Sigal

Instituti i Bazelit për Qeverisjen e klasifikoi Shqipërinë në listën e 10 vendeve me riskun më të lartë të pastrimit të parave në Europë dhe Azinë Qendrore.

Në indeksin e sapopublikuar, Basel AML Index 2018, Instituti ka marrë në analizë 129 vende në të gjithë botën për rrezikun e pastrimit të parave dhe financimeve terroriste, bazuar në të dhëna publike.

Më konkretisht Shqipëria është renditur në vendin e 55 në botë ose në të 10-tin për sa i përket rajonit të Europës dhe Azisë Qendrore për riskun më të madh të pastrimit të parave.

Sipas Indeksit Shqipëria vlerësohet me 5.57 pikë, në një renditje ku 0 nënkupton rrezik të ulët, ndërsa nota 10 përbën rrezik të lartë.

Krahasuar me një vit më parë, vlerësimi i Shqipërisë ka shënuar një përmirësim thuajse të papërfillshëm me 0.08 pikë. Por pavarësisht këtij përmirësimi minimal, sërish vendi ynë klasifikohet sërish si një nga 10 lavatriçet më të mëdha të pastrimit të parave në Europë dhe Azinë Qendrore.

Sipas renditjes, lista botërore e pastrimit të parave kryesohet nga Taxhikistani, i cili vlerësohet me 8.3 pikë. Pas tij renditen Kazakistani dhe Kirgistani, ndërsa në vendin e katër renditet Turqia. Ndërkohë nga rajoni i Ballkanit, veç Shqipërisë, në dhjetëshen e vendeve me riskun më të lartë për pastrimin e parave në Europë dhe Azi, gjenden dhe Serbia me Bosnjen.

Ndërkohë dy fqinjët e tjerë të Shqipëri, Maqedonia dhe Mali i Zi, janë në dhjetë vendet që kanë shënuar përmirësimin më të madh për riskun e pastrimit të parave gjatë vitit 2018.

Indeksi i Bazelit

Indeksi i Bazelit mat riskun e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit të vendeve bazuar në burimet publike të disponueshme. Një total prej 14 indikatorësh që lidhet me rregulloret kundër pastrimit të parave dhe luftën kundër terrorizmit, korrupsionin standardet financiare, ndikimin politik dhe zbatimin e ligjit agregohen në një vlerësim total risku.

Ashtu siç thuhet edhe në raport synimi i Institutit të Bazelit për Qeverisje nuk është që të verë vendet në krahasim me njëra tjetrën për nivelin e riskut që ka secila për pastrimin e parave por që të shërbejë si një indikator referimi individualisht për çdo vend për të parë ku ka ecur dhe për të orientuar politikat drejt përmirësimet të këtij treguesi me vetveten.