Ja si i përfituan mashtruesit dhe off-shorët mld. e koncesioneve

57
Sigal

Mashtrues , anonimë, off-shore, janë 7 kompanitë ku “Rilindja” shpërndau miliardat e koncesioneve, të cilat nga dita e dhënies dhe deri kur nisën hetimet, arrestimet dhe arratisjet u mbrojtën nga qeveria si i vetmi model zhvillimi. Kontrata e plehrave që u fitua nga “Integrated Energy bv”, eshtë regjistruar në zonën off-shore të Hollandës dhe se hetimet e SPAK-ut zbuluan se në këtë kompani koncesionare hynë e dolën si “ortakë” apo “aksionerë” kompani të ndryshme të huaja. Ja masakra me Inceneratorët, Dializën, Check-Up, Laboratorët, Sterilizimin etj

Qeverisja e Edi Ramës është shënjuar nga të paktën 7 procedura skandaloze koncesionare (PPP), secila prej të cilave do të ishte e mjaftueshme për të rrëzuar çdo qeveri në një vend normal dhe që do të kishte krijuar nga një burg VIP për zyrtarët e përfshirë.

Në shkurt të vitit 2021, kryeministri Edi Rama mbrojti për të disatën herë procedurat e tij koncesionare. Në një takim në Durrës ai u shpreh se ka tre rrugë për koncesionet – “dy prej tyre janë të këqija, janë ato që ka ndjekur opozita (e djathtë). Ne po ndjekim formën e tretë, e cila është e vetmja pse ekzistojnë koncesionet dhe Partneriteti Publik Privat (PPP)”.

Nuk bëhej fjalë për një “rrugë të tretë politike”. Është një formë, e cila, siç dihej që në krye të herës dhe që po zbulohej zyrtarisht edhe nga hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ka rezultuar një mënyrë e trashë, por efikase për të shkatërruar buxhetin e shtetit. Qeverisja e Edi Ramës është shënjuar nga të paktën 7 procedura skandaloze koncesionare (PPP), secila prej të cilave do të ishte e mjaftueshme për të rrëzuar çdo qeveri në një vend normal dhe që do të kishte krijuar nga një burg VIP për zyrtarët e përfshirë. Tre prej këtyre koncesioneve, pavarësisht formës, janë në sektorin e menaxhimit të mbetjeve-inceneratorët e famshëm. Dhe katër të tjerë janë në sektorin e shëndetësisë, të ashtuquajturit “koncesionet e Ilir Beqaj”. Qindra miliarda lekë të koncesioneve “alla Rama” kanë përfunduar në duar mashtruesish, anonimësh që përdoren si “presta nome” për të tjerë e kompani off-shore që nuk dihet se cilat duar i kontrollojnë.“Bold” po risjell në mënyrë telegrafike se cilët ishin personat/kompanitë që fituan këto kontrata koncesionare.

Kontrata koncesionare u fitua nga kompania “Integrated Energy bv”, e regjistruar në zonën off-shore të Hollandës. Hetimet e SPAK-ut zbuluan se në këtë kompani koncesionare hynë e dolën si “ortakë” apo “aksionerë” kompani të ndryshme të huaja. Por, të gjitha këto lëvizje ishin për të mbuluar ata që prokurorët i konsiderojnë si pronarët de fakto, Mirel Mërtiri e Klodian Zoto, të njëjtët persona që shfaqen tek inceneratorët e Elbasanit dhe të Fierit

Inceneratori i Elbasanit

Në fund të vitit 2014, qeveria shqiptare, nëpërmjet procedurave të ndjekura nga Ministria e Mjedisiti, nënshkroi kontratën koncesionare me afat 7 vjet, me vlerë 22 milionë euro për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Elbasanit. Kontrata u fitua nga kompania “Albtek Energy” në pronësi të Stela Gugallja. Kompania dhe pronarja e saj ishin tërësisht “anonimë”, pa asnjë lloj përvoje, pa staf dhe pa mjetet e nevojshme financiare.

Në foto: Kryeministri Edi Rama (në qendër) dhe pronarja në letra e “Albtek Energy”, Stela Gugallja (në rreth, djathtas)

 Hetimet e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) zbuluan së fundmi se pas koncesionarit përfshihej bashkëjetuesi i pronares në letra, Mirel Mërtiri, një personazh që ka ngritur një skemë mashtruese dhe fiktive, së bashku me bashkëpunëtorin e tij, Klodian Zoto, për të fituar miliona euro publike edhe me koncesionarët e landfilleve të Fierit dhe të Tiranës.

Kompania koncesionare është nën sekuestro.

Inceneratori i Fierit

Në tetor 2016, qeveria e Edi Ramës, po nëpërmjet Ministrisë së Mjedisit, nënshkroi kontratën koncesionare 7-vjeçare, me vlerë 32 milionë euro, për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Fierit. Kontrata koncesionare u fitua nga “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier”, e kontrolluar në shumicë absolute nga “Integrated Technology Service” e Klodian Zotos.

Në foto: (Montazh) Mirel Mërtiri  dhe Klodian Zoto

 Kjo kompani nuk kishte përvojë dhe as kapacitetet njerëzore e financiare për të ndërmarrë përsipër një vepër të tillë. Hetimet e SPAK-ut zbuluan edhe në këtë rast një skemë për qarkullim miliona eurosh nëpërmjet faturave fiktive. Kompania koncesionare është nën sekuestro.

Inceneratori i Tiranës

Në gusht të vitit 2017, Ministria e Mjedisit, si përfaqësuese e qeverisë shqiptare, nënshkroi kontratën koncesionare për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Sharrës, me kosto koncesionare 128 milionë euro dhe me kosto shumë herë më të lartë dhe aktualisht të pallogaritshme për taksat e qytetarëve. Kontrata koncesionare u fitua nga kompania “Integrated Energy bv”, e regjistruar në zonën off-shore të Hollandës. Hetimet e SPAK-ut zbuluan se në këtë kompaninë koncesionare hyn e dolën si “ortakë” apo “aksionerë” kompani të ndryshme të huaja. Por, të gjitha këto lëvizje ishin për të mbuluar ata që prokurorët i konsiderojnë si pronarët de fakto, Mirel Mërtiri e Klodian Zoto, të njëjtën persona, që shfaqen tek inceneratorët e Elbasanit dhe të Fierit.

Prokurorët kanë zbuluar të njëjtën skemë mashtrimi me fatura fiktive, krahas një serie shkeljesh të tjera, që lidhen me korrupsionin e pastrimin e parave.

Kompania koncesionare është nën sekuestro. Pronarët e tre kompanive koncesionare të plehrave, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto e Stela Gugallja, janë në kërkim ndërkombëtar, bazuar në urdhërat e lëshuar nga SPAK-u.

Check Up

Kontrata e parë koncesionare “alla-Ilir Beqaj” është shërbimi i kontrollit shëndetësor bazë, ose “Check Up”. Kontrata parashikonte një kosto koncesionare në vlerë 140 milionë euro dhe kohëzgjatje 12-vjeçare. Koncesioni u fitua në janar 2015 nga kompania “Marketing and Distribution” (M&D), në pronësi të Vilma Nushi.

Në foto: Kryeministri Edi Rama dhe biznesmenia Vilma Nushi (në rreth, djathtas)

 

Shoqëria fituese nuk kishte asnjë lloj përvoje dhe aktiviteti në fushën e shëndetësisë. Aktiviteti tregtar i kompanisë “M&D” ishte tregtimi i pijeve alkolike dhe duhanit, pra asortimente që janë komplet në të kundërt të aktivitetit shëndetësor. E, megjithatë, dyshja Edi Rama-Ilir Beqaj ia dorëzuan kontratën Vilma Nushit, një biznesmene e njohur për afërsinë e ngushtë me kryeministrin rilindas.

Sterilizimi

Një muaj pas “Check Up”, Ministria e Shëndetësisë, nën drejtimin e Ilir Beqaja, nënshkroi kontratën e dytë koncesionare. Kontrata, e nënshkruar në shkurt 2015 me afat 12 vjet, ishte për shërbimin e sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale dhe kosto koncesionare fillestare 80 milionë euro, e cila më pas u rrit edhe ende nuk di të ndalet. Kontrata koncesionare u fitua nga kompania “SaniService”, e cila nga ana e saj kishte 4 ortakë: “Investital” e Ilir Rrapaj, e regjistruar në Kosovë, që zotëronte 40 përqind të koncesionarit, dhe 3 kompani të tjera italiane, “Tecnosanimed”; “U.Jet” dhe “Servizi Italia”.Ilir Rrapaj, që zotëronte shumicën e aksioneve në kompaninë koncesionare, nuk kishte asnjë përvojë në sterilizimin e pajisjeve mjekësore. Ai ishte një ndër qindra mijëra emigrantë shqiptarë në Itali, i cili prej vitesh kishte krijuar një brigadë me 2-3 veta dhe kryenin punë ndërtimore në Peruxhia të Italisë.

Në foto:  “bosi” i Sterilizimit, Ilir Rrapaj

Një muaj para se të fitonte kontratën koncesionare, Ilir Rrapaj krijoi kompaninë “Investital LLC” në Kosovë, me kapital 1500 euro dhe me vetëm një të punësuar, veten e tij. Pra, një person tërësisht anonim, fitoi kontratën 80 milionë euro plus të “Sterlizimit”. Pak ditë më parë, u arrestua me urdhër të SPAK-u për “mashtrim”, në kuadër të hetimeve për kontratën koncesionare.

Hemodializa

Koncesioni i dytë “alla- Beqaj” në Shëndetësi u nënshkrua në shkurt 2016. Kontrata ishte ofrimi i shërbimi të Hemodializës për disa spitale rajonale dhe kosto koncesionare u përllogarit në 80 milionë euro. Fituesi i kontratës koncesionare ishte “E V I T A” shpk, një subjekt anonim, në pronësi të personave po tërësisht anonim në sektorin e biznesit shqiptar, me seli në një lokal lagjeje në Berat. Pasi fitoi tenderin, shoqëria “Evita” u bashkua me “American Hospital” dhe së bashku krijuan kompaninë koncesionare “Dia Vita”.Që prej ditës së parë të këtij koncesioni, ka pasur dyshime të forta publike se pas saj gjendej drejtuesi i Spitalit Amerikan, Klodjan Allajbeu.

Në foto: Kryeministri Edi Rama dhe pronari i Spitalit Amerikan, Klodjan Allajbeu

 Gjatë viteve, në këtë kompani koncesionare kanë hyrë e dalë aksionerë, njëri prej të cilëve, “Arimo” bv”, i regjistruar në zonën off-shore të Amsterdamit, me pronarë të panjohur.

Aktualisht, kompania koncesionare e Hemodializës “DiaVita”, është në pronësi të një fondi nga Suedia, “Diaverium”. Më herët, Autoriteti i Konkurencës ka ngritur pikëpyetje mbi pronësinë dhe aftësinë e “Diaverium” për të marrë përsipër zbatimin e kontratës koncesionare. Kompania, në një reagim publik, shpjegoi se ishte fond investimi dhe kishte mundësi financiare për të vijuar zbatimin e kontratës 10-vjeçare.

Laboratorët

Koncesioni i fundit në Shëndetësi në “erën Ilir Beqaj” ishte ai për ofrimin e shërbimeve laboratorike”. Kontrata, e nënshkruar në dhjetor 2016, parashikonte një kosto koncesionare 130 milionë dollarë dhe afat 10-vjeçar. Tenderi u fitua nga bashkimi i operatorëve “Labopharma Sh.p.k & Exalab & AB Laboratory Solutions”, i kontrolluar në shumicë absolute nga biznesmeni Janis Karathano.

Në foto: Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Bashkë me kryeministrin Edi Rama, ideuan dhe zbatuar formulat koncesionare në Shëndetësi

Kompania “Labopharma” është e regjistruar në Shqipëri në vitin 2017 dhe në kohën e fitimit të koncesionit ishte në pronësi të plotë të Janis Karathanos. Shoqëria tjetër, “AB Laboratory Solution” është një shoqëri e regjistruar në zonën off-shore të Amsterdamit dhe e kontrolluar po nga Karathano. Shoqëria tjetër, “Exalab” është me seli në Francë dhe përbën aksionerin minoritar të koncesionarit të Laboratorëve. Më shumë se një vit më parë, Kontrolli i Lartë i Shtetit konstatoi shkelje shumë të rënda në procedurën tenderuese dhe i sugjeroi Ministrisë së Shëndetësisë që, së bashku me Avokaturën e Shtetit, të gjenin rrugën për zgjidhjen e kontratës koncesionare për “Laboratorët”.