Irena Beqiraj: Akomodimi i klasës politike “në vend numëro” .

139
Sigal

 

Ndërsa nga salla e KE në një fjalim 54 minuta , në një përsihatje midis të kaluarës edhe të ardhmes, duke servirur një koktejl të paqartë konceptesh , e thënijesh , KM ynë entuziazmoi trurin emocinal, jo racional, nacionalist të kombit më të varfër në Europë , po këtë të enjte , Nuriel Rubini , Ray Dalio , Dani Rodrik , etj, shkruanin për Paqëndrueshmërine më Madhe Stagflacioniste të përjetuar ndonjëherë, që është tanimë një realitet në ekonominë globale.

Ekonomia botërore po përjeton një kombinim toksik ekonomik të rritjes ekonomike të ulët dhe inflacionit të lartë e cila jo vetëm nuk do të jetë tranzitore, por sipas Nuriel Rubinit do të çojë në “paaftësi paguese masive dhe krizë financiare kaskadë ” në mbarë botën në vitet e ardhshme.

Hiper-globalizimi, stabiliteti relativ gjeopolitik dhe inovacioni teknologjik që ndihmuan në mbajtjen e inflacionit nën kontroll për një kohë të gjatë, ku rritja e kërkesës akomodohej nga zgjerimi i ofertës duke mbajtur çmimet e ulta, duket se i përkasin të shkuarës .Sot kushtet e reja demografike, gjeopolitike, klimaterike , ndërprerjet e furnizimit, proteksionizmi më i madh ose procesi i zhvendosjes së bizneseve nga jashtë në vendet e origjinës, kufizojnë edhe do të vazhdojnë të kufizojnë në të ardhmen aftësinë e ekonomive për zgjerimin e ofertës duke rritur kështu presionet e mëtejshme inflacioniste.

Psh vendet që prodhonin 75% të GDP globale po plaken në mënyrë eksponenciale. Rritja e jetëgjatësisë, do të mbajë të qëndrueshme kërkesën për mallra edhe shërbime , por do të ndikojë në nivelin e ofertës për shkak te reduktimit të krahut të punës, duke rritur kostot rrjedhimisht edhe çmimet . Apo, tranzicioni drejt energjisë së pastër është vlerësuar se kërkon rreth 3 trilion dollarë investime në vit për tre dekadat e ardhshme. Nëse një pjesë e konsiderueshme e tij financohet me borxh, siç duket më e mundshme, kjo do të nxisë rritjen e kërkesës agregate globale në një mjedis global tashmë me oferte të kufizuar duke krijuar presion shtesë inflacioniste. Paqëndrueshmëria e Madhe Stagflacioniste globale padyshim do të prekë edhe ekonominë tonë të vogël importuese, e cila vuan edhe nga emigracioni masiv i të rinjve.

Në këtë kontekst me trishtojnë dy gjera: qasja “në vend numëro ” në politikëbërjen ekonomike shqiptare , edhe presioni i ulët publik për një debat të gjerë ekonomik . Qeveria thotë që i ka skenarët antikrizë gati. Ndërkohë kjo nuk është më një krizë, por një cikël i ri ekonomik fatkeqësisht inflacionist. Për çfarëdo skenari të jetë e përgatitur qeveria, në këtë realitet të ri të vështirë ku oferta agregate ka humbur elasticitetin politikat fiskale (skenarët e qeverisë) apo edhe politikat monetare( skenarët e BSH) janë të pamjaftueshme. Vetëm politikat, që synojnë rritjen e produktivitetit në bazë të gjerë do të zbehnin efektet e kombinuara të rritjes së çmimeve.

Së dyti, përtej këndshikimit rezeshkurtër “deri tek maja e hundës” i qeverisë, më impresionon opozita e fokusuar tërësisht tek “grimi demokratik ” i primareve , duke lenë tërësisht jashtë fokusit adresimin “e udhëkryqit ekonomik” , një çështje, e cila mund ta shëndronte në alternativë, nëse ajo do të ofronte përgjigje të qarta e bindëse për të.

Edhe së fundi , fatkeqësisht duket se opinioni ynë publik posedon vetëm trurin emocional. Kjo duket qartazi në ndjeshmërinë kaq e lartë kundrejt çështjeve, qëndrimeve, fjalimeve nacionaliste pa asnjë vlerë të shtuar qoftë në lëmin diplommatik e qoftë në lëmin zhvillimor kombëtar. Mos “ulërritja ” e pyetjes ” ku dreqin duhet ta drejtojmë ekonominë tonë edhe si duhet ta bëjmë ketë” , është akomodimi më i madh që jepet klasës politike ” në vend numëro ” e cila për të mbajtur pushtetin, apo për ta marrë atë, është kaq bujare në ofrimin e provokimeve emocionale, duke na atrofizuar kështu tëresisht racionalitetin. Shqipëria e vogël nuk e ka luksin të ketë, e aq më pak të akomodojë një klasë të tillë politike!