Imuniteti i deputetëve, Kuvendi kthehet “de facto” në gjykatë

809
Jakup B. GJOÇA
Socialistët rikthejnë propozimin kontrovers të imunitetit: Kuvendi kthehet “de facto” në një gjykatë
Dje në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, diskutimi i ligjit për Rregulloren e re të Parlamentit ka shkaktuar polemika dhe tensione midis mazhorancës dhe opozitës. Mazhoranca rrëzoi propozimin e opozitës, që ky diskutim të bëhet nga Këshilli i Mandateve të Kuvendit, teksa deputetët e mazhorancës votuan në parim ndryshimet e reja të propozuara të Rregullores së Kuvendit. Deputeti i PD-së Alibeaj u shpreh se mungon vullneti i mazhorancës sepse ata nuk pranuan ta diskutonin te Këshilli i Mandateve që ka barazi votash me palëve, por preferuan Komisionin e Ligjeve meqë kanë shumicën e votave. Alibeaj: Miratimi i rregullores bëhet në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve. Kërkoni ta ndryshoni rregulloren në Komision të Ligjeve se keni shumicën e votave. Po kërkoni të ndryshoni rregulloren duke shkelur rregulloren. Deputeti Strazimiri: Nuk ndryshohet rregullorja në Komisionin e Ligjeve. Rregullorja ndryshohet vetëm në Këshillin e Rregullores dhe Mandateve.
Sigal

Rregullorja e re, imunitet deputetëve ndaj arrestimeve për korrupsion

Në janar 2018, deputeti Taulant Balla propozoi disa ndryshime në rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë, të cilat u kritikuan si të tilla që forcojnë imunitetin e deputetëve dhe ministrave në rast kërkesash për arrest apo arrestim në flagrancë. Mazhoranca dhe opozita debatuan mbi propozimet, ku pika më e debatueshme është përmendja e fjalës “provë” në procedurën e heqjes së imunitetit të një deputeti. Propozimi aktual synon në veçanti ndryshime në nenet 118 dhe 119 të rregullores së funksionimit të Kuvendit, ku përcaktohet procedura e dorëzimit të një kërkese nga prokuroria për arrestim deputeti apo ministri si dhe miratimi i kësaj kërkese nga ana e kuvendit. Propozimi thotë: “Kërkesa përmban një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën”. Ky formulim është pak i ndryshëm nga rregullorja ekzistuese ku flitet për “dokumente shoqëruese” por jo për “prova” në mbështetje të kërkesës. Çështja ishte veçanërisht sensitive në janar 2018, kur u bë fillimisht propozimi, për shkak se në atë kohë, mazhoranca socialiste sapo kishte dalë nga vendimi për të mos lejuar Prokurorinë të arrestonte ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, pasi e shpalli akuzën e ngritur prej tij “të motivuar politikisht” dhe të pabazuar në prova. Opozita argumentoi në atë kohë se pozicioni i Kuvendit nuk është i tillë që lejon shqyrtimin e ligjshmërisë apo provave të kërkesës së prokurorisë, pasi këto duhet të shqyrtohen nga gjykata. Kjo është tentativa e dytë e shumicës socialiste që synon forcimin e imunitetit të deputetëve ndaj kërkesave për arrestim. Në shtator të vitit të kaluar, Byroja e Kuvendit me votat e shumicës socialiste miratoi një dokument interpretues të “Kodit të Sjelljes” të deputetëve. Ndonëse në kodin e sjelljes shkruhet se deputeti nuk duhet të abuzojë me imunitetin e tij për të penguar arrestimin apo kontrollin e banesës, në dokumentin e interpretimit të këtij kodi shkruhet ekzaktësisht e kundërta, duke argumentuar se imuniteti parlamentar është një “filtër kontrolli” kundër përpjekjeve hipotetike nga prokurorët për të goditur “funksionimin e kuvendit” apo “pavarësinë” e këtij institucioni.

Parlamenti forcon imunitetin e deputetëve

Byroja e Kuvendit ka miratuar shtatorin e kaluar një Komentar të Kodit të Etikës Parlamentare, në të cilën, aludohet se imuniteti parlamentar që gëzojnë deputetët është “filtër” për të parandaluar rrezikun e një komploti nga prokurorët për destabilizimin e parlamentit. Në prill 2018, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një “kod sjelljeje” për deputetët e vet, në të cilën shkruhet se deputeti nuk duhet të abuzojë me imunitetin parlamentar, duke e përdorur atë për të penguar një arrestim të mundshëm. Gjashtë muaj më vonë, shumica socialiste në Byronë e Kuvendit ka miratuar një Komentar mbi këtë kod sjelljeje, ku neni i ndalimit të abuzimit me imunitetin duket se interpretohet në mënyrë krejt ndryshe. Komentari i quajtur “Udhëzuesi i Detajuar për Sjelljen në Kuvend” është miratuar nga Byroja pa shumë zhurmë shtatorin e kaluar dhe në të aludohet se një kërkesë e mundshme nga prokuroria për arrestimin e një deputeti mund të përbëjë edhe një komplot për destabilizimin ose cenimin e pavarësisë së kuvendit. Dokumenti merr përsipër të interpretojë legjislacionin aktual dhe procedurën e ndjekur deri tani mbi heqjen e imunitetit parlamentar me kërkesë të Prokurorisë së Përgjithshme, duke deklaruar se procedura “përbën një filtër verifikimi” për të shmangur rrezikun që kërkesa për arrest të jetë komplot për destabilitet. “Ky mekanizëm procedural është mbrojtje e veçantë ligjore, kur ndaj tyre kërkohet masa e arrestit, heqja e lirisë në çfarëdolloj forme, ose ushtrimi i kontrollit personal të banesës nga organi i akuzës dhe që shërben si filtër i verifikimit, nëse kërkesa synon presionin,destabilizimin, ose cenimin e pavarësisë së institucionit”, shkruhet në dokument. “Dispozitat procedurale, që parashikojnë rregullat dhe mënyrën e shqyrtimit dhe lëshimit të autorizimeve për kufizim të të drejtave të deputetit, kanë si qëllim që, nëpërmjet procedurave,të verifikohet nëse kërkesat e paraqitura nga organe që përfaqësojnë pushtete të tjera të pavarura, synohet ose tentohet që nëpërmjet goditjes së individit, të dëmtohet ose tё preket funksionimi normal dhe pavarësia e institucionit,” vijon më tej argumenti.

Kodi i Sjelljes së Kuvendit mbi imunitetet thotë:

Kufizimi i imunitetit

  1. Deputeti nuk duhet të përfitojë nga imuniteti i tij për të penguar veprimet e drejtësisë për të kërkuar arrestin, heqjen e lirisë në çfarëdolloj forme, ose ushtrimin e kontrollit personal të banesës për kryerjen e një krimi të rëndë, përfshirë korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës. Neni 19.

Relatori mbi Kodin e Sjelljes së Kuvendit mbi imunitetet thotë:

“Ky mekanizëm procedural është mbrojtje e veçantë ligjore, kur ndaj tyre kërkohet masa e arrestit, heqja e lirisë në çfarëdolloj forme, ose ushtrimi i kontrollit personal të banesës nga organi i akuzës dhe që shërben si filtër i verifikimit, nëse kërkesa synon presionin, destabilizimin, ose cenimin e pavarësisë së institucionit. Dispozitat procedurale, që parashikojnë rregullat dhe mënyrën e shqyrtimit dhe lëshimit të autorizimeve për kufizim të të drejtave të deputetit, kanë si qëllim që, nëpërmjet procedurave, të verifikohet nëse kërkesat e paraqitura nga organe që përfaqësojnë pushtete të tjera të pavarura, synohet ose tentohet që nëpërmjet goditjes së individit, të dëmtohet ose tё preket funksionimi normal dhe pavarësia e institucionit.

Propozimi i amendamentit nga Taulant Balla

Në janar të këtij viti, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla, propozoi një amendim në rregulloren e Kuvendit me argumentin se procedura e heqjes së imunitetit ndaj arrestit ishte e paqartë. Sipas ndryshimit të propozuar, Prokuroria duhet të shoqërojë kërkesën për lejim arresti me “prova” ndërsa Kuvendi (d.m.th. shumica parlamentare) fiton të drejtën të gjykojë mbi vlefshmërinë e provave. Socialistët duket se u tërhoqën nga propozimi pas kritikave të opozitës, e cila e shpalli atë një nismë që synon ta kthejë kreun e shumicës parlamentare në gjykatës të provave të prokurorisë. Socialistët janë forca e parë politike që u përball me një kërkesë të drejtpërdrejtë nga Prokuroria e Përgjithshme për arrestimin jashtë kushteve të flagrancës së një deputeti, ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili në atë kohë, ishte nën hetim si në Shqipëri ashtu edhe në Itali për bashkëpunim me organizatën e trafikut ndërkombëtar të drogës të njohur si “Vëllezërit Habilaj”. Kodi i Sjelljes së Kuvendit është një dokument i miratuar në prill të këtij viti, në të cilin, në lidhje me imunitetin shkruhet se deputeti nuk duhet të “abuzojë” me imunitetin “për të penguar veprimet e drejtësisë”. Rastet e abuzimit me imunitetin parlamentar nuk është se nuk ekzistojnë.

Si do të bëhet procesi i arrestimit të një deputeti, nëse miratohen këto ndryshime në rregulloren e parlamentit:

Prokurori i paraqet kërkesën dhe provat për arrestim të deputetit ose ministrit Kryetarit të Kuvendit, i cili ia përcjell kërkesën Këshillit të Mandateve, i cili vë në dijeni kuvendin dhe deputetin për kërkesën. Kuvendi cakton dy relatorë të çështjes, një nga opozita dhe një shumica. Të gjitha provat i bëhen të ditura subjektit të akuzuar dhe i caktohet dita kur do të shqyrtohet kërkesa. Prokurori duhet të sqarojë kërkesën për arrestimin e deputetit ose ministrit, t’i nënshtrohet një seance me pyetje nga anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe nga i akuzuari ose nga avokati i tij. Deputeti ose ministri ka të drejtë të marrë paraprikisht provat dhe kërkesën e prokurorit. Pasi ka pasur kohën e nevojshme për t’u informuar, për të bërë pyetje dhe për t’u sqaruar, ai ka të drejtën të mbrohet nga një avokat dhe të paraqesë mbrojtjen e tij, me shkrim ose me gojë, Këshillit të Mandateve. Çdo anëtar i këshillit ka të drejtë ta pyesë deputetin. Pas përfundimit të seancës, në Këshillin e Mandateve, dy relatorët e çështjes hartojnë raportin e tyre dhe ia paraqesin Kryetarit të Kuvendit dhe Këshillit të Mandateve. Brenda 2 javëve, Kuvendi duhet të miratojë raportin e Këshillit të Mandateve, me votim të hapur. Në seancë plenare, deputeti i akuzuar ka të drejtë të flasë i pari, më pas Kryetarët e grupeve paralamentare dhe në fund sërish deputeti i akuzuar ka të drejtë të japë sqarimet e e tij brenda 10 minutave. Brenda shtatë ditëve, Këshilli i Mandateve merr vendimin nëse lejon ose jo arrestimin e deputetit. Ky vendim i paraqitet deputetëve dhe publikut.

Reagimet politike

Lulzim Basha: Rama bën ligj për të mbrojtur peshqit e mëdhenj

Lulzim Basha, kryetar i PD-së e kritikoi lëvizjen duke e quajtur atë një përpjekje për ta degraduar zyrën e prokurorisë së posaçme (SPAK) në një organizatë joqeveritare. “Edi Rama ka propozuar një ligj i posaçëm për të mbrojtur peshqit e mëdhenj”, tha Basha. “Ligji propozon që gjykata të jetë kuvendi, që prokuroria të dërgojë provat jo në gjykatë, por në kuvend dhe që gjykatësi të jetë Edi Rama,” shtoi ai.

Petrit Vasili: Mburojë e re për çdo çështje korruptive

Zëvendëskryetar i LSI-së, e konsideroi propozimin socialist “të njëanshëm” dhe të tillë që synon të “krijojë një mburojë të re për çdo çështje korruptive për pushtetarë apo deputetë të saj në mënyrë që drejtësia të mos funksionojë dot mbi ta”. “Sot çdo shqiptar e ka shumë të qartë se kush janë ata që kanë frikë [nga drejtësia]”, tha Vasili.

Afrim Krasniqi: Paaftësi që të çuar përpara reformat

Analisti politik, Afrim Krasniqi thotë se propozimi i socialistëve reflekton “sëmundjen e zakonshme të mandatit të dytë të qeverive shqiptare, konkretisht, paaftësinë për të çuar përpara reformat dhe përqendrimin për të administruar pushtetin dhe fitimet që vijnë nga pushteti . Parlamenti nuk është gjykatë dhe nuk ka kapacitetin për të gjykuar mbi faktet një një hetim apo një dosje penale. Ky është standardi në perëndim dhe kriteri kushtetues në Shqipëri. Ikja nga ky standard është një zhvillim shumë negativ në një kohë kur ne po presim krijimin e SPAK-ut dhe Byrosë së Hetimit”, shtoi Krasniqi.

Fatmir Xhafaj kundër mazhorancës: Deputetët po shndërrohen në kartonë!

Fatmir Xhafaj, ish-ministri i Brendshëm. Xhafaj i cilësoi ndryshimet e shpeshta të rregullores si jo efektive, duke i shndërruar deputetet në kartonë. “Nga 2005 deri me sot rregullorja është ndryshuar 8 herë. Ky proces duhet të jete sa me i kujdesshme. Ndryshimet e herëpashershme e kanë zbehur rolin e deputetit. Deputetët janë shndërruar më shumë në kartonë se sa persona me integritet. Për fjalën dhe për përfaqësimin e zgjedhjes e të tyre dhe ne ndikimin qe kane ne procesin ligjvënës. Kjo është gjeja qe duhet te na shqetësoj në shumë. Është momenti për të parë se si mund te riktheje disa ndryshme që rezultuan të dëmshme qe e shndërruar legjislativin në një zgjatim të ekzekutivit”, tha deputeti Fatmir Xhafaj, ish-ministër i Brendshëm dhe ish kryetari i Komisionit Parlamentar të Ligjeve.