Ilir Meta: Universiteti “Fan S. Noli”, një nga më të rëndësishmit në formimin e brezave të rinj

535
Sigal

Në 45-vjetorin e
themelimit të Universitetit “Fan S. Noli” në qytetin e Korçës, kryetari i
Kuvendit, Ilir Meta, përmes një mesazhi urimi drejtuar rektorit Ali Jashari,
vlerëson këtë institucion arsimor, si një nga më të rëndësishmit në formimin e
brezave të rinj. “Misioni i mësimdhënies, i edukimit dhe formimit universitar e
shkencor të të rinjve është sa fisnik aq edhe i rëndësishëm. Universiteti ‘Fan
S. Noli’ i qytetit të Korçës i dekoruar me titullin e lartë ‘Nderi i Kombit’, e
përmbush gjerësisht këtë rol, e meriton emrin e shqiptarit të madh që mban,
duke u kthyer në një institucion serioz të Arsimi të Lartë në Shqipëri dhe në
qendër të përkushtuar të kërkimit shkencor”, shprehet Meta. Në vijim të
mesazhit të tij në këtë përvjetor të themelimit, kreu i Kuvendit thekson se 45
vjet nuk janë shumë për moshën e një Universiteti në SHBA, Britani, Francë e
Gjermani, por janë mjaftueshmërisht të rëndësishme dhe jashtëzakonisht të
vlefshme në Shqipëri, për rolin dhe kontributin që Universiteti juaj ka dhënë e
vazhdon të japë, jo vetëm për qytetin e Korçës, por edhe për gjithë Shqipërinë.
Kryeparlamentari Meta shtoi se këto vite janë vijimësi e traditës arsimdhënëse
të qytetit të Korçës. “Në mozaikun e larmishëm kulturor dhe arsimor të qytetit
të Korçës, roli i Universiteti ‘Fan S. Noli’ duket se është një vazhdimësi e
logjikshme e ‘Mësonjëtores së Parë të Shqipes’, ‘Liceut Francez’, shkollës pedagogjike
‘Petro Nini Luarasi’. Vatra të vërteta arsimdashëse, në të cilat dhanë mësim
ose studiuan figura të spikatura intelektuale të mësimdhënies dhe personalitete
të shkencës, kulturës, artit, me të cilat krenohet jo vetëm Korça, por e gjithë
Shqipëria”, thekson z. Meta. Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit nënvizon se
universitetet japin një rol të rëndësishëm në formimin dhe krijimin e brezave,
që i bëjnë ballë ndryshimeve politike dhe ekonomike.