Ilir Meta, rivlerësimi i drejtë dhe historik i luftës në emër të unitetit kombëtar

493
Sigal

Takim me veteranë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare për 70 -vjetorin e çlirimit të vendit

Në kuadrin e debatit të ndodhur për festimet e 70-vjetorit të çlirimit të vendit, Kryetari i Kuvendit dhe njëkohësisht Kryetar i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, së bashku me Komitetin e Veteranëve të Luftës janë mbledhur për të krijuar një strategji të re për zgjidhjen e çështjes së rivlerësimit të Luftës Antifashiste. Kryetari i Kuvendit Ilir Meta, zhvilloi dje një takim në zyrat e Komitetit të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Në takim u bisedua për projektin e krijimit të një komisioni ndërshtetëror për festimin e 70 -vjetorit të çlirimit të vendit. Z. Meta shprehu gjithë vullnetin e tij për të bërë gjithçka për nderimin në mënyrën më të mirë të mundshme të këtij momenti të një rëndësie të veçantë historike. “Respekti i sakrificave të pashembullta të popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, rivlerësimi i saj i drejtë dhe historik edhe në emër të unitetit kombëtar, është një detyrë e të gjithëve”, tha z. Meta.

Kryetari i Kuvendit ndau dhe diskutoi ide konkrete me përfaqësuesit e Komitetit të Veteranëve për gjithë çfarë mund të programohet në projektin për nderimin e 70 vjetorit të çlirimit dhe kërkoi bashkëpunimin e Komitetit në këtë drejtim. Kryetari i Komitetit të Veteranëve, Rustem Peçi falënderoi për vëmendjen e vazhdueshme të Kryetarit të Kuvendit dhe vizitën e tij në selinë e tyre. Ai tha se, shpesh punët dhe veprimet e mira e të duhura bëhen pa bujë, por me vullnet të ndershëm. Z.Peçi vlerësoi vëmendjen e z.Meta për problematikat e diskutuara dhe garantoi, në emër të Komitetit të Veteranëve, bashkëpunimin e tyre në projektin për festimet e 70- vjetorit të çlirimit. “Nuk ishte takimi ynë i parë dhe natyrisht nuk do të jetë as i fundit. Je gjithmonë i mirëseardhur mes nesh”, -tha zoti Peçi. Kryetari i Kuvendit shoqërohej në këtë vizitë edhe nga deputeti i Kuvendit z. Luan Rama.