Ish-zv.ministri i Industrisë së minierave Martin Cukalla: Miniera në Memaliaj u shkatërrua, një shkatërrim pa përgjegjës, pa fajtorë

1140
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Sot të hapësh vetëm një sektor në Memaliaj duhen investuar 15 milionë USD. Në minierë punonin 550 vetë nëntokë dhe jepnin 160 mijë ton/vit qymyr

Martin Cukalla është një inxhinier i industrisë minerare, i cili për mëse 35 vjet ka drejtuar sektorët më të vështirë të minierave shqiptare nga jugu në veri të vendit. Ka një eksperiencë të madhe në fushën e shfrytëzimit të minierave, por edhe të drejtimit të tyre, ku punën e filloi në Memaliaj. Ishte vitit 1966. Atëherë në minierë punonin afro 550 vetë drejtpërdrejt nën tokë dhe jepnin diku tek 160 mijë ton/vit qymyr. Në këtë minierë ka bërë dhe një takim tepër të ashpër me minatorët ish-kryeministri Mehmet Shehu. Ai sqaron se problemet e sotme të minierave dhe aksidentet brenda tyre kanë të bëjnë me shfrytëzimin pa kriter, por edhe me mos hapjen e minierave të reja, sikundër edhe me mospasjes së kurseve speciale për minatorët, të literaturës së duhur, të statusit, si dhe një dinamikë e madhe e punimeve në miniera. Ndërkaq, sipas tij humbja më e madhe që i është bërë ekonomisë shqiptare ishte mbyllja, apo braktisja në mënyrë mizore e minierës së qymyrit në Memaliaj, një minierë kjo rentabël dhe me qymyr shumë cilësor….

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al : 

-Si operohet sot me minierat shqiptare, janë dhënë me koncesion apo një formë tjetër shfrytëzimi? A ka një ligj të mirëfilltë për shfrytëzimin minerar?

-Minierat që janë aktualisht në punë në Shqipëri nuk janë të dhëna me koncesion, por me leje shfrytëzimi, në përputhje me ligjin minerar në fuqi. Ky ligj është hartuar me asistencën e Bankës Botërore dhe ka hyrë në fuqi diku nga viti 1994. Ishte disi i vonuar, por sidoqoftë vuri në punë shumë miniera kromi, bakri, qymyri e hekur-nikeli. Pas një periudhe degradimi e shkatërrimesh siç ishin vitet 1990-1993, kjo rrugë, edhe pse me shumë mangësi e defekte, mbajti në këmbë disa nga minierat e rëndësishme të vendit. Shumë miniera u rrënuan e u mbyllën përfundimisht.

Si funksionon sot në botë shfrytëzimi i minierave, ato janë nën pronësinë e shtetit apo privatit? Kush është rruga më e mirë e shfrytëzimit?

-Pasuritë minerare është më mirë të shfrytëzohen, sesa të flenë. Përgjithësisht, kudo në vendet me ekonomi tregu, minierat janë objekte private. Shteti ndërhyn në këtë sektor vetëm për nevoja strategjike dhe mbështet një minierë a degë minerare për të shmangur falimentin e saj duke bërë shtetëzim. Kështu veproi Anglia në vitet ’70 të shekullit të kaluar, kur për të shmangur krizën energjetike që shkaktoi bllokimi i naftës nga vendet arabe, ajo investoi e vuri në punë miniera qymyri që kishin 100 vjet të mbyllura. Kur kriza kaloi, këto miniera iu dhanë privatëve me 1 paund. Dhënia me leje shfrytëzimi e pasurive minerare është praktikisht rruga më e drejtë për zhvillimin e këtij sektori. Shteti jep të drejtën e shfrytëzimit të kësaj pasurie tek një subjekt privat që plotëson kushtet sipas ligjit, pa cënuar pronësinë publike ndaj kësaj pasurie.

“Qymyri i Memaliajt është i cilësisë së mirë dhe i vlefshëm për ekonominë e vendit, por nuk ka më miniera në Memaliaj. U mbyllën minierat e tij, u shkatërrua tërësisht ajo bazë e qëndrueshme energjetike e vendit, u rrafshua gjithçka. Dhe është e studiuar se prodhimi i qymyrit në Memaliaj është efiçent nga ana ekonomike dhe i krahasuar me qymyret e importuara. Mirëpo Memaliaj u shkatërrua, një shkatërrim pa përgjegjës, pa fajtorë.

-Aktualisht, minierat që janë në punë a janë në efiçencë dhe a kanë produkt cilësor? Po miniera të reja a po hapen?

-Minierat që janë në punë për kromin, bakrin, hekur-nikelin, materialet e ndërtimit, etj, janë pa dyshim efektive dhe me fitim. Privati nuk mund të punojë pa fitim. Mirëpo, kjo nuk do të thotë që çështjet janë të qëruara e të mbara. Sektori minerar është në një gjendje komplekse me shumë probleme të mprehta sociale, shoqërore e teknike të arsyeve e shkaqeve të ndryshme që lidhen me subjektet private, por edhe me institucionet e shtetit që administrojnë pasuritë minerare. Minierat janë ngritur në rajone me skamje e varfëri dhe nuk mund të mos reflektojnë një shkallë të lartë paligjshmërie e kriminaliteti. Minierat janë ngritur për fitime e në situatë babëzie të përgjithshme nuk mund të mos kemi shfrytëzim ekstrem të minatorëve. Burimet minerare janë të kufizuara, çka jep shkas për korrupsion. Një problem i veçantë që po shpie në një shterim të shpejtë të rezervave të mineraleve është edhe moskryerja e punimeve gjeologo-kërkuese e zbuluese për dekada të tëra. Po mbyllet Munella dhe shumë miniera kromi dhe nuk po jepen leje të reja se nuk ka ku të jepen. Shoh këtu një situatë.

“Pasuritë minerare është më mirë të shfrytëzohen sesa të flenë. Përgjithësisht, kudo në vendet me ekonomi tregu, minierat janë objekte private. Shteti ndërhyn në këtë sektor vetëm për nevoja strategjike dhe mbështet një minierë a degë minerare për të shmangur falimentin e saj duke bërë shtetëzim”

-Ju keni punuar shumë kohë në minierën e Memaliajt. Si ka qenë dikur, sa punëtorë kishte dhe si është cilësia e këtij qymyri dhe a ishte efiçente puna në të?

-Qymyri i Memaliajt është i cilësisë së mirë dhe i vlefshëm për ekonominë e vendit, por nuk ka më miniera në Memaliaj. U mbyllën minierat e tij, u shkatërrua tërësisht ajo bazë e qëndrueshme energjetike e vendit, u rrafshua gjithçka. Dhe është e studiuar se prodhimi i qymyrit në Memaliaj është efiçent nga ana ekonomike dhe i krahasuar me qymyret e importuara. Mirëpo Memaliaj u shkatërrua, një shkatërrim pa përgjegjës, pa fajtorë. Sot të hapësh vetëm një sektor në Memaliaj duhen investuar 15 milionë USD. Ec e gjeji! I kishe sektorët të hapur, tani janë mbyllur e përmbytur nga ujërat. Profesionistët e dinë që duhet hapje e re dhe e përgjegjshme. Ishte një minierë e madhe, e stabilizuar dhe një qendër banimi e mirë. Puna për nxjerrjen e qymyrit kish filluar në vitet e Luftës së Dytë, por u shpall ndërmarrje më 15 Korrik 1949. Dua të theksoj se edhe pse u krijua ndërmarrje 18 muaj më vonë nga Bulqiza, Memaliaj përmirësoi dukshëm më shpejt jetën sociale e shoqërore dhe ishte e dëshiruar nga specialistët. Kur fillova unë punën atje, në vitin 1966, Memaliaj kishte tre sektorë, që ishin në fakt miniera që zhvilloheshin në mënyrë të pavarur nga njëra -tjetra brenda fushës unike qymyrmbajtëse. Atëherë në minierë punonin afro 550 vetë drejtpërdrejt  në nëntokë dhe jepnin diku tek 160 mijë ton/vit qymyr. Në vitet `90 kishin marrë formë të plotë tre miniera të mëdha që mund të jepnin 500 mijë ton/vit qymyr e ku ishin të punësuar direkt mbi 2300 vetë. Memaliaj sipas atyre përcaktimeve ishte një ekonomi e shëndetshme dhe rentabël që justifikonte investimet dhe u përgjigjej nevojave të rritura për lëndë energjetike. Me shndërrimet ekonomiko-sociale Memaliaj iu nënshtrua një analize të gjallë e dinamike të autoriteteve financiare të vendit e të huaj. Konkluzioni i debateve të ashpra shpesh dhe analizave të gjithanshme ka qenë dhe mbetet që shfrytëzimi i qymyrit në Memaliaj është efiçent dhe i krahasueshëm me qymyret e sjella nga importi në Durrës për kapacitetet vjetore 25 mijë ton e sipër.

“Minierat janë ngritur për fitime e në situatë babëzie të përgjithëshme nuk mund të mos kemi shfrytëzim ekstrem të minatorëve. Burimet minerare janë të kufizuara, çka jep shkas për korrupsion. Një problem i veçantë që po shpie në një shterim të shpejtë të rezervave të mineraleve është edhe moskryerja e punimeve gjeologo-kërkuese e zbuluese për dekada të tëra.”

-Nga vizitat e ish-udhëheqësve çfarë do të veçosh?

-Udhëheqësit e partisë vinin vazhdimisht, linin detyra dhe iknin. Ne i përvisheshim punës. Veçoj një takim apo vizitë në vitin 1967 të Mehmet Shehut, i cili mblodhi në sallë disa minatorë, mes të cilëve isha dhe unë. Shtroheshin çështje të fuqizimit të kooperativave dhe bashkimit të tyre si rrugë e modernizimit të ekonomive bujqësore. Ishte një mani shpëtimi, ku bashkimi identifikohej me zhvillimin modern. Një kryetar nga Salaria në diskutimin e vet disi me naivitet dhe jo aq pa hidhësi të dalë nga shpirti propozoi për të bashkuar Salarinë me një kooperativë fushore të Fierit. Mali dhe fusha bashkë! Bagëtia dhe Bujqësia!

Salla qeshi. Mehmeti u vërejt sterrë dhe klithi ashpërsisht i ngritur në këmbë. Një minator i urtë, që e kishim propozuar për hero për ritmet e larta që kish arrirë në avancimin e galerive i tha shokut të vet në krah: “Mos kanë pirë gjë shumë këta!”. E kishte fjalën për të dy, sepse në fakt të dy po i shkumëzonin njëri -tjetrit. Kryetari u hoq nga detyra, minatori shpëtoi pa shkuar në burg, por edhe pse ishte i pari në ritme u anulua propozim mavria për hero dhe nuk shkruajti më asnjëherë gazeta. Hero u bë dikush tjetër dhe për dikë tjetër u shkrua…Kur dëgjoje Mehmetin dridheshe, por kishte dhe intelektualë që dinin si t’i përgjigjeshin sy më sy.

Qëndrimi, “Aksidentet në miniera, situatë vërtet e mjeruar!”

Aksidentet janë në natyrën e disa punëve të sektorëve të vështirë dhe kanë të bëjnë jo vetëm me objektin e punës, por edhe me vetë subjektet që ose punojnë, ose drejtojnë apo menaxhojnë. I aksidentuari e merr përgjegjësinë mbi vete dhe e paguan atë shumë më shumë nga sa i takon. T’i ngarkosh ata që aksidentohen me faj është një turp i madh dhe një krim i ri. Duhet thënë me zë të lartë që përgjegjësitë për aksidentet duhen kërkuar në gjithë këtë situatë komplekse që kemi: asnjë shkollë profesionale për minierat, asnjë kurs, asnjë botim literature a aktivitet kombëtar për mbrojtjen në punë të minatorëve, asnjë qëndresë sindikaliste për kushtet e punës së minatorëve. Një situatë vërtet e mjeruar! Dëgjohen ca zëra të zbehtë nga provinca periferike për statusin e minatorit, ka pasur edhe ndonjë premtim elektoral për këtë dhe asgjë më.