Ilir Meta dhe Berisha, 30 metra larg njëri-tjetrit në Sarandë

495
Sigal

Sfida jonë në Qarkun e Vlorës, 2 deputetë në Kuvend. Këtë optimizëm shprehu Ilir Meta në prezantimin e kandidatëve për deputetë që LSI-ja organizoi mbrëmë në Sarandë, ndërkohë, kur në të njëjtën kohë, edhe Berisha zhvillonte tubimin e tij, 30 metra më larg. Lideri i LSI-së deklaroi se, le të ecim në këto dy javë drejt 2 qershorit të gjithë së bashku në bashkëpunim të plotë në mënyrë që Saranda me qytetari ta përcjellë Kryeministrin aktual një herë e përgjithmonë në opozitë dhe të hapë rrugën e një alternative të re të një maxhorance të re, e cila do të kujdeset për Sarandën me dashuri e përkushtim dhe me programe konkrete.  “Ndaj LSI e kërkon mbështetjen tuaj më 23 Qershor, sepse LSI-ja ka një program të qartë në radhë të parë për punësimin. Të gjitha politikat e LSI-së synojnë në nxitjen dhe rritjen e punësimit, që nga politikat në fushën e arsimit, që synojnë rritjen e arsimit të mesëm profesional dhe rritjen e fuqizimin e formimit profesional sidomos për të gjithë të rinjtë dhe të rejat që duan një profesion dhe që të gjejnë një punë të parë për të filluar jetën me dinjitet dhe siguri tek e ardhmja”, tha z. Meta.  Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim tha se, “prandaj ne besojmë te programi i LSI-së për punësimin, te programi i LSI-së për rritjen, zhvillimin dhe modernizimin e bujqësisë dhe së industrisë agro-përpunuese, për mbështetjen e punësimit, që është një tjetër potencial i rëndësishëm për të gjithë vendin dhe sidomos për Sarandën, në zhvillimin e shërbimeve, në zhvillimin e turizmit që është një pasuri e madhe për Sarandën dhe për të gjithë vendin”. “Ne do të ulim TVSH-në për shërbimet turistike në 10% në mënyrë që të konkurrojmë më mirë me vendet e tjera të rajonit. Ne jemi të bindur se vetëm duke mbështetur politikën e taksave në funksion të punësimit do të arrijmë të hapim shumë e shumë vende të reja pune”,- tha z. Meta. Ai u shpreh se, vendi ka nevojë për një vizion tjetër për zhvillimin ekonomik të tij. “Përrallave se, Shqipëria po ia kalon edhe Gjermanisë u ka ikur koha sepse jo në Kukës, por edhe në Sarandë që është kaq pranë detit dhe gjithë këtyre të mirave të natyrës ka një varfëri dhe ka një papunësi mjaft të ndjeshme që është e papranueshme për mundësitë dhe për resurset që ka komuniteti juaj për të ecur më shpejt përpara në rrugën e prosperitetit.

KANDIDATI PËR DEPUTET NË QARKUN E TIRANËS, LUAN RAMA

Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, njëherazi kandidat për deputet në Qarkun e Tiranës, Luan Rama, në fjalën e tij para mijërave të rinjve kavajas rinia e sotme ka shansin të mos humbasë trenin e shpejtësisë që ecën më shpejt drejt Evropës që është treni që udhëheq Lëvizja Socialiste për Integrim. “Ju motra dhe vëllezër, ju 18- vjeçarët, 20- vjeçarët, 25- vjeçarët e sotëm nuk mund të prisni 23 vjet të tjera, prandaj harrojeni të vjetrën, harrojini shkaktarët e vonesës, bashkohuni me LSI-në sepse LSI-ja është ëndrra e realizuar, LSI-ja është Evropa në Shqipërinë që duam ne të gjithë së bashku. Prandaj, meqenëse kjo sallë është kaq e bukur sepse është salla e LRI-së së Kavajës, se është e kuqe si zemrat e shqiptarëve dhe si flamuri i  tyre, do të dijë të fitojë sepse e kuqja është simboli i fitores. LRI-ja është realizuesja e fitores. Duke fituar LRI-ja si forca e LSI-së, fiton e gjithë Shqipëria. Më 23 Qershor ne duhet të ndezim me zemrat tona, me dashurinë tonë, me këmbënguljen tonë, me shpejtësinë tonë duhet të ndezim fitoren në të gjithë Shqipërinë. Ndaj nga Kavaja së cilës i shkon kaq bukur ngjyra e kuqe, nga Kavaja e cila e gjen kaq mirë të përfaqësuar, vetëm LSI-ja do të ndërtojë në Shqipëri Evropën që ne duam të gjithë”, tha ndër të tjera Luan Rama.

NË KORÇË DHUNOHEN 4 ZYRA ELEKTORALE, LSI, NË LEZHË DIGJEN FLAMUJ TË PD-SË

Korçë, dhunohen 4 zyra elektorale, LSI: Qytetarët larg veprimeve arbitrare. Mësohet se janë dhunuar zyrat në lagjet Nr. 1, 2, 13 dhe 14 të qytetit. Në këto zyra janë thyer xhamat, janë hequr posterat si dhe flamujt e LSI-së. Digjen flamujt e PD-së në qytetin e Lezhës, ç’ka ka shkaktuar akuza të ndërsjella mes dy partive të mëdha, PD dhe PS. E ndërsa demokratët akuzojnë socialistët për këto akte, dega e PS-së në Lezhë është distancuar tërësisht nga veprime të tilla.