Qeveria “zgjidh qesen”, 100 milionë euro shpenzime shtesë

276
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ministrja Denaj: Për teatrin, dronët e vaksinat.
Murrizi: Në 2 seanca rritëm borxhin 400 milionë euro

Parlamenti miratoi sot, ‘Akti Normativ të ndryshimit të buxhetit, për vitin 2021’. Shpenzimet elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, ku opozita denoncoi që u përdor për të blerë votat, ka hedhur në “erë” buxhetin e shtetit për 2021. Qeveria, për të katërtën herë, përpiqet që të bëjë arnime, duke paraqitur në Kuvend, VKM për ndryshimin e buxhetit. Përmirësimi i të ardhurave buxhetore është shoqëruar me rritjen e fortë të shpenzimeve buxhetore, por edhe me heqjen e kufizimeve fiskale që e detyrojnë qeverinë të mbajë nën një kufi të caktuar huamarrjen publike.

Ministrja e Financave, ka paraqitur në Kuvend, dy akte normative përmes të cilave Qeverisë i hiqen kufizimet për rritjen e shpenzimeve, si dhe shtesën e tyre për rreth 100 milionë euro për këtë vit. Denaj argumentoi se, kjo shumë do të përdoret për blerjen e vaksinave, të dronëve për mbikqyrjen e territorit, disa vepra infrastrukturore, si dhe për ndërtimin e teatrit të ri kombëtar. Shumë i ashpër lidhur me heqjen e kufizimeve për marrjen e borxheve të reja ka qenë reagimi i deputetit Muslim Murrizi, i cili tha se, vetëm në dy seancat e fundit, Kuvendi ka miratuar me votë, marrjen e borxheve të reja me vlerë rreth 400 milionë euro. Akti normativ i ndryshimit të buxhetit, është i katërti për këtë vit, ndërkohë që opozita, ka ngritur akuza për papërgjegjshmëri në hartimin e parashikimet buxhetore.