Ilir Meta: Për ne shqiptarët është bekim që prezenca e Gjermanisë në rajon po rritet

461
Sigal

Kryetari i Kuvendit
merr pjesë në Konferencën Ekonomike të Bizneseve Familjare të Gjermanisë

Shqipëria, një vend
anëtar në NATO, një ekonomi e vogël në Ballkanin Perëndimor, po ecën mjaft
shpejt në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian, pavarësisht sfidave të
saj dhe lodhjes ndaj zgjerimit, me të cilën BE-ja po përballet këto kohët e
fundit. Javën e kaluar Shqipëria mori një rekomandim pozitiv nga KE për hapjen
e bisedimeve të pranimit për anëtarësim në BE. Ky hap i rëndësishëm u arrit
falë vendosmërisë së koalicionit tonë qeverisës në veçanti dhe klasës politike
në përgjithësi për të çuar përpara “axhendën e reformave”, në shumë shtigje të
jetës politike dhe ekonomike në vend. Në këtë kontekst, miratimi së fundmi i
“reformës në drejtësi”, së bashku me zbatimin e suksesshëm të prioriteteve të
tjera kyçe, siç janë: 1) ngritja e një administrate publike të depolitizuar dhe
profesionale, 2) lufta kundër krimit të organizuar, 3) lufta kundër
korrupsionit, 4) respektimi i të gjitha detyrimeve ndërkombëtare për
minoritetet dhe të drejtat e njeriut – të gjitha këto ishin parakushte që ne të
kalonim në nivelin tjetër drejt integrimit në BE, që është hapja e bisedimeve
për negociata. Duhet ta theksoj fort se këto arritje do kishin qenë të vështira
për t’u arritur pa ndihmën dhe udhëzimin e partnerëve tanë ndërkombëtarë
strategjikë. Në këtë kuadër, më lejoni t’i shpreh mirënjohjen tonë të veçantë
Gjermanisë dhe në veçanti, Kancelares Merkel për gatishmërinë dhe këmbënguljen
e saj për të adresuar të gjitha këto çështje, që mbi të gjitha përcaktojnë të
tashmen dhe të ardhmen tonë, në lidhje me shtetin e së drejtës dhe zhvillimin
ekonomik të vendit tonë. Nga ana tjetër, nisma diplomatike dhe investuese e
vetë Procesit të Berlinit, që u ndërmor nga Gjermania për të ndihmuar Ballkanin
Perëndimor, është një sinjal i fortë për të gjithë rajonin, përfshirë
Shqipërinë, që Gjermania dhe znj. Merkel duan të luajnë një rol politik dhe
ekonomik më jetik në Evropën Jug-Lindore. Vizita e znj. Merkel në Tiranë, verën
e shkuar, e rikonfirmoi këtë ambicie lidershipi të ekonomisë më të madhe në
Evropë – që është e mirëpritur nga të gjithë ne. Në këtë perspektivë, unë jam
shumë entuziast që marrëdhëniet politike, ekonomike dhe të biznesit mes dy
vendeve tona do të promovohen më tej me projekte konkrete dhe mundësi
investimi, në nivel lokal dhe rajonal.

Përpjekje për shtetin e
së drejtës

Shqipëria, vitet e
fundit, ka bërë përpjekje të jashtëzakonshme për të zbatuar shtetin e së
drejtës për formalizimin e ekonomisë dhe përmirësimin e klimës së biznesit.
Këtë vit (2016) në Raportin e Bankës Botërore “Doing Business” Shqipëria nga
190 vende është renditur e 58-a, me një përmirësim prej 32 vendesh në krahasim
me Raportin e vitit të shkuar. Rritja ekonomike për vitin 2015 ka qenë
afërsisht 2.9% dhe parashikimi për vitin 2016 është 3.3%, i cili është më i
lartë se mesatarja e rajonit, por ende jo sa potenciali i saj plotë. Sa i takon
Investimeve të Huaja Direkte, në vitin 2015 ka pasur një rritje prej 13%, në
krahasim me vitin 2014, në lidhje me numrin e kompanive të huaja që kanë hyrë
në tregun shqiptar (referencë nga Ministria e Ekonomisë). Me ndihmën e
asistencës teknike të qeverisë gjermane, në vitin 2015 kemi kryer “reformën e
pensioneve”, që ishte vendimtare për rindërtimin e qëndrueshmërisë së financave
tona publike dhe konsolidimit fiskal. Gjithashtu, jemi përqendruar dhe i kemi
kushtuar shumë energji promovimit te të rinjtë të trajnimeve dhe shkollave
profesionale, duke ndjekur praktikat më të mira të modelit gjerman. Në të
njëjtën kohë, reforma administrativo-territoriale në 2015 ishte një hap tjetër
në lidhje me jo vetëm pakësimin e procedurave burokratike për bizneset, por
edhe për të ofruar një infrastrukturë më të mirë për sipërmarrjet e mesme dhe
të mëdha vendase dhe të huaja për të zbatuar projektet e tyre pa vonesa. Është
ngritur “Qendra Kombëtare e Biznesit”, one-stop shop, jo vetëm për regjistrimin
e bizneseve në më pak se 1 orë, por edhe për të gjitha llojet e licencave
online dhe procedurat e tjera ligjore që u duhen bizneseve. Janë bërë
përmirësime të konsiderueshme në legjislacion për mbrojtjen e Investimeve të
Huaja Direkte, si dhe është miratuar një ligj i ri për “pronësinë e tokës”,
pasi vitet e fundit kjo ka qenë një nga pengesat më të mëdha për tërheqjen e
investimeve të huaja. Kemi azhornuar ligjin për Investimet Strategjike dhe
Partneritetin Publik Privat, që krijon mundësi për të bashkuar financat për
investime dhe shërbime publike si nga qeveria, dhe nga sektori privat, pothuajse
në të gjithë sektorët e ekonomisë (infrastrukturë, bujqësi, turizëm, kujdes
shëndetësor, etj.)

Pse duhet investuar në
Shqipëri?

Sigurisht, është e
pamundur që në pak minuta t’i përgjigjem gjerësisht kësaj pyetjeje, por jam i
sigurt se disa nga ju që mund ta kenë vizituar Shqipërinë kanë qenë vetë
dëshmitarë të potencialit të këtij vendi dhe të popullsisë së tij të re dhe
dinamike.  Falë pozicionit të saj
gjeografik, Shqipëria është një portë hyrëse në Ballkan dhe ndodhet në
kryqëzimin e korridoreve të mëdha në Evropë.  Shembulli tipik është Projekti i GAZSJELLËSIT
TRANSADRIATIK (TAP) – Gazsjellësi që në vitin 2019 do të sjellë gazin kaspik në
Evropë. Ky investim gjigant prej mëse 30 miliardë euro – në pronësi të një
konsorciumi global (BP, SOCAR, AXPO etj.) në tregun e gazit natyror për të
gjithë korridorin jugor, do të përfshijë një investim prej të paktën 1 miliardë
euro vetëm në territorin shqiptar. Për ne ky nuk është vetëm një projekt
infrastrukturor i gazit natyral me përfitime ekonomike dhe sociale, por edhe
një projekt gjeopolitik që do të forcojë pozicionin tonë strategjik në rajon
dhe do të krijojë më shumë besim për investitorë të tjerë të huaj. Një tjetër
projekt infrastrukturor rajonal, i propozuar nga Shqipëria dhe i mbështetur në
Samitin e Vjenës vitin e shkuar, (në kuadër të Procesit të Berlinit) është
“Korridori Blu” ose autostrada Adriatiko-Joniane, që është vendosur si një
projekt prioritar, dhe studimi i fizibilitetit dhe projektimi i të cilit janë
gati për të filluar, të ndjekura më pas nga financimi i tij. Kjo autostradë do
të lidhë Shqipërinë me Unazën e Mesdheut, pra nga jugu i Kroacisë, ku
praktikisht autostrada e bregdetit kryqëzohet përmes Malit të Zi, Shqipërisë
dhe pastaj Greqisë. Nga ana tjetër, është e rëndësishme të theksohet se shumë
nga projektet tona energjetike vendase dhe rajonale, si për shembull linja e
transmetimit 400 kv me Malin e Zi, nuk do ishin realizuar pa mbështetjen bujare
financiare dhe teknike të KfW-së.