Inceneratorët, Xhixho: Rama, përgjegjësi kryesor. Pa dijeninë e tij nuk ndodh asgjë

209
Sigal

Deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho, thotë se dosja e inceneratorëve mbetet afera më e madhe korruptive që ka ndodhur në Shqipëri në vitet e fundit. Në një intervistë, Xhixho theksoi se denoncimi i LSI-së për këtë rast solli një kulturë të re politike në vend. Sipas saj, kryeministri Rama mbetet përgjegjësi kryesor për dëmin që u është shkaktuar taksapaguesve shqiptarë, pasi pa dijeninë e tij nuk mund të ndodhë asgjë në vend.

Ky parlament më shumë sesa ka zbuluar, ka varrosur afera korruptive. E kemi hulumtuar shumë herët këtë megaaferë korruptive, ku në fakt, edhe pse shqiptarët kanë paguar, inceneratorët nuk funksionojnë. Mendoj që është afera më e madhe korruptive që ka ndodhur në vitet e fundit në Shqipëri dhe interesi dhe angazhimi ynë maksimal është që ti shkohet deri në fund këtij skandali,

Nuk kemi folur vetëm me deklarata mediatike por kemi sjellë një kulturë të re politike. Askush nuk ka imunitet, çdo person që ka shkelur ligjin dhe në procedura është hasur në shkelje ligjore, duhet hetuar.

Ne kemi nxitur gjatë gjithë kohës SPAK. Pa dijeninë e kryeministrit nuk mund të ndodhë asgjë. Nuk mund të jemi naivë ta besojmë këtë. Rama është përgjegjësi kryesor për të gjithë këtë dëm që u është bërë taksapaguesve shqiptarë.

Ne padyshim që do të vazhdojmë me denoncimet tona. Nxisim SPAK të çojë në sekuestro edhe Fierin dhe Tiranën. Duhet të merren masa sepse ne vazhdojmë të paguajmë dhe kemi paguar edhe në kohë pandemie.

Çdo faktor që kërkon zbardhjen e së vërtetës është i mirëpritur. Është një sfidë e drejtësisë së re, e SPAK. Të gjitha sforcot ia kemi depozituar SPAK. Krijuam një reformë të re në drejtësi edhe me votat e LSI.