Izet S Çulli: Sa u dhimbset ky popull !

174

Mirë për deputetët me mbi 20 privilegje, që u ngrit gjithandej zëri për të ulur domosdo numrin e tyre, s’u mor parasysh, po tani nga doli kjo dhembshuri për fshatrat që po paken gjithandej në numër e banorë  e që kanë ngelur në mëshirë të fatit

Sigal

 

Këto ditë dëgjojmë se  Parlamenti duhet të vihet në efektshëmri të plotë, kinse për t’i ardhur në ndihmë, sidomos popullsisë fshatare , e cila rropatet gjer në qytet për çdo hall që ka. Ndaj, o burra të rikthejmë komunat që ishin disa  qendra shpërdoruese të fondeve publike, sepse llokmën më të madhe drejtuesit e tyre e mbanin për vete. Mirë për deputetët me mbi 20 privilegje, që u ngrit gjithandej zëri për të ulur domosdo numrin e tyre, s’u mor parasysh, po tani nga doli kjo dhembshuri për fshatrat që po paken gjithandej në numër e banorë  e që kanë ngelur në mëshirë të fatit, ndonëse vetëm me pagat e qindra e qindra punonjësve të komunave, harxhimet do bien përsëri në kurrizin tonë e të tyre po ashtu.

Po ç’shërbim u ka mbetur atyre dhjetra komunave  me personel të tejmbushur (gojët e liga thonë  se mjaft nga ata vazhdojnë të vegjetojnë në punë!). Është vënë re se pothuajse shumica dërmuese  e kryetarëve të komunave , mbas përfundimit të mandatit e kanë lënë krahinën e tyre, (disa u ripasaportizuan në fshat vetëm për të marrë kryetarllëkun!) dhe kanë blerë apartamente të bollshme e lokale tregtare në kryeqytet, zona bregdetare dhe qytetet e mëdha me …rrogat e tyre! Po shërbime kaq të mëdha kryejnë komunat (madje edhe bashkitë i kanë të kufizuara kompetencat) sa t’i rikthejnë në detyrë? Një reformë e tillë territoriale e kryer jo shumë vjet më parë e miratuar në Parlament, nuk mund të zhbëhet plotësisht, por vetëm mund të riparohet  me kalimin e kohës. T’i kthesh siç kanë qenë, do të thotë të bësh punë prej brumbulli, kur ngjit topthin në majë të të plehut…

Ja disa shërbime p.sh. si ato të pronave, ku zyrat e kadastrës janë në qytete si gjithmonë dhe s’u bën lehtësi fshatarëve. Edhe dokumentet për pensione apo grup invaliditeti  përgatiten nga specialistët e mjekësisë dhe paraqiten  në qarkun përkatës. Çertifikatat vetjake e familjare tani realizohen online. Për pronat përsëri  në qytet  do të realizohen , ku janë gjykatat shkallëndryshme si dhe për çështje të tjera të vogla…

Po problem i madh jetik mbetet sistemi arsimor dhe ai mjekësor. Ja, këtu duhet të ndalemi fort. Janë dy sektorë  të rëndësishëm për çdo kohë, me mangësi të shumta sot. Në zona të tëra fshatare të Republikës, ku më parë kishte spitale  me dy e më shumë mjekë e mjaft personel tjetër shëndetësor; tani nuk gjen as infermierë. Kjo po duket edhe gjatë pandemisë së covidit-19, ku njerëzit detyrohen t’i bëjnë vetë injeksionet! Me këtë rast le të marrim si shembull rrethin e Tepelenës, para vitit 1990 me katër spitale në ish-lokalitete të kompletuar edhe me farmaci, laborator klinik, mjek dentist, maternitet. Ndërsa nga dy spitalet më të plotësuar, si ai i Tepelenës dhe Memaliajt, me të gjithë specialitetet e duhur, sot ka rrezistuar vetëm ai i rrethit, që më tepër i ngjan një qendre shëndetësore me spital ditor e disa krevate kryesisht për pneumologjinë. Ky është realiteti i hidhur i këtyre 30  vjetëve!

Për arsimin për të cilin njerëzit tanë kanë sakrifikuar aq shumë në kohë, është një plagë tjetër e rëndë e këtij tranzicioni të pambarimtë. Mjediset shkollore lënë për të dëshiruar, sikurse mësimdhënia që janë të vështira  t’i zgjidhin komunat, për moskompetencë të tyre. Ky është një shqetësim  mbarëkombëtar në fshatra. Është realiteti i hidhur në kohën e sotme.

Po bujqësia e bagëtia (që me parashikimet e tij gjeniale Naim Frashëri, poeti ynë kombëtar, i ngriti në art) të cilat zhvillohen kryesisht në fshatin që po braktiset fatalisht, ç’mund të bëhet nga komunat?!Thuajse asgjë, veç subvencionimit (ndihmës financiare nga organet eprore), mekanizmat ende të papërfillshme për mbjellje -korrje-shirjeve, sistemit të kanalizimeve etj, për të cilat nuk besoj se do të ndikojnë me ngritjen e komunës parazitare.

Mos vraponi zotërinj ligjvënës për t’i vënë këtij populli në qafë një tjetër kular, se boll i ka ato të derisotmet!