E keqja që e kemi ngritur në moral

861
Sigal

Prof.Dr. Zamira Çavo: Jam e vetëdijshme që fjala Moral do cënojë syrin e atyre që e konsiderojnë si të dalë jashtë mode, po ja që çdo shoqëri nuk bën dot pa moral. Sipas një testimi, 76.5% e të rinjve mendojnë se pasurimi vjen nga modelingu, futbolli, ekrani dhe politika, por askush nuk foli për mësuesinë, inxhinierinë, agronominë, veterinarinë etj….

 

E keqja që e kemi ngritur në moral

Jam e vetëdijshme që fjala Moral do cënojë syrin e atyre që moralin e konsiderojnë si të dalë jashtë mode në këtë shoqërinë tonë moderne. Po ja që çdo shoqëri nuk bën dot pa moral. Për rrjedhojë edhe kjo e jona. Puna është se çfarë morali kërkojmë dhe si na shfaqet ai. Ja analiza e plotë botuar nga Telegraf.al nga Prof.Dr. Zamira Çavo.

Tashmë jam e bindur se te ne si shoqëri, e keqja është ngritur në moral! Dhe ta analizojmë së bashku:

01- E gjithë propaganda që bëhet nga mediat vizive i bën jehonë vetëm të “keqes” morale. Këtu nuk është thjeshtë problemi se  diçka që mua më duket e keqe është e pamoralshme, por për faktin se ky model jepet si model i kohës dhe i pëlqyeshëm për shoqërinë. Nuk jam kundër debateve mbi dashurinë apo seksin dhe as pretendoj të debatoj mbi to, por kur këto debate sensitive vulgarizohen nga individë banalë  e “keqja” është aty brënda. Dhe kjo e keqe bëhet model. Përputhen a Big brather, a Love story a Zonë… janë modeli më i keq që synon të ngrerë në moral ( në mos e ka bërë këtë) vulgaritetin , injorancën, tradhëtinë, dembelizmin mendor dhe instiktet t’i shesë për modernizëm! Dhe sikur t’i shtonim këtij arsyetimi dhe  hapsirën televizive që pothuaj të gjitha mediat ua afrojnë njerëzve që me injorancën e tyre ofrojnë vetëm banalitet, atëherë duhet vërtet të shqetësohemi! Tani nuk po na bën përshtypje më as mashtruesi ordiner që mashtron në TV se mjekon çdo sëmundje, as reklamat pafund të “ilaçeve bio” që askush nuk e di se çfarë sjellin si pasojë dhe as mashtrimet vulgare mbi të ardhmen e njerëzimit. Pse kështu? Sepse themi: Kështu bëjnë të gjithë! Pra e keqja është tashmë e ngritur në moral. Jo vetëm që nuk arrijmë të dënojmë revanshin e degjenerimit, por e quajmë tashmë të zakonshme  një sjellje të tillë.” Ç’të keqe ka këtu”  mund të pyesë dikush? Pasojat do i’a shikojmë vetëm pas pak vitesh kur nuk do gjejmë dot më ku fillon e mbaron familja e ku shkenca do shihet si magji e magjia si shkencë!

02- Shkon në një zyrë të administratës publike dhe sapo mbaron punë ( ose edhe për të mbaruar punën) i zgjat para-lekë nëpunësit. E quan të moralshëm një veprim të tillë, sepse tashmë është “gdhëndur” në sjelljen tonë ideja se duhet të japësh para që të zgjidhësh hallin! Dhe kur nuk e bën këtë ndjehesh i turpëruar… kështu dhe korrupsionin e kemi ngritur në sistem moral. Pse ka ndodhur? Sepse përveç trashëgimisë sonë kulturore (nuk është vendi këtu për ta shpjeguar) e gjithë administrata jonë publike ka funksionuar në këtë formë: Më jep: që të mbarosh punë!  Tashti të gjithë themi: Epo kështu bëjnë të gjithë. ndryshe nuk mbaron punë!

03- Shikoni Modelet e njerëzve të” suksesshëm” në Shqipëri, Janë fotomodele, këngëtarë, apo blogerë e blogere që nga mëngjesi në darkë nuk e kanë idenë se çfarë bëhet përrreth tyre. Individë që në jetën e tyre nuk dinë të bëjnë asgjë. Shikoni “humorin“ shqiptar që ve në lojë profesorin, akademikun, njeriun e drejtë… sepse këto modele janë të tejkaluara. Dhe ne të gjithë qeshim e kështu themi: Po kujt i duhet vlera sot? As mjeku, as shkencëtari e as studiuesi nuk konsiderohen më modele për t’u ndjekur. Ama modele të tipit Kallash apo Fifi apo x e y janë ato që pëlqehen e i do publiku! E keqja e ngritur në sjelljen tonë si shoqëri.

 

04- Nuk po ndalem te politika por do t’ju sjell vetëm rezultatet e një testimi të shpejtë të bërë me 150 gjimnazistë të kryeqytetit.

 

Pyetjes :  Cilin profesion do të zgjidhnit për të ardhmen tuaj: Atë që ju sjell më shumë para apo atë që e dëshironi dhe e keni pasionin tuaj?  

93% ju përgjigjën: Profesion që na sjell para! ( dhe ne që bëmë sondazhin e prisnim këtë përgjigje nga mënyra se si e kishim ndërtuar pyetësorin)

76.5% e të rinjve mendojnë se pasurimi vjen nga  modelingu, futbolli, ekrani, politika,  12%  nga muzika, sporti dhe tregëtia e ndeshme dhe vetëm 2 % nga informatika dhe mjeksia! Askush nuk foli për mësuesinë,  për inxhinierinë, agronominë, veterinarinë e të tjera profesione që i duhen shoqërisë. Dhe themi pastaj si ka mundësi kjo shoqëri që po shton jo vetëm numrin e analfabetëve funksionalë por edhe të analfabetëve klasikë që synojnë të fitojnë  para në mënyrën më të lehtë të mundshme!

Pyetja pasuese ishte: Cilat profesione mendoni se sjellin më shumë para?(listoni disa prej tyre)

76.5% listuan  modelingun, futbollin, ekranin, politikën. 12% muzikën, sportin dhe tregëtinë. Vetëm 2 % listuan informatikën dhe mjeksinë! Askush nuk foli për mësuesinë, për inxhinierinë, agronominë, veterinarinë e të tjera profesione, që i duhen shoqërisë! E kuptoni pra se si po skicojmë të ardhmen tonë? Fare thjeshtë: Sipas të keqes së ngritur në model dhe që ne e pranojmë të gjithë në heshtje! Dhe kështu e kemi quajtur të natyrshme jetesën lluksoze të kategorive të listuara nga  të rinjtë që aspirojnë t’u ngjajnë.

 

Pyetjes : A mendoni se i keni aftësitë dhe dijet  tuaja për të arritur atë që dëshironi?

25% u shprehën “Nuk di” , 48% u shprehën : Po i kam! Dhe 27% u shprehën se :Nuk ka nevojë për aftësi të veçanta apo dije për të arritur atë që duam!

Dhe themi pastaj si ka mundësi kjo shoqëri që po shton jo vetëm numrin e analfabetëve funksionalë, por edhe të analfabetëve klasikë, që synojnë të fitojnë  para në mënyrën më të lehtë të mundshme! Sigurisht që mund të themi “po mirë e kanë”!  Kush nuk do të donte të jetonte në lluks duke bërë budallallëqe e duke treguar brockulla nga pishina?

 

Për të gjithë këta unë kam vetëm një fjali : Roma e lashtë u rrëzua pikërisht për shkak të degjenerimit moral të shoqërisë së saj! Ne nuk jemi as si Italia e Franca e as si Amerika dhe Hollanda. Ne kemi një kulturë të trashëguar që nuk na lejon të kuptojmë kufijtë e lirisë dhe përgjegjësitë tona morale.

 

Si përfundim më duhet të qartësoj se: Ky skicim i drejtohet në rradhë të parë politikës dhe shtetit tonë që as dje e as sot nuk po kuptojnë vetë përgjegjësitë që kanë ndaj shoqërisë !

I drejtohet Medias që sot po kryen aktin më barbar të likujdimit të vlerave dhe modelimit banal të së ardhmes!

I drejtohet arsimit që sot më tepër se kurrë po humbet  funksionin e tij kryesor!

I drejtohet familjeve për të kuptuar se ku po e çojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre duke bërë indiferentin e duke thënë se :kështu bëjnë të gjithë”!