Mimoza Erebera: Vetngushëllimi politik

434
Sigal

 

Pa dyshim që vetëm të marrët ngushëllohen me fatkeqësinë e të tjerëve. Dhe këtë e bëjnë hapur duke ngjallur sa ndjenja mëshire, aq edhe mospranimi. Mëshirë për atë që ata janë, dhe mospranim të ngushëllimit të tyre, përsëri për atë çka janë – të marrë! Dhe nga i marri nuk mund të presësh ngushëllim  kur ai nuk ndan dot vajin, nga gazi dhe një mort, mund ta kthente papërgjegjshmërisht  në një estradë, ku humori do të buronte pikërisht nga viktima, nga i vdekuri. Të vdekurit shkuan. Të gjallët ngushëllojnë njëri-tjetrin dhe të marrët e politikës vetngushëllohen. Dhe në një rast të tillë, megjithëse defektoz, ata janë kaq shumë në unitet me vetveten, sa të lind sinqerisht dëshira t’i duash këta ”civil servant exellent”! Po a mund të duash inkuizitorin? A mund të duash atë që të çon drejt humbjes së sigurt dhe të pakthim? A mund të duash atë që këtë humbje ta servir ty si vlerë dhe arritje? Po ne e dimë shumë mirë që jo, sikur edhe ata vetë e dinë një gjë të tillë, po puna ua do të thonë, atë që thonë. Është si puna e rrobave të reja të mbretit, përralla e famshme ku mbreti doli lakuriq i bindur se kishte veshur një kostum të ri e të përkryer dhe ku kurrkujt nuk ia mbajti t’i tregonte të vërtetën, përpos një fëmije që e prishi atë magji ogurzezë. Kjo magji tek ne vazhdon efektin e saj. Fushata e sapo nisur zgjedhore, tregon se  jemi po aty ku kemi qenë, në mos më keq dhe kjo jo vetëm që s’na bën përshtypje, por e marrim me dëshirë si të vërtetë, e besojmë atë çka nuk është,dhe ndërtojmë shpresën tonë mbi të. Herë pas herë kthjellemi dhe e kuptojmë që kjo nuk do të ishte një gjë e mundur, por meqë  trurin e kemi ende me pushime, bëhemi pasivë dhe ky pasivitet na çon vetë drejt humbjes tonë. E ndërkohë rradha e viktimave të pasivitetit tonë dhe “mbretërve lakuriq me kostum të ri”, shtohet. Duket absurde, por është e vërtetë. Është i vërtetë realiteti ynë që ndërton një marrëdhënie kaq çoroditëse me drejtësinë – e cila nga ana e saj është qendra e tragjedisë. Nga kjo pikëpamje, ekzistenca dhe lulëzimi i të marrëve të politikës është i përligjur, ata jetojnë për vete, punojnë për vete, ekzistojnë po për vete. Në fakt janë si një oaz në mesin e të gjithëve ne, e meqë janë kaq të shkëputur e kaq të mëvetësishëm, s’u mbetet gjë tjetër veçse të vetngushullohen, sepse të ngushëllojnë nuk munden. E gjithë përpjekja e tyre “politike” fillon e mbaron në një diplomaci të hollë, që s’është gjë tjetër veçse një “diplomaci” e personalizuar deri më atë pikë, saqë edhe një nder të vogël, ta marrin për një favor të madh, si edhe çdo qejfprishje, të varet përfundimisht në veshin e tyre si vath nuseje. (Mjerë kujt i bie të jetë vath!)  Në këtë mënyrë kujtohet se bëhet politikë dhe e madhe fort, por nuk është kjo që pritet nga politika e ditës e aq më tepër nga një politikë e kohës së re, e një demokracie në zhvillim, nëse i referohemi këtij termi. Në këtë mënyrë krijohen premisat që ata të arrijnë qëllimet e tyre vetanake tepër rehat dhe të patrazuar nga askush, sepse kështu nuk respektohet shkalla e vendosjes së ligjit e rendit e cila është shumë më e rëndësishme se edhe vetë sistemi politik. Historia na ka mësuar se edhe në sisteme politike jo të ngjashëm me demokraci, por në rregjime të tjera politike, të çfarëdolloj qofshin ato, e rëndësishme për to, ka qenë pikërisht ky qëndrim institucional që është mbajtur prej politikanëve përkatës ndaj ligjit dhe rendit, dhe suksesi dhe dashuria e popullit për ta dhe për atë sistem të caktuar,  ka qenë krejtësisht i varur prej këtij qëndrimi.

Gjë që padyshim tek politikanët shqiptarë  për fat të keq nuk ndodh. Të mbushur me hije e fantazma viktimash, të frikësuar deri në vdekje, e fryjnë veten pikërisht për të mposhtur këtë frikë të krizës së ndërgjegjes, dhe e fryjnë kaq shumë, e kaq shumë fillojnë e i besojnë edhe vetë, po ato që po vetë i sajojnë, saqë edhe një revolucion adoleshent e fëmijëror e paraqesin si një revolucion të mirëfilltë demokratik, si realizim  të vizionit të “parajsës”. Më marrí se kaq, nuk ka!