Idrizi në Delvinë: Votoni PDIU për të kthyer dinjitetin në pushtetin vendor

433
Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet vijoi takimet elektorale në qytetin e Delvinës, ku u prit nga qindra mbështetës të kësaj force politike. Kreu i PDIU-së, z. Shpëtim Idrizi falenderoi delvinjotët, të cilët e kanë votuar vazhdimisht PDIU-në, duke e shndërruar forcën e parë politike në zgjedhjet e fundit vendore dhe shprehu bindjen se më 21 qershor, rezultati do të jetë edhe më i thellë.
Idrizi deklaroi se ndihet si në shtëpinë e tij dhe për këtë arsye, gjatë reformës administrative, këmbënguli për zgjerimin e Bashkisë së Delvinës, duke ia dalë të shtohen disa fshatra. Ai bëri thirrje që delvinjotët të votojnë nr. 34, për të kthyer krenarinë dhe dinjitetin edhe në pushtetin vendor.
“Unë ju bëj thirrje që të votoni nr. 34, të votoni për parimet e shenjta, të votoni për Atdheun, për Kombin, për pronën, për besimin në Zot. Ju garantoj se do të jem gjithnjë pranë kërkesave të Delvinës, për t’i rikthyer këtij qyteti historik, shkëlqimin që ka pasur dikur dhe që meriton” – tha z. Idrizi. Kreu i PDIU-së ftoi mbështetësit e partisë të votojnë edhe për kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Evropiane, z. Rigels Balilaj. Ai shoqërohej nga deputeti i Qarkut të Elbasanit, z. Aqif Rakipi dhe drejtuesit e PDIU-së, dega Delvinë.
Sigal