Sigal

Gjykata e ka dhënë sot vendimin për autorët e masakrës në Bulevardin “Zogu 1”, në Tiranë më 27 maj 2015, ku mbetën të vrarë tre persona.

Gjykata ka dhënë 20 vjet burg për Klejvi Doçi, 27 vjet burg për Markeljan Doçi dhe burg përjetë për italianin Salvatore Letizia.

Asnjeri nga të akuzuarit e dënuar, nuk ishte prezent sot në sallën e gjyqit.

Dyshohet se ngjarja e ndodhur në Tiranë është një zinxhir hakmarrjesh që lidhet me vrasjen e Durim Sulkut në Holandë në prill të 2015.

Ngjarja

Tre persona u vranë 27 maj të vitit 2015 në një përplasje të egër me armë zjarri pak metra larg qendrës së Tiranës. Ngjarja ndodhi rreth orës 19:20, në bulevardin “Zogu i Parë”, në hapësirën mes maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” dhe Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Sipas Policisë, viktimat janë shtetasit Mentor Lufi (Doçi), 39 vjeç, shoku i tij Gerti Goxhaj, 33 vjeç dhe Besnik Sulku, 34 vjeç, i cili është njëri prej atentatorëve. Burimet thanë se objekti i këtij atentati ka qenë shtetasi Mentor Lufi. Sulmi ndaj tij ka sjellë edhe shkëmbimin e zjarrit me tre të vdekur. Policia deklaroi dje se janë ndaluar 3 persona si të dyshuar për shkëmbimin e zjarrit që solli 3 të vrarë.

Në pranga kanë përfunduar dy nipat e Lufit, Markelian dhe Klevis Doçi, që dyshohet se janë kundërpërgjigjur me armë pasi është qëlluar xhaxhai i tyre dhe shtetasi italian, Salvatore Letticia, i cili shoqërohej me atentatorin Besnik Sulku, i cili po ashtu mbeti i vrarë.