetarëve, me pretendimin që të mbledhin sa më shumë të ardhura, që të ….modernizojnë policinë?

Rriten pagat e policëve në masën 20-25 %

Dje është miratuar rritja e pagës për 93% të punonjësve të policisë së shtetit. Rritja e pagës konsiston në përfitimin nga taksa progresive me 5% dhe rritjen buxhetore nga 15-20% pra rritje e pagës në masën 20 deri 25%.

Kallëzim Burgajt dhe 9 ish- zyrtarëve

Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj,  është vënë nën akuzë për shkelje të barazisë në tendera. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka referuar në “Task-Force”, Prokurorinë e Tiranës, kallëzim penal ndaj ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, nëndrejtorit të Përgjithshëm Rasim Borishi dhe tetë anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në këtë drejtori. Akuza që rëndon mbi dy ish-drejtuesit e policisë dhe tetë zyrtarët e tjerë është ajo e shpërdorimit të detyrës si edhe shkeljes së barazisë në tendera apo ankande publike.

Lista e të akuzuarve

Hysni Burgaj –  ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit

Rasim Borishi – ish- zv.drejtor i Përgjithshëm

Kole Kukaj – Kryetar i Komisionit të Vlerësimit

Anëtarë komisioni

Adelina Marashi

Agim Hysko

Besjana Martini

Liza Tafili

Meri Papakonstandini

Klejda Plangarica

Islam Cenga