Irena Beqiraj: Vëllezër, jo opozitarë!

551
Sigal

Vëllezër, jo opozitarë!

Irena Beqiraj, ish-zëvendësministre e Financës

 

Opozitarë por vëllezër! Ky ishte slogani, i cili në 92-shin, mbi gërmadhat e regjimit komunist, artikulohej pa reshtur, për të mëtuar vëllazëri e paqe midis njerëzish, të cilët në “lojën e re “që quhej demokraci, ndaheshin në këndvështrimet dhe pikëpamjet politike. Opozitarë, kur duhet të ishin të bashkuar, por vëllezër të ngjashëm, atëherë kur duhet të ishin të ndryshëm, në 30 vjet lojtarët e demokracisë të mbirë në rrënojat e komunizmit, as nga paaftësia e as nga mungesa e njohurive, por me zgjedhje të vetëdijshme, krijuan republikën e tifozëve dhe “pushtetin e votës” e zëvendësuan me ”pushtetin e liderit”. Ekonomisti dhe statisticieni Harold Hotelling në studimin e tij “Stabiliteti në Konkurrencë”, ka prezantuar “çelësat” për të kuptuar demokracinë e sotme elektorale. “Partitë politike, në pamundësi për të qenë vizionare, për të ofruar zgjidhje, pikëpamje dhe alternativa zhvillimi, kanë prirje të afrohen më shumë me njëra-tjetrën, duke krijuar një skenar, në të cilin ka pak dallim, midis “të majtës” dhe “të djathtës”. Thënë thjesht, janë të destinuara të luajnë të njëjtën melodi me orkestrantë të ndryshëm. Rezultati padyshim përsëritet i njëjtë, i mërzitshëm, por kurrsesi i rrezikshëm për mbijetesën e tyre. Konkurrenca e ideve që shtyn drejt progresit, vegjeton në paqe. Kushdo që ka lexuar apo analizuar programet politike, apo skuadrat përfaqësuese të partive tona e ka thuajse të pamundur, të gjejë ndryshime thelbësore, të gjejë një alternativë. Për këdo, është e vështirë që në mënyrë racionale, të projektojë të ardhmen e tij mbi fjalitë klishe, premtimet boshe, apo luftën e premtuar e pa kompromis me mullinjtë e erës. “Virtuozët” e orkestrave politike, nën drejtimin e dirigjentëve të paepur për pushtet, përpiqen të tingëllojnë të ndryshëm, duke ofruar vetëm polarizim ekstrem politik. Është pikërisht polarizimi politik, mjeti me të cilin arritën në këto 30 vite, të dobësojnë aftësinë e publikut për të frenuar me votë, veprimet dhe sjelljet e tyre, kundër demokracisë.

Në demokraci, një qytetar qoftë edhe anëtar partie, duhet të konsideronte besnikëri ndaj një force politike, aftësinë për ta kritikuar apo kërkesën për të korrigjuar gabimet e bëra, nga partia e vet. Në partitë tona dhe jashtë tyre ,zotëron besnikëria e tifozëve, e cila është e zellshme, e pamenduar edhe e rrezikshme. Brohoritjet e tifozëve të entuziazmuar, pa asnjë aftësi reflektuese, kanë forcuar vetëm ndjenjën e përkatësisë, që në fakt është thelbi i politikës së sotme populiste.

Politika populiste, si një lojë besnikërie, na ka larguar nga parimi bazë i demokracisë “beso por kontrollo ” dhe i ka lëshuar rrugën parimit “ adhuro pa kushte e pa mend“, ku çdo humbje elektorale e partisë, është e padrejtë (ose një komplot) dhe çdo kritikë ndaj partisë, është vetëm herezi. Ata që nuk pranojnë të duartrokasin, janë tradhtarë. Debati konsiderohet i dëmshëm, pasi shefi suprem i di të gjitha. Pushteti nuk është më mjeti për të jetësuar programin dhe pikëpamjet e përbashkëta, të cilat formësojnë bashkimin vullnetar partiak, por çdo gënjeshtër e sajuar brenda nate, është mjeti që na duhet për marrë pushtetin. Qartësisht, çdo socialist, çdo demokrat, çdo qytetar i thjeshtë, e di që demokracia është braktisur me kohë nga partitë tyre dhe i përket vetëm fjalorit politik. Duket paradoks që votuesit (edhe brenda partive), nuk kanë dëshirë të ndëshkojnë politikanët për mosrespektim të parimeve demokratike. Por në fakt, në kushtet e polarizimit politik dhe në mungesë të alternativave, demokracia nuk është më pjesë e ekuacionit. E vemja zgjedhje që i është lejuar elektoratit, është “të ndajë mendjen”, kush është e keqja më e vogël dhe ta zgjedh atë si i vetmi obligim qytetar i mbetur. Dilema, edhe pse dëshpëruese, nuk është e thjeshtë. Kush është e keqja më e vogël, listat e PS-së, ku brenda saj gjenden persona të papërshtatshëm, shpesh edhe me rekorde penale apo lista e PD mbushur plot me levantinë, (kujto këtë term të Konicës) sharlatanë edhe të paditur, djem e vajza që jetojnë nën hijet e vjetruara, të baballarëve të tyre? Ky ekuacion ka vetëm dy zgjidhje, e para të vendosim në punë instinktin partizan “partia ime e meriton të votohet, sepse është partia ime”, ose të braktisim në mënyrë të vazhdueshme zgjedhjet dhe më pas edhe vendin. Pjesëmarrja e ulët në zgjedhje, tregon se (falë edhe kufijve të hapur të Bashkimit Evropian), më shumë së gjysma e shqiptarëve që nuk votojnë dhe që duan më shumë demokracinë se sa partitë, do ta kenë më të lehtë të ndryshojnë vendin e banimit, sesa politikanët e tyre. E pra, janë këta vëllezër, në dukje opozitarë, që me ngjashmërinë në sjellje e veprime, kombinuar me narrativën e ashpër dhe polarizuese, ia kanë arritur dhe do të vazhdojnë, të forcojnë instinktet duke dobësuar arsyen në vendimmarrjet tona, ia kanë arritur dhe do vazhdojnë të izolojnë progresistët dhe t’i mbushin radhët me tifozë, ja kanë arritur dhe to të vazhdojnë që pushtetin e liderëve të na e shesin si pushtetin votës, duke destinuar çdo mision kërkimi për një “burrë shteti” të përfundojë në gjetjen e një Sulltani.