Bashkitë bëjnë kërdinë/ Kryebashkiaku Kastriot Gurra jep tender 123 mln lekë për blerjen e 4 kamerave që lexojnë targat dhe numërojnë njerëzit

179

Gurra jo në pak raste është kapur me presh në dorë, në tendera me flamur të kuq, ku ka një mungesë të theksuar konkurence dhe me fonde limit tejet të fryra ç’ka lë hapësirë për abuzime.

Sigal

 

“Ujku, ujku, por çakalli bën kërdinë”. Kjo është shprehja me e përshtatshme për bashkitë e vogla të vendit tonë, që edhe pse nuk kanë në dorë ndonjë buxhet fort të majmë, bëjnë kërdinë me tenderat që realizojnë. Kjo pasi jemi mësuar të shohim abuzime kolosale nga bashki të mëdha që luajnë me tendera qindra milionësh, por së fundmi vihet re se dhe tenderat e mbajtur nga bashkitë e vogla kanë abuzime me qindra milionë lekë. Një bashki që mban kampion për shifra tej mase të fryra është Bashkia e Librazhdit, e drejtuar nga Kastriot Gurra. Gurra jo në pak raste është kapur me presh në dorë, në tendera me flamur të kuq, ku ka një mungese të theksuar konkurence dhe me fonde limit tejet të fryra ç’ka lë hapësirë për abuzime. Së fundmi titullari i kësaj bashkie, Gurra u kap gafil edhe me automjetin e tij personal për të cilin nuk dispononte dokumentacionin e nevojshëm dhe i vendoste targa të ndryshme në periudha të ndryshme. Por këtë herë bëhet fjalë për tenderin me numër reference, REF -43581-09-27-2022, me objekt, ‘Instalim kamera sigurie në rrugët kryesore të qytetit (faza e dytë), me fond limit 123 milion e 379 mijë e 700 lekë. eksa sheh vlerën e fondit dhe ke kaluar një herë të vetme në Librazhd, imagjinon se qyteti do blindohet nga qindra kamera nëpër të vetmen rrugë kryesore që qyteti ka me një gjatësi lineare jo më shumë se 1 km. Mirëpo teksa hyn më në brendësi të tenderit dhe sheh me hollësi kërkesat dhe kushtet që Bashkia e Librazhdit ka ndaj firmës që do realizojë këtë tender, tenderi merr përmasat e një skandali. Bashkia kërkon të blejë me 123 milionë lekë vetëm 4 kamera dhe mjetet e tjera të shërbimit për këto kamera si NVR e përgjithshme me 128 kanale, monitor 32 polësh, fibër optike dhe softëare për menaxhimin e kamerave të sigurisë. 4 kamerat janë specifike pasi njëra nevojitet me ngjyra, një tjetër nevojitet me panel diellor dhe bateri, ndërsa dy të tjerat duhet të jenë kamera specifike që lexojnë targat e makinave dhe numurojnë njerëzit në veçanti. Nëse bën sens që pavarësisht lekëve pa hesap që paguan të kërkosh një kamer që lexon targat e makinave, nuk ka asnjë logjike normale që mund të besh për të justifikuar blerjen e një kamere që numëron njerëzit. Për çfarë arsye bashkisë i nevojitet një kamer në rrugën kryesore të qytetit për të numëruar njerëzit? Kujt do t’i bëjë apelin Bashkia Librazhd? Data e mbajtjes së tenderit ka qënë data 13 tetor, por edhe pse kanë kaluar disa ditë nuk ka një njoftim se kush kompani dhe me çfarë vlere finale fondi e ka fituar tenderin. Askush nuk e vret mendjen të sqarojnë këto anomali qindramilionëshe në këtë vendin tonë të çudive. Çuditë këtu tek ne nuk kanë fund ashtu sikurse të bën çudi dhe arsyeja se përse asnjë organizëm ligjor nuk ndërhyn duke investiguar dhe marrë masat për t’i dhënë fund shpërdorimit të taksave të qytetarëve. Institucione ligjzbatuese si prokuroria apo SPAK janë ngritur pikërisht për të mos lejuar abuzime të tilla që bëhen në kurriz të qytetarëve dhe afër mendsh që pritet një reagim nga këto dy institucione kur shkeljet bëhen kaq flagrante.