Dr. Ana Leka: Reforma në Drejtësi, Soros dhe “mbreti” Rama. Protestat e fondacionit në mbështetje të kapjes së gjyqësorit

897
Sigal

Së fundmi u publikua një sondazh i kryer nga Organizata e Shoqërisë së Hapur, Soros dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, në të cilën rezulton se 63% e shqiptarëve nuk besojnë në vettingun dhe reformën në drejtësi. Ky sondazh përbën lajm dhe meriton vëmendje të gjerë, pasi tashmë dihet nga të gjithë që Fondacioni Soros është autori i reformës në drejtësi në Shqipëri. Duke e krahasuar me raportin e bërë në prill të vitit 2016, në të cilin Soros promovoi rezultatet e nxjerra nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi, (IDRA) e cila shpalli se publiku i gjerë mbështet fuqimisht nevojën për një reformë në sistemin e drejtësisë e ku thuhej se 91 % e të intervistuarve ose e mbështesin “plotësisht” (64%) ose “deri diku” (27%) nevojën për një reformë të tillë, kthesa e papritur e Fondacionit Soros duket si një taktikë e mirë menduar politike.

  • Përse Organizata e Shoqërisë së Hapur e devijoi misionin e saj duke promovuar mosbesimin e shqiptarëve në reformën gjyqësore?
  • Cila është loja që Soros po bën me drejtësinë shqiptare?
  • Përse po injekton dyshimin tek opinioni publik?

Shifrën e 60% e hasëm pak kohë më parë kur kompania më serioze ndërkombëtare “Gallup” publikoi se Shqipëria ishte vendi i katërt në botë me shifrën më të lartë të njerëzve që duan të largohen nga vendi i tyre. Vetëm tri vende e kryesonin Shqipërinë, vende të Republikës afrikane si Sierra Leone, me 71%, Liberia me 66 % dhe Haiti me 63% e qytetarëve duan të largohen. Ky sondazh e njollosi Shqipërinë ose, më saktë, e damkosi qeverinë shqiptare si shkaktare e këtij eksodi të paimagjinueshëm për një vend evropian, i cili aspiron të anëtarësohet në BE.

A është manovra e Soros-it një kundërpërgjigje ndaj kësaj shuplake për qeverisë Rama duke injektuar qëllimisht dyshime tek reforma në drejtësi?

Ne:

  • Kujtojmë përpjekjet e ekzagjeruara dhe përtej çdo kompetence të çiftit të ish-ambasadorëve Lu dhe Vlahutin, të cilët arritën edhe të kërcënonin deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, nëse nuk e votonin ligjin e reformës në drejtësi.
  • Kujtojmë edhe OJF pranë Fondacionit Soros që protestonin poshtë zyrave të Kuvendit.
  • Kujtojmë përpjekjet për ndryshimin e vetë Kushtetutës së Shqipërisë sipas formatit të Soros.
  • Çfarë ndodhi tani? A mos vallë uzurpimi i plotë që Rama i ka bërë pushtetit të gjyqësorit është përmbushur dhe Soros kërkon një alibi?
  • Apo është një paralajmërim për gjërat që priten të ndodhin më vonë?

Shqiptarët vërtetë besonin tek reforma në drejtësi, por skepticizmi sa ka ardhur e është rritur për shkak të dështimit të plotë të procesit të vettingut, përzgjedhjes dhe votimit të diskutueshëm të Prokurores së Përgjithshme, kalimi i vettingut nga disa prokurorë dhe gjyqtarë me pasuri të pajustifikueshme dhe mbi të gjitha me lidhje të afërta me figura të rëndësishme të PS. Shqiptarët e dinë që kur qeveria uzurpon drejtësinë është diktaturë, dhe kur një njeri i vetëm kontrollon qeverinë, parlamentin dhe gjyqësorin, ai është mbret. Ai është hartues i ligjit, ekzekutues i ligjit, dhe vendosës i drejtësisë. Njësoj si Luigji XIV, të cilin kur e pyetën, se çfarë ishte shteti dhe ligji ai u përgjigj: “Shteti? Unë jam shteti. Unë jam ligji.” Dhe kur mendojmë se Edi Rama është kryeministër, ministër i punëve të jashtme, kreu i një parlamenti pa opozitë, dhe arkitekti i organeve të drejtësisë, mund të thuhet me plot bindje se ai sot është “mbret.”

Për tre vjet Shqipëria nuk ka Gjykatë Kushtetuese që mund t’i tërheqë veshin kryeministrit, partitë e opozitës i kanë braktisur mandatet e tyre në parlament, sistemi i drejtësisë është nën koordinimin e tij, ndaj mund të thuhet se Kryeministri Rama ka autoritetin suprem mbi tre degët e pushtetit: ekzekutivin, legjislativin dhe shumë shpejt, me përkrahje e Soros-it edhe gjyqësorin. Ndaj nuk është për t’u çuditur kur Shqipëria të deklarohet de jure një monarki, sepse de facto ajo tashmë e ka një mbret. Një mbret i cili tashmë e ka ndërtuar aristokracinë e tij: një grup njerëzish të cilët kontrollojnë burimet, fitimet, tenderët, në të gjitha sferat e vendit.

Por përse Soros-i po injekton dyshim pikërisht tani?

  • Sepse Rama, mbreti me opinga apo atlete të bardha, është zënë ngushtë nga dosjet 339 dhe 184, për më tepër nga aksionet e vazhdueshme të opozitës, të cilat pavarësisht arrogancës televizive të Ramës i kanë shkaktuar panik dhe mund ta rrëzojnë nga pushteti, ndaj një diversion i menjëhershëm kërkohej për ta ruajtur karrigen kryeministrore.
  • Në këtë mënyrë Soros, pasi e përfundoi detyrën për një sistem të ri të drejtësisë sipas volisë së vet, lan duart dhe shkëputet gjoja me skepticizëm.
  • Me këtë rast, për të sfumuar skandalet e shumta dhe publike kryeministri Rama ose më saktë “mbreti” Rama po planifikon sakrificat e radhës nga fusha e drejtësisë, me shpresën për t’u dukur si hero.
  • Për më tej, duke u marrë me këtë pikë të nxehtë siç është drejtësia, “mbreti” po ndërton opozitën e re nacionaliste me gazetarë të shquar shqiptarë për temat patriotike, elementë ekstremistë nacionalistë nga trojet shqiptare, politikanë shqiptarë të profilit rebelë etj., duke transmetuar kështu edhe mesazhin e idesë së paqenë të Shqipërisë të Madhe, e cila duket se prek zemrën e shqiptarëve dhe e vesh “mbretin” me një petk fisnik, por që në të vërtetë shërben vetëm si mjet për ta mbajtur pak më gjatë në pushtet.

Dhe teksa i gjithë ky plan orkestrohet në korridoret e pushtetit të sotëm nën dirigjimin e Sorosit, 60% e shqiptarëve vazhdojnë përpjekjen e tyre për t’u larguar nga ky vend. Edhe sikur shqiptari i fundit të largohej nga ky vend, mbreti i vendit të braktisur do ndihej sërish i lumtur, i përmbushur dhe i adhuruar nga megalomania e vet.( Botuar ne Telegraf.al, ne 11 prill 2019 )