Migena Neli
Intervistë me Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi
Me kapon e organizatës kriminale që ka emrin “Qeveria Rama” nuk do të jetë asnjë hap në rrugën e integrimit. Bisedimet do të ngecin që ditën e parë të fillimit të tyre.
Republika e Maqedonisë së Veriut ka votuar ‘pro’ propozimit francez duke bërë të mundur që të hapet rruga për RMV dhe Shqipërinë drejt çeljes së negociatave të dy vendeve me Bashkimin Europian. Për të kuptuar më shumë rreth situatës dhe asaj se çfarë do të presë Shqipëria në këtë raund bisedimesh në Bruksel kemi zhvilluar intervistë me Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçin.
Si e shihni situatën e integrimit të vendit pas votimit pro marrëveshjes së propozuar nga Macron në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut?
Votimi në Kuvendin e Maqedonisë i propozimit të presidentit Macron për t’i dhënë zgjidhje konfliktit me Bullgarinë përfundimisht i hapi rrugë një procesi të ri në rrugën e integrimit europian të Maqedonisë së Veriut dhe të Shqipërisë. Ishte situata e krijuar në Ukrainë dhe sulmet ushtarake të Vladimir Putin kundër saj ato që diktuan angazhimin e fuqishëm europian për të shënuar një hap më përpara në integrimet e rajonit tonë.
Europianët dhe amerikanët e përdorin Edi Ramën për disa projekte të tyre. Sado që me fjalë ai hiqet si sovranist, në Europë e SHBA e dijnë tashmë se është thjesht një internacionalist i tipit Soros.
Por hapja e negociatave për pranim është vetëm fillimi. Turqia i ka hapur këto negociata në vitin 2005. Por ka shënuar hapa prapa në integrim, aq sa tani vetë turqit nuk e duan integrimin europian. Mali i Zi negocion prej dhjetë vitesh dhe Serbia prej tetë vitesh. Serbia është vendnumëro për shkak të konfliktit që ka me Kosovën dhe vendet e saj fqinjë dhe për shkak se vendin e qeverisë mafia. Mund të hapësh pra negociatat e njëkohësisht të bësh vendnumëro! Me kapon e organizatës kriminale që ka emrin “Qeveria Rama” nuk do të jetë asnjë hap në rrugën e integrimit. Bisedimet do të ngecin që ditën e parë të fillimit të tyre. Hapja e negociatave është thjesht një shprehje e vullnetit të mirë të Bashkimit Europian, me të cilin ai na thotë “Hajdeni tek ne, por pasi të jeni bërë si ne”! Nuk besoj se ka njerëz kaq të marrë, përveç të korruptuarve të Brukselit, që ta pranojnë sidomos Shqipërinë me gjthë këto probleme dhe skandale të përditshme!
Delegacioni shqiptar do të niset drejt Brukselit këtë të hënë çfarë mendoni se do të arrihet në këtë raund?
Unë do të doja që të hënën të dilja e ta përcillja delegacionin që shkon në Bruksel. Por ama në kushte normale dhe i vetëdijshëm se në e meritojmë stadin e arritur për integrime. Por kur shoh se raportet ndërkombëtare, institutet e statistikave europiane dhe ato studimore e nxjerrin vendin tim në vend të fundit në Europë e përkrah vendeve të Afrikës në indekset e korrupsionit, krimit të organizuar, trafiqeve, lirisë së medies dhe të fjalës së lirë, etj, atëherë nuk dal dot, sepse do më vinte turp të më shihte dikush. Delegacioni shqiptar do të shkojë në Bruksel dhe thjesht do të bëjë një ceremoni. Këtë ceremoni Rama do ta shesë si sukses të madh të qeverisë së tij. Kaq do të jetë gjithë shfaqja e radhës.
Unë do ndjehesha shumë keq të isha në atë takim të përbashkët të të dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe asaj të BE-së! Sepse thellë-thellë pala europiane do të detyrohet të formulojë disa fjalë të bukura, ndërsa brenda vetes ka një zemërim të madh. Po bisedon me kryeministrin e një vendi të korruptuar në shkallën më të lartë në historinë e tij. Ka përballë një kryeministër që jo vetëm është i korruptuar, por kërkon me ngulm të pastrojë paratë e krimit të tij dhe organizatës kriminale që ai drejton. BE të martën do të jetë në një tryezë me Edi Ramën, i cili ndërsa diskuton për integrim në BE, monitoron çmimet e karburantit në dobi dhe interes të oligarkëve! Ka në tryezë një kryeministër që e drejton vendin me akte normative e jo me ligje dhe kushtetutë! Eshtë e tmerrshme kur e mendon se si është shkelmuar shteti i së drejtës në Shqipëri dhe kur sheh se si kryeministri i këtij vendi me qeverisje absurde përpiqet t’i japë mend delegacionit të BE-së! Kjo do të ndodhë edhe të martën!
Shqipëria është përballur me një sërë skandalesh ku është vënë në rrezik siguria e të dhënave personale të qytetarëve, ndërsa së fundi po ndeshemi me një fenomen si ai i inceneratorëve, a mendoni se do të ketë ndikim në vendimin për çeljen e negociatave me BE?
Skandalet në Shqipëri nuk kanë fund, aq sa ne shqiptarët tashmë nuk besojmë në ndonjë qeverisje që mund të vijë pas kësaj, sepse nuk besojmë në kohë jo skandalesh! Këto skandale janë unikale në llojin e vet. Në mjetet që janë përdorur për vjedhjen e pasurisë kombëtare. Në metodat e perfeksionimit të kësaj vjedhjeje. Imagjino, njeriu ka ndërruar jetë prej më shumë se pesë vitesh dhe vazhdon e formos urdhëra bankarë, qarkullon miliona euro në konto e kështu me radhë. Tjetri është 95 vjeç në azilin e pleqve dhe papritur nga mediet merr vesh se paska në konton e tij miliona euro. Dikush mbledh kanaçe, sepse nuk ka me çfarë të jetojë, ndërkohë që mafia pa dijeninë e saj e ka bërë milionere. Një bari në Greqi po ashtu mbarështon atje derrat apo lopët, rri në pleh gjithë ditën, sepse nuk e di se në Shqipëri është milioner.
Ndërkaq kryeministri e vendit tonë dëshiron të bëjë ligjin për pastrimin e këtyre parave. Sepse këta njerëz nuk janë pjestarë të familjeve të politikanëve. Për këtë kategori njerëzish bëhet ligji i pastrimit të parave dhe legalizimit të tyre. Jo më kot është aty ajo shumë prej 2 milionë euro. Shpërndahen këto para në shumë duar me nga dy milionë dhe bëhen të pastra me 7 përqind taksë. Ndërsa mua që punoj pa pushim qeveria më mban 35 përqind të të ardhurave mujore! Me këto akte jo që nuk do të nisin negociatat konkrete, por ka rrezik që Shqipëria të vendoset në një dhomë pritjeje pa afat, derisa t’i japë fund kësaj rrëmuje në qeverisjen e saj. Dhe skandalet nuk do të marrin fund me inceneratorët! Ky është njëri prej tyre. Do ketë edhe skandale të tjera, deri te përgjimet me kryeministrin!
Delegacioni shqiptar do të shkojë në Bruksel dhe atje do ketë vetëm një ceremoni që do e shesin si sukses.
Çfarë ndikimi mendoni se do të ketë politika e Kryeministrit Rama, i cili është treguar mjaft i ashpër në deklaratat e tij ndaj SHBA e BE te vendimi për integrimin e vendit?
Nuk besoj se SHBA dhe BE e marrin aq seriozisht sa e marrim ne Edi Ramën. Madje kam përshtypjen se Rama kur flet kundër BE-së dhe SHBA-ve këtë e bën vetëm në gjuhën shqipe, sepse i duhet për konsum të brendshëm. Ka plot naivë që besojnë te “Shqipëria shkëmb graniti në brigjet e Adriatikut”! Pikërisht kjo kategori e pëlqen diskuursin e zotit Rama. D.m.th duhet të zgjohen shqiptarët, ta refuzojnë kryeministrin e tyre dhe më pas të ndëshkohet ai me votën e qytetarëve.
Europianët dhe amerikanët e përdorin Edi Ramën për disa projekte të tyre. Sado që me fjalë ai hiqet si sovranist, në Europë e SHBA e dijnë tashmë se është thjesht një internacionalist i tipit Soros. Si i tillë ai nuk ka asgjë të përbashkët me sovranitetin e vendit që drejton. Në fund të fundit një sovranist më së pari mbron territorin e vendit të tij, ndërkohë që Edi Rama është gati që për pushtetin e tij të shesë territoret e Shqipërisë e të Kosovës bashkë! Nuk shkojnë bashkë edhe sovranizmi, edhe tentativa për ndarjen e Kosovës apo dakordësia për t’i falë Greqisë detin shqiptar të Jugut të vendit. Janë dy gjëra që bien ndesh më njëra-tjetrën. Edi Rama e ka bërë me kohë paktin e tij me djallin kundër sovranitetit dhe integritetit të Shqipërisë. Madje duhet të ruhemi prej tij pikërisht në atë moment kur rikthen retorikën e sovranistit!