Petrit Vasili: Rama e konsideron bujqësi mbjelljen e drogës

302
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Rama e konsideron bujqësi mbjelljen e drogës, ndaj është i pari në botë, jo në Ballkan! Rama kanabisin dhe mijërat e hektarëve të mbjellë me të, i konsideron bujqësi. Është e vërtetë që Shqipëria për meritë të Ramës është e para në Evropë për drogën e mbjellë, dhe Ramës tani nuk i mbetet objektiv tjetër, veçse për të qenë i pari në botë! Bujqësia e drogës së Ramës, mbjell vdekjen, varfërinë tragjike dhe degradimin, ndërsa  bujqësia e fermerëve shqiptarë, ndihmon jetën, begatinë dhe shëndetin e njerëzve. Dje Rama, mashtroi shumë rëndë për bujqësinë. Rama deklaroi me gojën plot dje se: “Shqipëria, vendi i parë në rajon për fondet e miratuara për bujqësinë”. Faktet për bujqësinë flasin vetë dhe janë kaq të thjeshta për të provuar mashtrimet e Ramës. Por hajt të shohim realitetin. Qeveria e Ramës ka vendosur 8.5 milionë euro për subvencione për fermerët, ndërsa Maqedonia 60 milionë euro, Kosova 53 milionë euro, Mali i Zi 61 milionë euro. Mashtrimi i  Ramës kuptohet lehtë.

Qeveria deklaroi në tetor të vitit 2020, se do të merrnin naftë me çmim të lirë 70 mijë fermerë dhe realisht, morën vetëm 19213 prej tyre, dhe shumica e naftës u shpërnda dy ditë përpara zgjedhjeve, për të blerë votën. Fermerë aktivë, sipas Drejtorisë së Tatimeve, janë 61857 fermerë nga 300 mijë të regjistruar sipas censusit të Ministrisë së Bujqësisë, që tregon qartë informalitetin dhe korrupsionin e  qeverisë ‘rilindase’ në shpërndarjen e subvencioneve. Vetëm në tre mujorin e parë të këtij viti, fuqia punëtore në bujqësi, ka rënë me 7.9%, provë shumë e qartë, që bujqësia është në vështirësi serioze. Faktet flasin vetë! Fermerët vuajnë të zitë e ullirit, po ç’taksirat kanë të dëgjojnë edhe mashtrimet e Ramës. Sa herë që Rama shfaqet, bëhuni gati të dëgjoni një mashtrim më të madh se një ditë më parë.  Pardje Rama i bëri deklaratat nga Universiteti Bujqësor, ku për fat të keq nuk u dëgjua asnjë zë, që mund të jepte këto fakte kaq të thjeshta dhe të vërteta. Mungesë e mjerueshme kurajoje profesionale dhe qytetare nga personeli akademik, përballë mashtrimit vulgar të kryeministrit. Kryeministri njeh vetëm bujqësinë e drogës dhe vetëm atë mbështet dhe mbi të gjallon.