Ish-kryebashkiakja zbeh ”festën” e Ballës, Rira : Investimi nuk vjen nga qeveria shqiptare

477
Sigal

Ish-kryebashkiakja e Përrenjasit Miranda Rira sulmon ashpër deputetin e “rilindjes” të Librazhdit, Taulant Balla, i cili njëherësh është dhe Sekretar i Përgjithshëm i PS-së.

Përmes rrjeteve sociale, Rira shprehet se me bujë të madhe, deputeti i Librazhdit, z. Balla mburret për “investimin më të madh që është bërë ndonjëherë”, siç e quan vetë ai, kanalizimet e ujërave të zeza në Librazhd!

“Nuk është ndonjë favor i madh, të futesh në kredi 10 miliardë lekë principali, plus interesat, banorët e Librazhdit dhe të Prrenjasit, të cilët do ta paguajne këtë faturë të kripur me rritjen e çmimit të ujit! Këtu do jemi dhe do ta shohim këtë “nder” dhe shërbim të madh që ju bëhet qytetarëve!”,- shprehet më tej Rira në postimin e saj.


Postimi i saj i plotë :

Me bujë të madhe, deputeti i Librazhdit, Z. Balla mburret për “investimin më të madh që është bërë ndonjëherë” siç e quan vetë ai, kanalizimet e ujërave të zeza në Librazhd!
E para, pas kaq shumë vitesh si deputet i Librazhdit, dhe pas kaq shumë votash që ka marrë në Librazhd, kanalizimet e ujërave të zeza, nuk mund të ishin projekti i jetës së tij! Premtim i thënë e stërthënë në fushatat e para!
Së dyti, ky investim nuk vjen nga qeveria shqiptare, kjo është gënjeshtër e hapur! Ky investim është një kredi, para me interes e dhënë nga banka gjermane KFW, në vlerën 7.7 milionë euro, dhe jo 7.2 milionë euro. Të gjithë dosjen e kontratës dhe të punimeve e disponoj në shqip dhe anglisht për ata që kanë interes ta njohin atë!
Nuk është ndonjë favor i madh, të futesh në kredi 10 miliardë lekë principali, plus interesat, banorët e Librazhdit dhe të Prrenjasit, të cilët do ta paguajne këtë faturë të kripur me rritjen e çmimit të ujit! Këtu do jemi dhe do ta shohim këtë “nder” dhe shërbim të madh që ju bëhet qytetarëve!
Së treti, në kundërshtim me ligjin për qeverisjen lokale dhe VKM nr 64,datë 27.01.2016 sipas së cilës “Shërbimet e furnizimit me ujë të pijshëm, grumbullimi, largimin dhe trajtimi i ujërave të ndotura (ujërave të zeza), bëhet në bazë të ndarjes së re administrativ-territoriale, pra në bazë të bashkive respektive, për shkak të këtij tenderi korruptim me vlerë 7.7 milionë euro mbahet akoma peng, bashkia Prrenjas, nëpërmjet një fantazme të quajtur sh.a Librazhd, e cila ka hallin te qokat dhe aferat korruptive, dhe jo tek shërbimi ndaj qytetarëve!
Sot, bashkia Prrenjas është e vetmja bashki në Republikën e Shqipërisë që menaxhohet akoma nga sh.a Librazhdi! Edhe pse është një bashki e pasur me burime ujore dhe nëntokësore, ujin e Prrenjasit e drejton dhe përdor sh. A Librazhd, në shkelje flagrante me ligjin 115/2014!
Së fundmi, punimet e kryera janë skandaloze. Përveç bërjes çarçaf të rrugëve të qytetit dhe hapësirave publike, në Prrenjas tubacioni i ujërave të pijshëm, është vendosur poshtë ujërave të zeza. Shikoni foton që e ilustron me mire këtë!
Banorët në Prrenjas dhe në Librazhd kanë shumë ankesa, sepse ata shohin dhe kuptojnë se kjo aferë mban erë dhe këtë me shume se çdo gjë e tregon koha më shi, e cila e nxjerr qytetin mbuluar nga uji dhe rilindjen urbane lakuriq!