Ligji i Mbetjeve,Meta: Respektojmë çdo iniciativë qytetare, shoqëria civile ka të drejtën e monitorimit

356
Sigal

Gazeta Telegraf/

Kreu i Kuvendit, Ilir Meta ka folur sot pas arritjes së
konsensusit mes maxhorancës dhe opozitës në komisionin e reformës në drejtësi
që çoi në miratimin unanim të ligjit për SPAK.

Meta tha se ky është një shembull që mund të funksionojë
edhe për ligje të tjera për zbatimin e reformës në drejtësi.

“Pa asnjë diskutim që votimi i sotëm
tregoi se mirëkuptimi dhe konsensusi mund të funksionojnë edhe për ligje të
tilla për zbatimin e reformës në drejtësi, pas miratimit të reformës me
konsensus. Maxhoranca i ka votat për t’i miratuar këto ligje, por kjo reformë
kërkon që të vazhdojmë të punojmë pa u lodhur për konsensus për një frymë sa më
konstruktive që edhe mesazhet e fundit që vijnë nga Brukseli të bëhen një fakt
i kryer në javët e ardhshme”, tha Meta.

Ai është prononcuar edhe për debatin e
fundit për importin e mbetjeve, për të cilin tha se shqetësimi kryesor është
moszbatimi korrekt i këtij ligji dhe se për këtë çështje, LSI depozitoi një
amendament që i jepte fuqi shoqërisë civile për monitorimin.

“Sikurse ju e keni ndjekur, zoti
Vasili në emër të grupit të LSI, në përgjigje të një skepticizmi dhe një
mosbesimi edhe të opinioni publik dhe shoqërisë civile, kërkoi që monitorimi i
zbatimit të këtij ligji të realizohet në respekt të këtij ligji nga shoqëria
civile, duke patur bindjen se shoqëria civile i ka të gjitha mundësitë për të
monitoruar me zbatimin me korrektësi këtë ligj. Ky detyrim ligjor që u vendos
në këtë ligj të shoqërohet edhe me iniciativa të tjera konkrete. Shqetësimi
kryesor është moszbatimi korrekt i këtij ligji”, tha Meta. Ai tha se shoqëria
civile i ka të gjitha kapacitetet për të realizuar një monitorim ekstrem në
zbatim dhe respektim të këtij ligji.

Për sa i përket deklaratave të
deputetit Përparim Spahiu, se do të marrë pjesë në protestën e nesërme të
shoqërisë civile duke u shprehur kundër importit, Meta tha se është një e
drejtë e tij, por duke e justifikuar me nisjen e fushatës nga ana e tij për
kreun e LSI.

“E drejtë e tij, aq më tepër që ka
nisur fushatën e tij. Çdo iniciativë qytetare e respektojmë por sa i takon
iniciativave partiake e politizojnë debatin më shumë”, deklaroi Meta.

I pyetur nëse në Kolonjë, LSI do të ketë kandidatin e saj pas humbjes së
parakohshme të kryetarit, Meta tha se nuk gjen dot një njeri të përshtatshëm
për ta zëvendësuar dhe se ia ka lënë koalicioni.

“Për mua personalisht nuk ka më
rëndësi. Ka qenë një humbje e papritur, e parakohshme dhe e pamerituar.

Nuk kam ndërmend të merrem me kandidatët për këtë çështje por do të ndjek edhe
kolegë të tjerë, disa nga projektet që ai i nisi me aq dashuri për Kolonjën.
Jam i bindur se koalicioni do të gjejë një kandidat sa më të mirë, por e kam të
vështirë të gjej kandidat në nivelin e tij. Ato janë zgjedhje lokale dhe
aksidentale, për mua e rëndësishme ecuria pozitive konstruktive, e miratimit të
paketës së plotë të reformës në drejtësi”, theksoi Meta.