Intervista/ Dr. Vili Minarolli: Kapjen e Reformës në Drejtësi, nuk e shpëtoi as puthja e dy ambasadorëve në Kuvend, që i ngjante ballkonit “veronez të Romeo e Xhuljetës”

184

“Shqiptarët menduan se ëndrra e tyre po bëhen realitet me votimin unanim të Reformës në Drejtësi. Por planet ishin hartuar në fshehtësi, tek ai fondacion famëkeq, që deri tani i ka sjellë vetëm dëme këtij vendi dhe kombi. Pas asaj mbrëmje gjithçka mori për mbrapsht. Paratë e taksapaguesve amerikanë dhe europianë u sakrifikuan për të krijuar një sistem të shtrëmbër në dorë të një sekti kriminal, pjestarët e të cilit që duhej të ishin të parët ndër të akuzuarit për vjedhje…”

Sigal

Rrëzimi i Bustit të diktatorit Hoxha, 32 vite më parë , zgjoi shpresat e qytetarëve për një  Shqipëri europiane. Por edhe pse kanë kaluar mbi 3 dekada përsëri jemi në të njëjtën situatë të rëndë të viteve 1990: Në varfëri dhe mjerim, papunësi dhe emigrim masiv, madje edhe më të madh se në vitet e para të pas demokracisë. “Drejtësia e Re” risolli në pushtet ish hetuesit e burgjeve politike, u kap nga qeveria Rama dhe oligarkët e tij, për t’i shpëtuar vjedhjeve dhe grabitjeve që i kanë bërë pasurisë kombëtare. Gjykatat në bashkëpunim me sektin në pushtet , pasardhës të Partisë Komuniste po tentojnë të zhdukin pluralizmin. Kanë korruptuar drejtuesit më të rëndësishëm të FBI. Po bashkëpunojnë me oligarkët rusë, duke i futur një thikë në zemër marrëdhënieve me partnerin strategjik SHBA-të. Kryeministri Rama , njeriu i implikuar në skandalin e rekrutimit të ish-agjentit të lartë të FBI, e ka përdorur atë me rushfete financiare dhe joshur me jetë të shfrenuar, për ta përdorur kundër opozitës dhe politikanëve kundërshtarë në Tiranë. Rama nuk paraqitet në Kuvend për të raportuar, ndaj opozita ka nisur protestat, e Revolucionit Demokratik paqësor. Zgjedhjet po afrojnë, por me vendim politik gjykata mban peng opozitën, ndërsa ambasadorët që josheshin në det dhe bënin orgji në jate oligarkësh tashmë rrinë të menderosur, sepse: pikërisht për këto çështje, Gazeta ‘Telegraf’, ka zhvilluar një intervistë të gjatë me Dr.Vili Minarolli, ish-themelues i PD-së, Kryetar i PD për Tiranën, deputet dhe ish-Ambasador në Greqi dhe Austri. Ja pjesa e parë e intervistës zhvilluar me Drejtorin e Gazetës ‘Telegraf’:


Ka një vit që gjykata e Rilindjes mban peng një vendim që ka të bëjë thjesht me legjitimin formal e vullnetit të antarësisë të një partie politike. A është edhe kjo një manovër e mazhorancës dhe ambasadores amerikane për tëpenguar opozitën më të madhe të vendit nga pjesëmarrja në zgjedhjet e qershorit?

Pa asnjë dyshim dhe siç shprehen  specialistët e jurisprudencës, precedenti është në shkelje të plotë të ligjit. Arsyeja është  e thjeshtë dhe e kuptueshme. Në skandalin që ka shpërthyer nga drejtësia dhe Kongresi amerikan për lidhjet e dyshimta të kreut të sektit dhe kryeagjentit të FBI-së, e vetmja rrugë, që mund ta relativizojë këtë pjesëmarrje korruptive e deri në tradhëti ndaj partnerit tonë strategjik, është përjashtimi i dhunshëm dhe antiligjor i opozitës nga zgjedhjet dhe përfshirja e vendit në një amulli, që do të cënojë rendin kushtetues dhe të ardhmen europiane të vendit. Kjo është “komardarja e shpëtimit” të kreut të sektit në këto ditë që ngrehina e tij prej rëre rrezikon të shëmbet duke vënë nën vete atë dhe sektin e tij kriminal. Prandaj unë e quaj me vend atë parrullë të opozitës që ‘Atdheu është në rrezik’ dhe duhet që të gjithë shqiptarët që e shikojnë të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre në këtë vend, t’i dalin zot. Kjo thirrje është po ashtu e fuqishme  edhe për ata, që përbëjnë gjysmën e popullsisë të vendit, që ky atdhe është dhe do të mbetet edhe atdheu i atyre. Sot për arsye objektive apo të diktuar nga mungesa e shpresës dhe e dorëzimit të vendit në dorë të oligarkëve të pangopur dhe bandave të krimit të organizuar, që mbështeten nga qeveria, kanë qenë të detyruar të largohen nga vendi, për të siguruar një të ardhme më të mirë për familjet e tyre.

Në mandatin paraardhës me një veprim të paprecedent, opozita njoftoi largimin nga Kuvendi, duke i dhënë mundësi mazhorancës të “plotësonte” me marionetat e tij vendet vakante. Një parlament i tillë jashtë numrit të përcaktuar me Kushtetutë, ishte krejt antiligjor. Por mazhoranca i kishte dalë përpara edhe këtij handikapi. Atë kohë kishte muaj që ishte suprimuar Gjykata Kushtetuese, shtylla mbrojtëse e një shteti ligjor. E dimë tani trashëgiminë e turpshme që na la ai parlament. Por misioni i shkatërrimit të opozitës, ose për ta bërë atë të pa qënë si e tillë , ishte vendosur me kohë. Finalja ishte ajo mbrëmje kur u mbyll Çadra e famshme, që proklamoi me aq bujë“Republikën e Re”, dhe që pasoi me një takim disa orë kokë më kokë me kreun e sektit, duke përfunduar në një pazar përfitimi material për kreun e opozitës me “dhuratën” e disa ministrive dhe disa drejtorive me lekë, po sipas modelit tashmë të njohur të pazarit: “më jep, këtë të jap atë”. Atë kohë nuk dihej se deri ku shkonte tradhëtia e kreut të opozitës, që ishte kapur me presh në duar nga mazhoranca, që mbështetej nga zyrtari i lartë i administratës të sigurisë amerikane. Me këto letra shantazhi erdhën në zyrën e tij që nga ambasadorja amerikane, që i kërcënoi demokratët me “ngrënien e barit!” e deri tek të dërguarit e posaçëm të DASH, si një mision që duhej çuar deri në fund me largimin e liderit historik të PDSH edhe nga parlamenti. Pas kësaj njerëz anonimë në partinë demokratike, persona që e kishin përfituar ose blerë postin e deputetit ose nga lidhje vasaliteti ndaj kryedemokratit ose duke paguar shuma jo të vogla me shpresën që: ose nga partia e tij ose nga sekti, do arrinte dhe t’i shumëfishonte financat e shpenzuara, do të viheshin tërësisht në shërbim të mazhorancës për t’i siguruar votat në votimet e cilësuara. Ish kryedemokrati e mbaroi “misionin “ e tij, i diskredituar dhe tani me naivitetin e tij dhe sigurisht me ndihmën e atyre që e kanë peng, mendon se mund të vazhdojë të përfitojë financiarisht, duke u dukur se ka mbështetës në rradhët e demokratëve. Blindimi i godinës të PD ishte fundi i turpshëm i karierës së tij politike. Pastaj ndodhi ajo më e pabesueshmja për një parti politike. Një i pazgjedhur si sekretar i përgjithshëm emëron, ndoshta në zyrën e një drejtuesi të lartë të sektit, kryetarin e ri të partisë, ndërkohë që demokratët në një votim plebishitar dhe demokratik, e gjitha në sytë e publikut, e kishin zgjedhur kryetarin e tyre dhe të gjitha organet drejtuese. Liliputi i ashtuquajturi kryetar merr fuqi sa herë del nga zyra e ambasadores amerikane dhe lumturohet sa herë shtërngon dorën me ndonjë zyrtar të huaj, ku drejtues të sektit e prezantojnë si kryetar të opozitës. Asnjë standart demokratik nuk e pranon një kryetar të pazgjedhur nga antarësia, asnjë kryetar nuk mund të quhet i tillë nëqoftëse nuk ka një antarësi reale. Ai merr ndonjëherë guximin dhe të mbledhë në ndonjë lokal disa njerëz, që i prezanton si antarësi të PD, por unë ju them me bindje se ai person që abuzivisht dhe padrejtësisht ju dhuruan disa poste në qeverinë e PD të para 2013, jo vetëm që nuk e ka njohur se kush është PD, jo vetëm nuk është pjesë e historisë të saj, por asnjëherë nuk është votuar  nga demokratët, dhe ka përfituar nga cilësitë e tij lëpirëse dhe servilosje.

Shërbimet që vazhdon t’i bëjë qeverisjes të sektit është thjesht misioni i tij i fundit, për ta mbyllur me turp misionin e tij politik. Por ai e ka një shanc thjesht për t’i bërë një shërbim atyre që kanë besuar tek ai dhe për t’i lënë një trashëgimi pozitive pasardhësve të tij: të heqë dorë nga marrëzia antiligjore e ankimimit për një proçes ku nuk ka qënë palë dhe vula e sigla t’i takojnë pronarit të vërtetë , antarësisë të PDSH.

“Përjashtimi i dhunshëm dhe antiligjor i opozitës nga zgjedhjet dhe përfshirja e vendit në një amulli, që do të cënojë rendin kushtetues dhe të ardhmen europiane të vendit. Kjo është “komardarja e shpëtimit” të kreut të sektit në këto ditë që ngrehina e tij prej rëre rrezikon të shëmbet nga skandali Mc Gonigal.”

Reforma në Drejtësi, e shumëpritur nga shqiptarët ka përfunduar në një sistem të ‘gllabëruar’ nga sekti politiko-korruptiv të quajtur ‘Rilindje’, me emërime klienteliste, farefisnore ose nga strukturat e vjetra të diktaturës komuniste. A mendoni se këtë prisnin shqiptarët?

Reforma në drejtësi  ishte vërtet e shumë pritur siç thoni ju dhe duke menduar se do të kishte mbështetjen financiare dhe ndihmën teknike, profesionale nga ndërkombëtarët, shpresat ishin shumë të mëdha. Atë mbrëmje kur u miratua zhvillimi i reformës, sipas rekomandimeve të Komisinit të Venecias dhe puthjen simbolike të dy prej ambasadorëve më të rëndësishëm në vend dhe që përfaqësonin  donatorët financiarë për zhvillimin e reformës në ballkonin e Kuvendit, që dukej sikur ndodheshe poshtë ballkonit historik në Verona, shqiptarët menduan se ëndrra e tyre po bëhej realitet. Asnjë dyshim dhe vetëm shpresë të ngjallte ai votim unanim. Por planet ishin hartuar në fshehtësi, tek ai fondacion famëkeq që deri tani i ka sjellë vetëm dëme këtij vendi dhe kombi. Pas asaj mbrëmje gjithçka mori për mbrapsht. Paratë e taksapaguesve amerikanë dhe europianë u sakrifikuan për të krijuar një sistem të shtrëmbër në dorë të një sekti kriminal, pjestarët e të cilit që duhej të ishin të parët ndër të akuzuarit për vjedhje dhe shpërdorimin e pronës dhe financave publike. Për shqiptarët janë bërë të njohura abuzimet skandaloze me emra të sheqerosura ,të huazuara nga “këshilltarët e shquar pa pagesë” të qeverisë dhe jo nga fjalët “e kazanit” mediatik të kreut të sektit, por me fakte dhe dokumenta zyrtare, korrupsioni në dritë të diellit me të ashtuquajturat të PPP-ve, koncesioneve pa garë dhe pa tender, dhurime si në mall të babait për oligarkët, klientët dhe pjestar të sektit dhe miqve të tij të shpallur si “investitorë strategjik”. Ajo që shqiptarët prisnin nga reforma në drejtësi, sot prej shumicës prej tyre konsiderohet një antireformë, ku janë emëruar apo vetë emëruar në drejtim të saj, ata që u morën me hartimin e saj dhe që e kishin me ligj se nuk do të merrnin poste drejtuese në organet e reja. Duket se autorët e bënë “reformën” pikërisht që të zinin këto vende me pagesa të majme prej disa mijra euro nga taksapaguesit shqiptar. Por në drejtim të organeve të reja u ricikluan ish drejtues të larguar nga sistemi për paaftësi dhe abuzim me detyrën, apo persona që nuk kishin të bënin me drejtësinë, por përfitonin nga lidhjet nepotike apo të lidhura me sektin si dhe ish persekutorë të regjimit të kaluar. Tipike është emërimi në krye të gjykatës më të lartë të vendit, të Gjykatës Kushtetuese, të një juristeje, që nuk ka qënë asnjë ditë gjyqtare. Prandaj drejtësia sot nuk jep drejtësi, por merret me çështje, që vinë me komandim nga sekti dhe sidomos nga kreu i saj. Nuk është rastësi që sot kur i gjithë shtypi amerikan dhe botëror flet për skandalin e MCGonigallit, e ashtuquajtura drejtësia e re dhe strukturat e saj të posaçme, sipas urdhërit të marrë nga ata që i kanëzgjedhur, vendos të hapë çështje për të cilat drejtësia dhe ajo ndërkombëtare është shprehur njëherë dhe ato tashmë duhet të konsiderohen të përfunduara. Dhe akoma më qesharake duket hapja e çështjes të floririt gjoja të vjedhur nga Mbreti Zog, kur u largua nga vendi. Kjo histori dihet dhe është shumë e qartë: Mbreti mori atë që ishte e tija, pa prekur asgjë nga thesari i shtetit. Banka e Shqipërisë atë kohë i kishte depozitat e saj në Bari të Italisë. Pas pushtimit të Italisë nga nazistët, arin shqiptar e morën gjermanët. Pas kapitullimit të gjermanëve, ari shqiptar ishte në bankën e Londrës i paprekur. Pas ndodhjes të incidentit të Korfuzit, me mbytjen e dy anijeve angleze dhe vdekjen e disa marinarëve, nga minat e vendosura nga qeveria komuniste sipas urdhërit të dhënë nga këshilltarët jugosllavë, Gjykata ndërkombëtare e dënoi shtetin shqiptar të paguante dëmshpërblimin. Po ashtu edhe qeveria amerikane kërkonte një dëmshpërblim të vendosur nga një gjykatë ndërkombëtare për prishjen e kontratave në mënyrë të njëanshme nga qeveria komuniste. Dhe floriri shqiptar mbeti i bllokuar në Londër, deri në vitin 1995 kur qeveria demokratike e A.Meksit e zgjidhi ngërçin në marrëveshje me qeveritë britanike dhe amerikane sipas rregullave ndërkombëtare.

Po pse pikërisht tashme e ashtuquajtura drejtësi hap këto çështje që janë zgjidhur? Pikërisht për t’ju shmangur asaj që në realitet duhet të bëjë nëqoftëse në një farë mënyre do të rikuperojë besimin e humbur tek publiku. Inçeneratorët janë të kopsitur me emra konkretë të autorëve të vjedhjes të shekullit, ashtu si shumë çështje të tjera që vërtetojnë jo vetëm korrupsion të hapur por edhe abuzim të padëgjuar më parë me pronën publike dhe pasuritë e shqiptarëve. Ne jemi të detyruar të paguajmë gati një miliard euro nga vendimet e gjykatave ndërkombëtare të arbitrazhit për shkak të prishjes të kontratave në  mënyrë të njëanshme nga ana e kreut të sektit, thjesht si kapriçio për mosbindje dhe mos nënshtrim të pronarëve apo për të shpërblyer klientët e tij oligarkë për interesa të pushtetit të tij personal. Drejtësia e antireformës hesht para faktit që këto euro do t’i paguajnë shqiptarët nga rritja e taksave, nga mungesa e infrastrukturës të rrugëve, nga mungesa e një shërbimi shëndetësor dhe sistemi arsimor  më koherent me kohën dhe shumë mungesa të tjera për qytetarët, hesht dhe nuk bën detyrën për të cilën paguhet. Një ministre e një shteti të pasur u dorëhoq, sepse në faturën e hotelit, që paguhej nga taksat e qytetarëve të saj, kur kishte qënë me shërbim zyrtar, ishte përfshirë edhe një pije 12 eurosh, që duhet ta paguante vetë.

Dhe tani të dashur bashkatdhetarë a nuk është e drejtë të themi që me paratë e ndërkombëtarëve dhe me ndihmën teknike të tyre ne ndërtuam një antireformë në drejtësi, që jep drejtësi të komanduar dhe strukturat e reja të saj janë kthyer në anekse të sektit? A nuk deklaroi një nga krerët e sektit që sot është në krye të bashkisë të Tiranës, kur nuk i bindej kryetari i FSHF, se atë nuk mund ta ndihmonte as Krishti dhe as Muhamedi, se ai i lëshonte SPAK-un dhe të gjente vrimë të futej? Pra për sektin, SPAK-u na qënka një qen sulmi kundër kundërshtarëve të tij.

Për të treguar se SPAK-u funksionon, Rama do t’i hedhë si preh ndonjë nga ish bashkëpunëtorët e tij tashmë, që nuk i duhet më, si mjet për t’u gjendur në punë dhe për të kënaqur bashkëpunëtoren e tij të ngushtë në masakrimin e drejtësisë shqiptare.”Kockat” që i hidhen SPAK-ut me rihapjen e çështjeve të Gërdecit apo të 21 janarit, janë thjesht për të justifikuar faktin se kjo strukturë e prezantuar si çelsi magjik i reformës, është në punë. Ndërsa hedhja në treg të së ashtuquajturës marrja e floriritt nga ish mbreti është thjesht një nga ato përrallat e diktaturës komuniste, që mashtronte publikun dhe tërhiqte vemendjen e tij për t’iu nënshtruar shtypjes dhe shfrytëzimit dhe për t’u marrë me këtë narrativë, që i ka kaluar koha. Këtë rradhë ata mendojnë për ta përdorur si mjet për të çvendosur vemendjen e opinionit publik ndaj problemeve që janë drejtëpërdrejtë objekte të punës të SPAK-ut dhe me interes të madh publik. Të njëjtat metoda të mashtrimit dhe dizinformimit të opinionit publik si në kohën e regjimit që menduam se e përmbysëm me heqjen e një statuje bronzi.

 

Nesër do të lexoni:

Krijimi i PD dhe rrëzimi i bustit të diktatorit

Pikëpyetjet e skandalit Mc Gonigal

Raportimi  në Parlament i Kryeministrit