90 % e holandezëve nuk e duan Shqipërinë në BE

501
Sigal

Holanda është kundër statusit kandidat të Shqipërisë dhe  qeveria e këtij vendi nuk e fsheh. Duke iu referuar sondazheve të opinionit publik holandez, shumë agjenci lajmesh referojnë se 90 % e holandezëve nuk dëshirojnë që Shqipëria të marrë statusin kandidat. E përditshmja holandeze “Netherland Times” shkruan se Holanda gjendet në një pozicion të vështirë në këtë moment, pasi asnjë prej vendeve të tjera europiane nuk e mbështet në dyshimet për statusin e Shqipërisë. Sipas saj, qeveria holandeze nuk e ndien ende që Shqipërisë t’i jepet statusi kandidat megjithëse, ministri i Jashtëm Frans Timermans e ka përshkruar këtë si një gjest politik. Teksa kërkon që edhe vende të tjera që t’i hapur thonë “Jo” statusit të Shqipërisë, Timermans është shprehur se Holanda nuk do të jetë vendi që do të bëjë “Punët e pista” të Europës, duke lëshuar kështu një mesazh disi kërcënues edhe për vendet e tjera skeptike ndaj statusit dhe zgjerimit, por që po preferojnë të rrinë në hije. Edhe të mërkurën në parlamentin holandez, ku shumica u shpreh kundër statusit, ai tha se nëse qeveria e shfaq hapur këtë refuzim, Holanda do të mbetet e vetme në një cep të Europës. Parlamenti ka rënë dakord me propozimin e ministrit duke i dhënë atij kohë deri  sot për të gjetur aleatë të tjerë që kundërshtojnë statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.

“Në vendin tim, në Holandë, imazhi i Shqipërisë ka shumë punë për të përmirësuar”. Ky ishte pohimi ambasadorit të Holandës Martin De La Bej gjatë konferencës kombëtare të antikorrupsionit. Pikërisht ky imazh i deritanishëm i vendit tonë ka prodhuar një skepticizëm tek parlamentarët holandezë, të cilët duhet të vendosin gjatë ditëve në vijim se cila do të jetë vota e Holandës për statusin e Shqipërisë propozuar nga Komisioni Europian. Pikërisht statusi i vendit kandidat të Shqipërisë që do të vendoset në dhjetor ka ngjallur vëmendjen e medias holandeze. Gazeta ‘De Telegraaf’ në një shkrim të disa ditëve më parë shkruan se Holanda mund të jetë vendi i parë në BE që mund të vendosë veton kundër dhënies së statusit të vendit kandidat. Me titullin “Holanda nuk e do Shqipërinë në BE” kjo gazetë shkruan se, shumica e TK (Dhoma e Dyte e Parlamentit, pra pa Senatin), është kundër dhënies së statusit kandidat. Duke marrë në analizë qëndrimet e politikës holandeze sipas ‘De Telegraaf’, Qeveria e Holandës kërkon më shumë progres nga Shqipëria përsa i përket reformave, por nuk e përjashton dhënien e statusit të vendit kandidat. E ndërsa Qeveria e këtij vendi mund të jetë për dhënien e votës pro Shqipërisë në mbledhjen e dhjetorit në Bruksel, ‘De Telegraaf’ rendit partitë politike që janë kundër. “Grupet parlamentare të VVD, CDA , PVV , SP dhe ChristenUnie e shohin Shqipërinë si kandidaturë të papërshtatshme për anëtarësim në BE”, thekson kjo gazetë. Deputeti i VVD Mark Verheijen, i cituar në artikull u shpreh se fundmi se eurofilët janë po aq të rrezikshëm se populistët e djathtë, duke shtuar: “Veç zgjedhjeve, Shqipëria s’ka bërë asgjë. Vendi është i zhytur në korrupsion dhe krimi i organizuar duket i pamundur për t’u shkulur dhe pastruar”.