Thellohet kriza politike/ Shqipëria shkon drejt përplasjes civile. Ministri holandez i Drejtësisë: Protestat janë shprehje e demokracisë

395
ferdinand
Sigal

Dje, protestuesit para ministrisë së Brendshme i zunë rrugën edhe ministrit holandez të Brendshëm dhe të Drejtësisë, i cili ndodhej për vizitë pune në Tiranë. Mirëpo ministri i Brendshëm dhe i Drejtësisë së Holandës, Ferdinand Grapperhaus u shpreh se bllokimi i rrugës nga protestuesit nuk është një problem. Ai theksoi se kjo është demokracia dhe njerëzit kanë të drejtën e tyre të protestojnë. Ai theksoi se protestat janë një shprehje shumë e rëndësishme e demokracisë, javën e kaluar kemi pasur një protestë të madhe në Holandë. Por ai shprehu keqardhjen që në Shqipëri ka pasur raste dhune.

“Në Holandë protestohet për ndryshimet klimaterike. Protestat janë një shprehje e rëndësishme e nivelit të demokracisë, por shpreh keqardhjen që në Shqipëri ka pasur episode dhune.Djegia e mandateve nga deputetë të opozitës nuk ishte zgjidhja e duhur, pasi ne konsiderojmë se problemet dhe debatet bëhen brenda sallës së Kuvendit”, tha ministri holandez. Në vijim ai i drejtoi një apel palëve politike në Shqipëri për zhvillimin e protestave paqësore, ndërsa mbështeti procesin e reformës në drejtësi.Ministri i Brendshëm dhe i Drejtësisë së Holandës, Ferdinand Grapperhaus, deklaroi se vettingu është një hallkë kyçe në të gjithë procesin e reformës në drejtësi. Ndërsa e cilësoi reformën në drejtësi si një kërkesë kyçe, ministri holandez theksoi se pavarësisht vonesave në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, e rëndësishme është që ato të ngrihen në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë.