Avokat Idajet Beqiri: “Gjykata Kushtetuese mori vendim politik për të rrëzuar Aktin Normativ”

520
Sigal

Avokat Idajet Beqiri,  në intervistën për “Telegraf”, argumenton që vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të rrëzuar Aktin Normativ të qeverisë “Për Nëpunësin Civil”, është vendim politik dhe jovendimmarrje juridiko-kushtetuese. Qeveria tani,- sipas zotit Beqiri,- duhet të miratojë aktet nënligjore të 28 neneve të ligjit “Për nëpunësin civil”. Ndërsa, largimet e shkarkimet e bëra në administratën publike nga kjo qeveri, pohon zoti Idajet Beqiri, janë të ligjshme dhe të interesuarit të drejtohen gjykatës, për pretendimet e tyre, por kurrsesi, nuk kanë të drejtë ligjore të rikthehen në vendet e punës.

Cila është domethënia e  rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese të Aktit Normativ të qeverisë “Për nëpunësin civil”?

– Ky vendim e rrëzoi aktin normativ të Këshillit të Ministrave për shtyrjen e afatit të zbatimit të ligjit “Për nëpunësin civil”. Për rrjedhojë,  Ligji 152/2013 “Për nëpunësin civil” është në fuqi, pavarësisht se në formën që ai ka sot është realisht i pazbatueshëm, ose thënë më saktë, është një “ligj për ligj”, një fiksion juridik i pazbatueshëm. Gjykata Kushtetuese, ashtu si gjithë institucionet dhe faktorët e interesuar për hyrjen në fuqi të Ligjit “Për Nëpunësin Civil”, janë të interesuar për ta bërë të zbatueshëm këtë ligj dhe jo që ai të mbetet thjeshtë dhe vetëm një fiksion juridik. Nuk dimë ende çfarë arsyetimi përmban vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por në se është i vërtetë mënyra e votimit, 5 vota pro dhe 4 vota kundër, shumë lehtë kupton se nuk kemi të bëjmë me një vendimmarrje juridike-kushtetuese, por me një vendimmarrje politike! Është për të ardhur keq që politika i ka shtrirë tentakulat e saj deri te anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, të cilët nga rojtar të ligjit themeltar të shtetit, siç është Kushtetuta e vendit, fatkeqësisht, pandershmërisht dhe papërgjegjshmërisht bëhen “roje” të Partisë që i ka emëruar!

– Cilat janë pasojat dhe si duhet të reagojë  qeveria?

– Lidhur me aktet dhe veprimet që janë ndërmarrë deri më sot nga qeveria dhe institucionet e tjera, për emërimet apo shkarkimet nga detyra të nëpunësve të ndryshëm civil, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Asnjë pasojë nuk ka ardhur nga ky qëndrim i Gjykatës Kushtetuese. Kjo për faktin se kështu, siç është ky Ligj, askush nuk i referohet dot, qoftë për emërime, qoftë për shkarkime. Kështu që, domosdoshmërisht, mbetet referimi te ligji i shfuqizuar, deri sa të dalin aktet nënligjore. Këshilli i Ministrave tashmë duhet të bëjë me urgjencë të vetën. Në bazë të nenit 6 të Ligjit “Për nëpunësin civil”, Këshilli i Ministrave ka detyrimin ligjor të miratojë aktet nënligjor,e për ta bërë efektiv këtë ligj. Në plotë 28 nene të Ligjit “Për nëpunësin civil”, Këshilli i Ministrave duhet t’i “mbushi” me akte nënligjore. Pa dalë këto akte nënligjore, ky ligj në më shumë se 80 për qind të tij bëhet i pazbatueshëm. Në këto kushte, lind domosdoshmëri të mblidhet me urgjencë Tryeza e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, për të plotësuar në radhë të parë me disa amendime ligjin “Për nëpunësin civil”. Është mirë që këto amendime të domosdoshme që kanë nevojë t’i bëhen Ligjit “Për nëpunësin civil”, edhe për shkak të ndryshimeve që ka pësuar struktura qeverisëse, të bëhen me konsensus. Por në fund të fundit konsensusi është një akt moral në politikë. Maxhoranca aktuale i ka 84 votat për të mos u penguar në këtë ndërmarrje urgjente.

– Po, shkarkimet që janë bërë deri tani, nga kjo qeveri a janë të paligjshme? A duhet të shpërblehen ata, nga kjo qeveria për ndërkohën që u larguan?

– Nuk kanë asnjë lidhje me këtë ligj. Quhen normale, sepse janë bërë në përputhje me ligjin. Nuk mund të paragjykohen aktet nënligjore që do të dalin nesër nga Këshilli i Ministrave. Pra nuk ka sjellë ndonjë pasoje ky ligj për emërim-shkarkimet. Janë normale, dhe gjithkush që ka pretendime, do vepronte njëlloj, si të shtyhej zbatimi i këtij ligji për 6 muaj, si të mos shtyhej. Pa dalë aktet nënligjore, ky ligj nuk zbatohet dot.