Justifikimi i Bushatit: Votë koherente dhe parimore

631
Në përgjigje të kritikave ndaj qeverisë, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, reagoi duke u shprehur se “në politikë të jashtme nuk e kemi luksin të mos dallojmë faktet nga trillimet”. “Për ata që ende besojnë te faktet, vota e Shqipërisë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk është një votë kundër SHBA, por shprehje e qëndrimit tonë koherent, parimor e të pandryshuar në vite, bazuar në konsensusin ndërkombëtar të shprehur në dokumentet e panumërta të OKB-së dhe Rezoluta të Këshillit të Sigurimit, të cilat kanë fuqi detyruese, sikundër në linjë të plotë me qëndrimet e shumicës dërrmuese të vendeve anëtare të OKB-së, NATO-s dhe BE-së, partnerë historikë të SHBA-ve”, u shpreh Bushati. “Shqipëria – shkruan më tej Bushati – ka votuar në mënyrë konstante pro rezolutave të OKB-së në lidhje me procesin e paqes në Lindjen e Mesme, në tërësi, dhe në veçanti pro rezolutës specifike që trajton çështjen e vendbanimeve në territoret e pushtuara, përfshi Jeruzalemin Lindor, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Ky qëndrim i konsoliduar i Shqipërisë ka qenë e mbetet i njëjtë pavarësisht se kush ka qenë në drejtim të punëve të shtetit, përfshi këtu votimin në vitin 2012 dhe në vitin 2013 e deri sot si shumica dërrmuese e vendeve të OKB-së”.
Sigal