Juristët: Politika po gabon me kryeprokurorin, Llalla s’ka asnjë të drejtë firme

938
Ferdinand Doja dhe Bashkim Sulstarova, cilësojnë të gabuar qëndrimin ende në detyrë të Llallës, kriteret e vendosura nga Kuvendi dhe përpjekjen e politikës për të kapur akuzën
Të premten e javës që lamë pas, Kuvendi vendosi kriteret dhe caktoi afatin për dorëzimin e kandidaturave për postin e numrit një të hetimit në vend. Nesër mbyllet ky afat, ndërkohë që ende ka situata të paqarta lidhur me kriteret e përcaktuara nga Komisioni i Ligjeve për kandidatët dhe për vazhdimësinë e qëndrimit të kryeprokurorit Adriatik Llalla, të cilit i ka përfunduar mandati që prej datës 7 dhjetor. Pas kësaj date, juristët duket se janë të prerë në mendimin e tyre, se Llalla, nuk duhej të qëndronte më në zyrë, por të largohej. Ata shprehen se me Kushtetutë, Llalla, duhej të kishte ikur me kohë, por qëndrimin e tij e lidhin me paditurinë e politikës, madje e konsiderojnë gafë të rëndë. Për juristët i gjithë debati duket se është i tepërt, për aq kohë sa kemi një ligj të ri për organizimin e prokurorisë, po kështu kemi dhe ndryshimet Kushtetuese të një viti më parë. Ferdinand Doja dhe Bashkim Sulstarova, dy penalist të njohur në vend, e konsiderojnë gjithë këtë zhurmë një lojë politike. Për ta, nëse do të ekzistonte vullneti politike, ngërçi me kryeprokurorin, tashmë do të ishte zgjidhur. Ata thonë se për sa kohë edhe prokurori i përkohshëm nuk do të jetë i emëruar dhe do të pritet zgjedhja e një të riu, pasi të ngrihet KLP, policia mund të kishte rënë dakord për të lënë Llallën deri atëherë, duke i dhënë fund kështu gjithë debateve. 
Ferdinand Doja: Qëndrimi i Llallës ende në detyrë, gafë e rëndë e politikës 
Juristi i Njohur Ferdinand Doja në një prononcim për gazetën “Telegraf” u shpreh se kriteret për të qenë kryeprokuror janë të përcaktuara dhe ato flasin qartë. “Sa për kriteret, është e përcaktuar që kandidati duhet të ketë 15 vjet punë dhe të jetë nga radhët e prokurorisë. Pra ai duhet të ketë vjetërsinë e punës, por mund të ketë qenë më parë si gjyqtarë, avokatë, të ketë punuar në radhët e drejtësisë. Nuk është e prerë që ai duhet të ketë 15 vjet punë vetëm në prokurori. Mjafton që të ketë eksperiencën dhe aktualisht të jetë i punësuar në prokurori”, tha Doja. Ai foli edhe për zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm dhe vazhdimin e qëndrimit në detyrë të Adriatik Llallës. “ Është e qartë dhe nuk ka pse të bëhet debat lidhur me këtë pjesë. Kushtetuta e ka të përcaktuar qartë mandatin për kryeprokurorin. Pas pesë viteve, kryeprokurori nuk duhet të qëndroj asnjë ditë më shumë në detyrë, duhet ta dorëzojë atë. Këta luajnë me një dispozitë kalimtare. Por edhe kjo dispozitë e ka të sqaruar dhe i referohet Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Megjithatë politika bënë si të dojë. Ajo e ka vendosur që do të zgjedh një prokuror të përkohshëm dhe ashtu do të bëjë. Llalla duhej të kishte ikur. Në datë 7 dhjetor, në vend të tij duhej të ishte një tjetër prokuror.” tha Doja. Për Dojën politika nuk do të kishte asnjë pengesë për të lënë Llallën në postin e kryeprokurorit, deri sa në vend të tij të emërohej një i ri i propozuar nga KLP, sipas ligjit të ri për prokurorinë. Më tej ai tha se Gjykata Kushtetuese është shprehur edhe më parë për Kryetarin e Gjykatës së Lartë, që deri me ardhjen e kryetarit të ri, në detyrë do të vazhdojë të qëndrojë kryetari aktual. Sipas tij politika ka bërë një gafë të rëndë me çështjen e kryeprokurorit. 
Bashkim Sulstarova: Zgjedhja e kreut të ri të akuzës mund të zgjasë edhe tetë muaj
Një tjetër penalist është shprehur me rezerva për mënyrës se si ka vepruar politika për emërimin e kryeprokurorit të ri. Bashkim Sulstarova i pyetur nga gazeta “Telegraf”, e konsideroi zhurmën e krijuar për kryeprokurorin, një përpjekje për kapjen e këtij institucioni. Sipas tij, tashmë loja nga palët ka nisur se kush do të jetë në krye dhe cilës palë do t’i përkasë, pa marrë parasysh që çdo faturë rëndon mbi qytetarin e thjeshtë. Sulstarova foli edhe për kriteret. “Kandidati për kryeprokuror duhet të ketë vjetërsi, të jetë rrahur me problemet. Nuk është e lehtë të jesh kryeprokuror. Por kryesorja është që ai të mos jetë jetë politik.”, tha Sulstarova. Vazhdimin e qëndrimit të Llallës në detyrë, ai e cilësoi shkelje të ligjit. Sipas tij, që në datë 7 dhjetor, Llalla duhej të ishte larguar dhe në vend të tij, të vendosej një tjetër prokuror. “Patjetër që është shkelje ligji. Parlamenti i shpalli vend vakant. Por këtu në Shqipëri është vend i çuditshëm. Ky edhe mund të qëndroj por nuk ka vullnet politik.”, tha ai. Një tjetër deklaratë e fortë e juristit Sulstarova ka të bëjë me faktin se të majtët nuk kanë besim tek Llalla. “Këta mendojnë se Llalla është i pabesueshëm, dhe deri sa ka njëanshmëri politike, ata nuk e duan më. Kështu pretendohet nga forca politike. Siç dihet Llalla gjithmonë është anuar nga e djathta. Qytetarit i ka rënë brinjë më brinjë, por politika është mbrojtur”, tha Sulstarova. Ai komentoi edhe pozicionin që do të ketë prokurori i përkohshëm dhe jetëgjatësinë e tij në këtë detyrë deri sa të zgjidhet një prokuror me propozim të KLP-së. “ Çdo njeri që vihet në një detyrë provizore ka përgjegjshmëri ligjore dhe ndershmëri. Ai s’mund të bëjë lodra. 

Në këtë detyrë prokurori i përkohshëm mund të qëndrojë gjatë, duke parë se si po shkojnë punët. Mund të qëndrojë 6-8 muaj.” Sa për Llallën, Sulstarova thotë se i kanë rënë kompetencat dhe qëndrimi i tij ende në detyrë, është nul. “Atij i kanë rënë kompetencat dhe ai nuk mund të firmos dhe vulos. Çdo gjë është nul. Në vend të tij duhet të ishte një tjetër i komanduar dhe ai duhej të largohej. Por këtu është luftë politike duke qenë se afatet janë shumë të shkurtra dhe nuk premton asgjë, për këtë duhet të vendosë parlamenti. Ata e kanë një strategji se si do të shkoj procesi për zgjidhjen e kryeprokurorit.” 
Sigal