I shumëkërkuari Ahmetaj: “Tigri” i inceneratorëve kërkon liri nga arratia

92
Sigal

Ndonëse situata politike në Shqipëri zjen nga çështja e tij që tashmë është pagëzuar si “Çështja Ahmetaj”, edhe pse është në kërkim ndërkombëtar, avokati i ish ministrit Arben Ahmetaj ka ankimuar të premten masën ‘arrest me burg’. Avokati Henrik Ligori ka kërkuar shfuqizimin e vendimit të Gjykatës Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si dhe ka ankimuar sekuestrimin e dy llogarive bankare dhe apartamentin në zonën e Shallvareve në Tiranë. Më herët, SPAK ka vendosur masës së sigurimit pasuror, sekuestro preventive mbi 6 (gjashtë) pasuri nga të cilat 4 (katër) apartamente (njëri i përshtatur si AIR BNB) në pronësi të personit nën hetim Arben Ahmetaj si dhe 2 (dy) llogari bankare të po këtij shtetasi në shumën 124 300 (njëqind e njëzetë e katër mijë e treqind Euro). Ai akuzohet për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bëhet fjalë një dosje voluminoze ku krahas Ahmetajt ka dhe persona të tjerë të përfshirë dhe nuk është çudi që SPAK të mund të kërkojë masa dhe për persona të tjerë, mes tyre dhe biznesmenë. Arben Ahmetaj, për vite me radhë, mbajti poste të rëndësishme, duke nisur nga Ministër i Zhvillimit Ekonomik dhe Sipërmarrjes, Ministër i Financave dhe zv.kryeministër. Në të gjitha këto pozicione ai ka pasur rol të dorës së parë në hartimin e procedurave koncesionare për impiantet e përpunimit të mbetjeve në Elbasan, Fier dhe Tiranë. Në të tre këto koncesione, siç zbulohet qartësisht nga hetimi i Prokurorisë së Posaçme, SPAK, Ahmetaj ka dhënë kontributin e tij që të fitoheshin nga Mirel Mërtiri dhe njerëzit e tij më të afërt, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri.

Gjatë kësaj mesjave që shkoi Gjykata e Lartë rrëzoi ankimimet e ish-gruas dhe partneres aktuale të Arben Ahmetajt kundër vendimeve të SPAK dhe GJKKO për sekuestrimin e dy vilave në Hammallaj dhe në Palasë. Trupi gjykues vendosi mospranimin e rekurseve të paraqitura nga partnerja aktuale e Ahmetajt Erjola Hoxha lidhur me sekuestrimin e vilës në Hamallaj dhe ish-gruaja e tij, Albina Mancka per heqien e sekuestros për vilën në Palasë për të cilën ka bërë rekurs edhe shtetasja shqiptaro zviceriane Elda Dinaj. Pak ditë më parë SPAK shpalli në kërkim ndërkombëtar Arben Ahmetajn i cili nuk u gjet brenda vendit pasi gjykata aprovoi arrestimin e tij.