Berisha: Opozita të djegë mandatet në mënyrë solemne

464
Ish-kryeministri Berisha propozoi dorëzimin solemn të mandatave nga deputetët e opozitës, pas incidenteve të djeshme në sallën e Kuvendit. Ai sulmoi ashpër kryeministrin Rama për vendimin mbi caktimin e një kryeprokurore të përkohshme. 

Pse ndodhi incidenti me Gardën në Kuvend?
“Në parlament Edi Rama organizoi një pritë cubash ndaj meje. Kërkova fjalën për procedurë, kryetari i parlamentit më kërkoi që të flisja pas parafolësit dhe kështu u veprua. U nisa drejt platformës për të thënë tre minuta fjalët e mira për procedurë. Edi Rama urdhëroi mercenarët, shefin e rojeve të Gardës dhe bëri një pritë, gjë e cila nuk ka ndodhur kurrë në historinë e Parlamentit. Pra pasi kryetari i jep fjalën, një cub, një fundërrinë pa asnjë moralitet njerëzor e pa asnjë parim urdhëron rojet dhe dalin për të më penguar”.

Kush e bëri këtë?
“Vetëm Edi Rama e bëri këtë, nuk e bëri Gramoz Ruçi. Kjo ka një domethënie, se kjo opozitë me këtë parlament e dhunuar në këtë shkallë ekstreme, nuk ka bashkëjetesë dhe i lind e drejta, me këtë që bëri sot Edi Rama dhe emërimin e tij si prokuror i përgjithshëm, të marrë çdo vendim për të përmbysur narko-regjimin e Edi Ramës. Unë e siguroj opozitën se kurrë në pushtet nuk vjen nëse nuk e sjellin ata gra dhe burra që kanë ardhur nga mbarë Shqipëria për të mbrojtur parlamentin e tyre, Kushtetutën e tyre. Në parlament, me banditë të cilët u vënë prita deputetëve, mund të ketë vetëm një gjuhë, djegien solemne të mandateve dhe kjo sepse nuk ka ndodhur kurrë që deputetit t’i organizohet pritë në parlament”. 

Është vendim grupi, nuk do ktheheni më në parlament?
“Këto vendimi i merr grupi, unë po flas si Sali Berisha. Unë po bëj deklaratën time, që në këtë parlament në këto kushte opozita vetëm sa i largohet pushtetit dhe qëllimeve të saj dhe bëhet një horizont e i pakapshëm kur asaj i dhunohen në këtë mënyrë të drejtat më elementare të saj”.

Do ta çoni në Kushtetuese?
“Jo, unë i kam shprehur të gjitha qëndrimet e mia ndaj proçesit. De fakto sot është Edi Rama kryeprokuror, sot Noriega u zgjodh prokuror. Por unë nuk mund të mos u thosha shqiptarëve se rruga e vetme e përmbysjes së narko-shtetit është ndarja me të keqen, dhe e keqja më e madhe e Shqipërisë pas Enver Hoxhës është Edi Rama dhe narko-qeveria e tij”. 

A është kjo protestë për të mbrojtur Kushtetutën apo Adriatik Llallën?
“Në mënyrë absolute dhe kategorike kjo s’ka asnjë lidhje me Adriatik Llallën, ka lidhje me mbrojtjen e Kushtetutës, kushtetueshmërisë, ka lidhje me vetingun që iu premtua shqiptarëve dy vite rresht dhe tani i bënë menderen mbi. Ka lidhje me mbrojtjen e atyre neneve të Kushtetutës, të cilët përcaktojnë se si zgjidhet prokurori i përgjithshëm, ka lidhje me protestën ndaj një mafieje të rrezikshme që ka mbërthyer vendin. Imagjinoni vetëm një moment: Një shoqëri civile, e tëra sorosiane, e tëra e mega-spekulantit të botës George Soros, për gjashtë muaj nuk solli një njeri dhe e la pa krijuar KLP dhe sot u dorëzuan kandidaturat pasi kryen misionin e tyre të ndyrë mafioz. Të gjithave këtyre opozita nuk mund t’u japë përgjigje po nuk u nda me të keqen me forcën më të madhe dhe të përqafojë ata qytetarë, të cilët ç’është e vërteta janë të gatshëm të fshijnë nga karta e kufira, fundërrina, mafie dhe çdo gjë tjetër e të pastrojnë këtë vend”.

Kur flisni për djegie mandatesh keni parasysh bojkotin e parlamentit?
“Jo bojkot, asgjësim mandatesh, do të thotë që asnjë deputet nuk është më deputet”.

Jemi para hapjes së negociatave, a nuk do ishte më mirë që këtë ta zgjidhim përmes ligjit duke e dorëzuar në Kushtetuese dhe jo përmes djegies së mandateve?
“Edi Rama a mos e bllokoi para se të shkonte të mashtronte në Bruksel dhe sapo shkoi mashtroi në Bruksel u kthye dhe e vuri? Edi Rama nuk do negociata, Edi Rama do pushtetin e tij të drogës. Dhe në kushtet kur parlamenti nuk respekton as një rregull, as rregullin më elementar, të drejtën e procedurës kur kryetari ia jep deputetit, dhe mbi kryetarin i nxjerr pritën në foltore atëherë ai nuk është më parlament por është vetëm turp me të cilin duhet ndarë një orë e më parë, dhe garantoj se vetëm ndarja me të keqen është rruga e përmbysjes së narko-shtetit”.
Sigal