Ja Strategjia e Reformës në Sistemin e Drejtësisë

596
Dokumenti i Strategjisë së Reformës në Sistemin e Drejtësisë pason Analizën e Sistemit të Drejtësisë, që evidentoi problematikën e këtij sistemi. Synimi i përgjithshëm i procesit të reformës është krijimi i një sistemi drejtësie të besueshëm, të drejtë, të pavarur, profesional dhe të orientuar drejt shërbimit, të hapur, të përgjegjshëm dhe efiçient, i cili të gëzojë besimin e publikut, të mbështesë zhvillimin e qëndrueshëm social-ekonomik të vendit dhe të mundësojë integrimin e tij në familjen evropiane. Analiza e Sistemit të Drejtësisë vuri në dukje se gjendja e tanishme e sistemit të drejtësisë është përcaktuar nga veprimi i kombinuar i shumë faktorëve. Cilësia e dobët e legjislacionit të miratuar gjatë këtyre 25 vjetëve është një prej këtyre faktorëve. Një tjetër faktor i identifikuar nga Analiza e Sistemit të Drejtësisë dhe që ka ndikuar në gjendjen e tanishme të sistemit të drejtësisë, edhe më i rëndësishëm, ka qenë prania e lartë e korrupsionit në sistem. Këtij i duhet shtuar edhe shkalla e ulët e profesionalizmit të funksionarëve të drejtësisë. Sistemi ynë i drejtësisë karakterizohet nga mungesa të thella në njohjen dhe zbatimin e standardeve të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) dhe jurisprudencës së GJEDNJ-së, njohjen e direktivave dhe traktateve të BE-së, legjislacionit të zbatueshëm në kuadër të integrimit evropian, jurisprudencës së Gjykatës Evropiane të Drejtësisë dhe në aftësinë për t’u orientuar dhe referuar te këto standarde.
Synime specifike për reformimin e sistemit të drejtësie për ta bërë atë: të pavarur ndaj çdo lloj ndikimi; të paanshëm në funksionimin e tij; të përgjegjshëm, llogaridhënës, me integritet të lartë moral dhe profesional në të gjitha nivelet strukturore të tij; efiçient dhe profesional; të besueshëm, transparent dhe i aksesueshëm prej publikut; bashkëpunues në nivel institucional kur ushtrohet pushteti vendimmarrës për emërimin e funksionarëve të lartë të sistemit.
Reforma e propozuar kushtetuese dhe e Gjykatës Kushtetuese do të fokusohet: 
Objektivi 1 Ruajtja e ekuilibrave që rrjedhin nga roli i Presidentit të Republikës në sistemin e drejtësisë dhe garantimi i bashkëpunimit mes institucioneve kushtetuese. 
Masat që do të ndërmerren për të realizuar këtë objektiv, kërkojnë ndryshime kushtetuese si dhe miratimin e një ligji organik për institucionin e Presidentit të Republikës. Një tjetër synim i reformës kushtetuese në lidhje me Presidentin do të jetë shmangia e mosmarrëveshjeve të shpeshta kushtetuese ndërmjet Presidentit dhe institucioneve të tjera kushtetuese (p.sh. Kuvendi) për ta bërë sa më efektiv bashkëpunimin ndërmjet tyre. 

Objektivi 2 Ridimensionimi nga pikëpamja kushtetuese i institucioneve që lidhen me gjyqësorin, si Gjykata e Lartë, KLD, Prokurori i Përgjithshëm. 
Një ndër prioritetet e reformës në drejtësi, që pritet të realizohet pjesërisht përmes amendimeve kushtetuese, është shndërrimi i Gjykatës së Lartë në një gjykatë ligji që ka si detyra kryesore ose ekskluzive: i) garantimin e interpretimit uniform të ligjit me anë të procesit të unifikimit të praktikës gjyqësore; dhe ii) garantimin e kohëzgjatjes së arsyeshme të gjykimeve nga gjykatat më të ulëta. 

Objektivi 3. Garantimi i pavarësisë dhe i efektivitetit të Gjykatës Kushtetuese në këndvështrimin kushtetues
amendimet e propozuara kushtetuese do të synojnë: Mirëpërcaktimin e rregullave për zhvillimin e procesit të emërimit të gjyqtarëve kushtetues. Vendosjen e kritereve të qarta kualifikuese për të garantuar një përbërje cilësore të Gjykatës Kushtetuese. Shmangien e politizimit të procesit të emërimit dhe përbërjes së Gjykatës Kushtetuese. Garantimin e funksionimit kolegjial të GJK-së dhe shmangien e qëndrimit të tejzgjatur në detyrë. Respektimin e kohëzgjatjes dhe paprekshmërisë së mandatit kushtetues. Rishikimin e dispozitave kushtetuese për të krijuar modalitete dhe afate të qarta për çështje që kanë të bëjnë me shkarkimin dhe mbarimin e mandatit të gjyqtarëve. Përfshirjen edhe të gjyqtarëve kushtetues në sistemin e llogaridhënies dhe përgjegjshmërisë, duke parashikuar që sistemi i përgjegjësisë disiplinore të tyre të jetë nën autoritetin e një tribunali të posaçëm disiplinor ose nën autoritetin e vetë Gjykatës Kushtetuese. Identifikimin më të saktë të çështjeve që lidhen me juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese, duke synuar shmangien e saj si shkallë e katërt gjykimi, si dhe qartësimin e legjitimitetit të subjekteve të kushtëzuara e të pakushtëzuara që iniciojnë çështje për një gjykim kushtetues.

Objektivi 4. Rritja e efiçiencës dhe efektivitetit të Gjykatës Kushtetuese në nivel ligjor
Objektivat kryesorë lidhur me efektivitetin e Gjykatës Kushtetuese do të arrihen me anë të ndërhyrjeve në ligjin organik, duke synuar: Përqasjen me Kushtetutën të subjekteve që legjitimohen t’i drejtohen GJK-së sipas ligjit organik të GJK-së përmes përfshirjes edhe në ligj të subjekteve që parashikon neni 134/1 i Kushtetutës. Parashikimin e afateve më të arsyeshme për disa nga procedurat që parashikohen në ligjin organik të GJK-së. Garantimin e ushtrimit kushtetues të funksionit nga disa zyrtarë të lartë. Parashikimin e procedurave të detajuara për shkarkimin e Presidentit, shqyrtimin e referendumit, kushtetutshmërinë e partive politike, shkarkimin e kryetarëve të bashkive dhe shpërndarjen e organeve të qeverisjes vendore, dhënien e pëlqimit për ndalimin ose arrestimin e gjyqtarit kushtetues apo të Gjykatës së Lartë që kapet në flagrancë për kryerjen e një krimi, vazhdimin e gjykimit në rastet kur çështja në shqyrtim mbetet pa objekt, shmangien e bllokimit të vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese për shkak të mosformimit të shumicës së kërkuar nga ligji. Garantimin e efiçiencës në kontrollin e referendumeve përmes hartimit dhe miratimit të një ligji të posaçëm për referendumet për rregullimin e mbajtjes dhe organizimit të referendumit si instrument i rëndësishëm i demokracisë së drejtpërdrejtë. Mbrojtjen dhe garantimin efektiv të të drejtave dhe lirive themelore të individit duke parashikuar procedurat që mungojnë në ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Përqasjen me Kushtetutën të parashikimeve ligjore që lidhen me fuqinë juridike të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe qartësimin e fuqisë prapavepruese të këtyre vendimeve. Rregullimin e statusit ligjor të këshilltarëve ligjorë të Gjykatës, si hallkë e pazëvendësueshme në vendimmarrjen e saj, që garanton cilësinë dhe efikasitetin e saj. 
PUSHTETI GJYQËSOR
Objektivi 1 Rritja e aksesit dhe efektivitetit në sistemin gjyqësor nëpërmjet riorganizimit të gjykatave në përputhje me standardet evropiane. 
Ndryshimet kushtetuese e ligjore në lidhje me organizimin dhe funksionimin e pushtetit gjyqësor do të synojnë: Riorganizimin dhe shpërndarjen e gjykatave dhe gjyqtarëve në përputhje me ndarjen e re territoriale. Shtrirjen kapilare të shërbimit gjyqësor në të gjithë territorin e banuar të Republikës dhe zgjerimin e gamës së mosmarrëveshjeve që gjykohen nga një gjyqtar i vetëm. Përcaktimin më të qartë ligjor të juridiksionit të të gjitha llojeve të gjykatave (civile, administrative e penale). Rishikimin e kufijve të kompetencës shqyrtuese të Gjykatës së Lartë, të gjykatave të apelit. Forcimin e rolit dhe funksionimit të gjykatës së shkallës së parë, duke parë gjithashtu mundësinë e riorganizimit të kësaj gjykate në dy nivele: a) gjykatë rrethi (ose gjykatë “paqi”) për gjykimin e padive me vlerë të vogël, padive pa palë kundërshtare, çështjeve të thjeshta administrative etj.; dhe b) gjykatë qarku, të cilat gjykojnë të gjitha çështjet e tjera dhe ankimet ndaj vendimeve të gjykatave të rrethit. 

Objektivi 2 Garantimi i pavarësisë dhe efektivitetit të Gjykatës së Lartë 
Ndryshimet kushtetuese e ligjore lidhur me Gjykatën e Lartë do të synojnë: Shqyrtimin e mundësisë për ta bërë GJL-në pjesë integrale të sistemit gjyqësor dhe rrjedhimisht shtrirjen e kompetencave të KLD-së mbi të. Parashikimin e kritereve kushtetuese që duhet të plotësojnë kandidatët për t’u emëruar anëtarë të GJL-së. Konsolidimin e Gjykatës së Lartë si një gjykatë karriere. Parashikimin e një kuote përfaqësimi në GJL për kandidatë nga jashtë sistemit. Parashikimin e detajuar në ligj dhe forcimin e kritereve dhe procedurave për promovimin në GJL të gjyqtarëve. Parashikimin e detajuar në ligj të kritereve dhe procedurave për përzgjedhjen dhe emërimin në GJL të kandidatëve të jashtëm. Rishikimin e formulës së emërimit të anëtarëve të GJL-së që nuk vijnë nga radhët e gjyqësorit. Garantimin e pavarësisë dhe paanshmërisë së GJL-së duke rregulluar çështjet që lidhen me kohëzgjatjen e mandatit kushtetues të gjyqtarëve të lartë, duke vlerësuar edhe mundësinë e një mandati të pakufizuar. Eliminimin e paqartësive për sa i përket shkarkimit apo mbarimit të mandatit të gjyqtarit të lartë. Rishikimin dhe qartësimin e juridiksionit të GJL-së për të forcuar profilin e saj si një gjykatë ligji përmes ndërhyrjeve kushtetuese dhe ligjore, të cilat do të synojnë: i) forcimin e kompetencave të GJL-së për zbatimin e unifikuar të ligjit; ii) kufizimin e juridiksionit të GJL-së për të rishikuar vendimet e gjykatave më të ulëta vetëm për shkaqe të rëndësishme të ligjit; iii) forcimin e kompetencave të GJL-së për kontrollin e respektimit të parimeve të gjykimit të drejtë; iv) dhënien e kompetencës për të gjykuar mosmarrëveshjet mes gjykatave etj. Rishikimin e dispozitave kushtetuese, duke synuar heqjen e juridiksionit fillestar të GJL-së në funksion të garantimit të barazisë së shtetasve para ligjit, garantimit të së drejtës për një ankim efektiv dhe rritjes së efiçiencës në luftën kundër korrupsionit.
Objektivi 3. Mirëqeverisja e gjyqësorit në funksion të pavarësisë, përgjegjshmërisë, efiçiencës dhe transparencës së tij. 
Ndryshimet me karakter kushtetues dhe ligjor që do të ndërmerren në funksion të objektivit të mirëqeverisjes së gjyqësorit do të synojnë: Rishikimin kritik të shpërndarjes aktuale të përgjegjësive mes institucioneve të qeverisjes së gjyqësorit (Këshillit të Lartë të Drejtësisë, ministrit të Drejtësisë, Zyrës së Administrimit të Buxhetit Gjyqësor dhe Shkollës së Magjistraturës), duke synuar fuqizimin e rolit të KLD-së, ndarjen e qartë të përgjegjësive të qeverisjes mes institucioneve të sistemit të drejtësisë dhe ekzekutivit.
Ndërhyrjet e nevojshme kushtetuese dhe ligjore për KLD 
i) parashikimin e kritereve që duhet të përmbushin anëtarët e KLD-së, me qëllim garantimin e cilësisë, të profesionalizmit, integritetit të lartë moral e profesional të tyre;
ii) përcaktimin qartë të situatës së konfliktit të interesit, përgjegjësisë disiplinore dhe krijimin e mekanizmave të përgjegjshmërisë institucionale të KLD-së dhe përgjegjësisë individuale të anëtarëve të tij; 
iii) ngushtimin e diferencës së tanishme midis numrit të anëtarëve nga radhët e gjyqësorit dhe atyre të jashtëm, ku anëtarët e gjyqësorit do të ruajnë shumicën e vendeve në KLD;
iv) parashikimin e një formule për emërimin e anëtarëve gjyqtarë të KLD-së që garanton përfaqësim proporcional të të tria niveleve të gjyqësorit;
v) parashikimin e një formule për emërimin e anëtarëve jogjyqtarë të KLD-së që zvogëlon diskrecionin e Kuvendit, duke përfshirë në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve propozime nga avokatia, akademia, shoqëria civile, Shkolla e Magjistraturës etj., dhe shqyrtimin kandidaturave dhe renditjen e tyre nga një komitet këshillimor ad hoc;
vi) parashikimin që ministri i Drejtësisë dhe Presidenti të mos jenë në përbërje të KLD-së;
vii) parashikimin që Këshilli i Lartë i Drejtësisë do ta zgjedhë vetë kryetarin e tij;
viii) parashikimin që anëtarët e KLD-së të ushtrojnë me kohë të plotë funksionin e tyre dhe të kthehen në pozicionin e mëparshëm pas përfundimit të mandatit; 
ix) organizimin e KLD-së në dy dhoma, nëse Prokuroria do të jetë pjesë e gjyqësorit, përkatësisht: Këshilli për Gjyqësorin dhe Këshilli për Prokurorinë, të cilat do të kenë kompetenca të ndara përkatësisht për gjyqtarët dhe prokurorët;
x) funksionimin e KLD-së me tri komisione permanente (pavarësisht sistemit një- ose dydhomësh), përkatësisht: Komisioni Disiplinor, Komisioni i Vlerësimit të Karrierës dhe Komisioni i Administrimit, që do të kenë kompetenca të plota vendimmarrëse në fushat përkatëse dhe ankimet kundër vendimeve të tyre do të shqyrtohen në mbledhjen plenare të KLD-së;
xi) përcaktimin e rregullave të qarta procedurale për të gjitha proceset që kryen KLD-ja për të siguruar një proces vendimmarrës transparent; 
• Krijimin e mundësive që strukturat përgjegjëse për qeverisjen e gjyqësorit të kenë kapacitetet e duhura për zhvillimin e politikave dhe të strategjive të sektorit. 
• Suprimimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare.
• Vendosjen, si rregull, të hartimit të detyrueshëm të raporteve të veprimtarisë vjetore për Këshillin e Lartë të Drejtësisë, Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë dhe Prokurorin e Përgjithshëm, që do t’i paraqesin përpara Kuvendit dhe opinionit publik, bazuar në modelet përkatëse evropiane në këtë fushë.
Objektivi 4. Konsolidimi i garancive të statusit të gjyqtarit, përgjegjësisë dhe llogaridhënies në ushtrimin e detyrës në përputhje me standardet evropiane 
Objektivi 5. Garantimi i transparencës së pushtetit gjyqësor dhe të së drejtës për një proces të rregullt ligjor në përputhje me standardet evropiane. 
Objektivi 6. Rritja e efiçiencës së administratës gjyqësore në përputhje me standardet evropiane. 
Objektivi 7. Krijimi i një raporti të ri të sistemit tonë gjyqësor me gjykatat evropiane.
Objektivi 8. Rritja e efektshmërisë së sistemit të drejtësisë nëpërmjet zbatimit të vendimeve gjyqësore dhe vendimeve të arbitrazhit në përputhje me standardet evropiane
Riorganizimi i Prokurorisë
Objektivi 1. Rritja e efiçiencës dhe efektivitetit të drejtësisë penale nëpërmjet konsolidimit të misionit dhe funksioneve të prokurorisë, si dhe përmes riorganizimit të strukturave të saj dhe rishpërndarjes së përgjegjësive mes tyre.
Ndryshimet me karakter kushtetues dhe ligjor që do të ndërmerren për të realizuar këtë objektiv do të synojnë: Rivlerësimin e pozicionit kushtetues të prokurorisë. Riorganizimin e prokurorisë duke synuar: i) garantimin e pavarësisë së brendshme dhe të jashtme të prokurorëve dhe të zyrës së prokurorisë; ii) rishikimin e kompetencave të hetimit dhe përfaqësimit të akuzës në gjykatë duke nxitur kontrollin efektiv dhe balancimin e këtyre kompetencave nga strukturat përgjegjëse; iii) riorganizimin territorial të prokurorisë, me qëllim që t’i përgjigjet në mënyrë të përshtatshme organizimit të gjykatave; iv) sigurimin e pavarësisë së mjaftueshme të strukturave të veçanta të prokurorisë. Qartësimin dhe forcimin kritereve kushtetuese për emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ndryshimin e procesit të emërimit të Prokurorit të Përgjithshëm, duke i atribuar Këshillit të Prokurorisë të drejtën për t’i propozuar Presidentit dy kandidatë të kualifikuar. Ndryshimin e kompetencave të Prokurorit të Përgjithshëm, zgjatjen e mandatit të tij pa të drejtë riemërimi dhe parashikimin e garancive për statusin dhe karrierën e tij pas mbarimit të mandatit. Ndryshimin e statusit dhe përgjegjësive të Këshillit të Prokurorisë, duke e shndërruar atë në një institucion të pavarur kushtetues ose si një prej dhomave të Këshillit të Lartë të Drejtësisë (nëse zgjidhet modeli i prokurorisë pranë pushtetit gjyqësor). Ndryshimin e përbërjes së Këshillit të Prokurorisë, duke siguruar përfaqësimin në Këshill të anëtarëve joprokurorë nga shoqëria civile, trupa pedagogjike, avokatia, etj. dhe një shumicë të prokurorëve. Vendosjen e rregullave të qarta që disiplinojnë pushtetin hierarkik të prokurorit më të lartë, në respekt të parimit të ligjshmërisë dhe kryerjes së hetimeve të pavarura e objektive. Krijimin e një strukture të specializuar antikorrupsion në nivel kombëtar, në përbërje të së cilës është policia, prokuroria dhe gjykata. Krijimin e një sistemi të konsoliduar të të dhënave. Vënien në efiçiencë të plotë të sistemit elektronik të menaxhimit të çështjeve. Përmirësimin e masave ligjore e institucionale që sigurojnë mbështetjen me burimet e kërkuara njerëzore, financiare, teknike e logjistike, si dhe rritjen e ekspertizës zbuluese e hetimore, pajisjen me mjete teknike bashkëkohore etj. 
Objektivi 2. Konsolidimi i garancive të statusit të prokurorit, përgjegjësisë dhe llogaridhënies në ushtrimin e detyrës. 
Objektivi 3. Riorganizimi në tërësi i policisë gjyqësore, duke forcuar dhe përmirësuar statusin e saj, profesionalizmin, përgjegjshmërinë, llogaridhënien dhe efiçiencën.
Objektivi 4. Forcimi i garancive procedurale në fazën e hetimeve paraprake dhe gjatë gjykimit në shkallë të parë dhe në apel.
Objektivi 5. Përmirësimi i Kodit Penal me qëllim harmonizimin e tij me standardet e BE-së.
Objektivi 6. Rritja e efektivitetit të sistemit të drejtësisë penale.
Objektivi 7. Forcimi dhe përmirësimi i statusit dhe pozitës juridike të viktimës në procesin penal 
Objektivi 8. Reformimi i sistemit të drejtësisë për të miturit në konflikt me ligjin duke forcuar sistemin e drejtësisë restauruese dhe mbrojtjen efektive të drejtave të tyre procedurale 
EDUKIMI LIGJOR DHE ARSIMI JURIDIK
Për shtyllën IV të reformës në drejtësi: Edukimi ligjor dhe Arsimi juridik, mbështetur në gjetjet dhe problematikat e konstatuara nga Analiza e Sistemit të Drejtësisë dhe në konkretizim të objektivave dhe masave përkatëse të parashtrua në këtë strategji, në këtë fushë parashikohen amendime në: Ligjin për arsimin e lartë; Ligjin për Shkollën e Magjistraturës; Ligjin për sistemin arsimor parauniversitar; hartimin e legjislacionit për provimin e shtetit në drejtësi; Ligjin për profesionin e avokatit’ Ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit Përmbarimor”; Ligjin “Për Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Privat”; Ligjin “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në RSH”; Ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në RSH”; Ligjin për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve’ Ligjin për noterinë; Ligjin për Avokaturën e Shtetit; Për shtyllën V të reformës në drejtësi, Shërbimet ligjore dhe profesionet e lira, mbështetur në gjetjet dhe problematikat e konstatuara nga Analiza e Sistemit të Drejtësisë dhe në konkretizim të objektivave dhe masave përkatëse të parashtruara në këtë Strategji, në këtë fushë parashikohen amendime në: Kodin e Procedurës Civile dhe Kodit të Procedurës Penale; Ligjin për profesionin e avokatit; Ligjin për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit Përmbarimor; Ligjin për Shërbimin Përmbarimor Gjyqësor Privat; Ligjin për ndërmjetësimin në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve; Ligjin për noterinë; Ligjin për Avokaturën e Shtetit; Ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Drejtësisë”; Ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e policisë gjyqësore”.
Sigal